Qeveria festë për NATO, mungon Nishani

Mar 31, 2014 | 12:30
SHPËRNDAJE

Nishani, Rama e Kodheli gjatë një ceremonie
Ministria e Mbrojtjes do të organizojë sot një ceremoni me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Megjithatë, kjo festë konfirmon edhe një herë ftohjen e marrëdhënieve mes qeverisë dhe Presidentit Bujar Nishani, i cili është njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kreu i shtetit ka marrë një ftesë për ceremoninë e sotme, por nuk do të jetë i pranishëm për shkak se ekzekutivi nuk ka parashikuar se cili do të jetë roli i tij në këtë ceremoni.

ORGANIZIMI
Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se sot në orën 09:00 në sheshin përpara këtij institucioni do të zhvillohet ceremonia e 5-vjetorit të Shqipërisë në NATO. “Në këtë aktivitet do të jenë të pranishëm: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë. Zyra e shtypit bën të ditur gjithashtu se në këtë ceremoni do të jenë të ftuar ambasadorë dhe atashe ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere.

REAGIMI
Të kontaktuar nga “Panorama”, burime nga Presidenca bëjnë të ditur për gazetën se kreu i shtetit ka marrë një ftesë për ceremoninë që do të organizohet sot, por nuk do të jetë i pranishëm. “Ftesa ka ardhur të premten, vetëm 3 ditë para aktivitetit dhe nuk ka pasur asnjë axhendë apo program bashkëlidhur, asgjë e shkruar se cili do të jetë angazhimi i Presidentit në këtë ceremoni”, tha një zyrtar i Presidencës. Më tej ai theksoi se mungesa e informacionit për kreun e shtetit lidhur me ceremoninë që do të zhvillohet është një fyerje për institucionin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. “Askush nga protokolli i Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka kontaktuar kabinetin e Presidentit për të informuar për aktivitetin në përgjithësi dhe se çfarë mendon Presidenti që është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Nga pikëpamja protokollare është një fyerje ndaj institucionit të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, theksoi më tej burimi në Presidencë. Pak ditë më parë Nishani deklaroi se prej ardhjes në detyrë të qeverisë së re, është ndërmarrë një sulm ndaj Presidentit. “E nisa me çështjen e fotos, ndërkohë që ka pasur deklarata politike të deputetëve jo pa eksperiencë të PS, në Parlament dhe jashtë tij, kundër dinjitetit dhe figurës së Presidentit. Për shembull, dekretet për Gjykatën e Lartë rrëzohen dhe nga maxhoranca argumentohet se: s’kemi asnjë ankesë ndaj kandidaturave, të cilat plotësojnë kriteret, por Presidenti nuk është konsultuar me ne”, deklaroi Nishani.

Kodheli propozon Zaimin në vend të Gervenit
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i është përgjigjur pak ditë më parë kërkesës së Presidentit Nishani lidhur me sqarimet që kërkoi kreu i shtetit për urdhrin që ajo kishte nxjerrë për kundëradmiral Kristaq Gervenin. Burimet bëjnë të ditur se ministrja ka vënë zyrtarisht në dijeni Presidentin për mbarimin në fund të marsit të mandatit të përfaqësuesit ushtarak të Shqipërisë në NATO. Në të njëjtën kohë ajo ka konfirmuar propozimin për zëvendësimin e kundëradmiral Kristaq Gervenit me Arjan Zaimin, i cili është aktualisht këshilltar i ministres. Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të Presidencës bënë të ditur se kreu i shtetit nuk e ka shqyrtuar ende kandidaturën e Zaimit pa nxjerrë më parë dekretin për lirimin nga detyra të kundëradmiral Gervenit. Ministria e Mbrojtjes dhe Presidenca u përplasën një javë më parë pas një urdhri të nxjerrë për Gervenin të cilit i kërkohej të kthehej në Shqipëri, ndërkohë që nuk kishte dalë dekreti për shkarkimin e tij nga ana e Nishanit.

Moore në Tiranë për “NATO”
Drejtori për Çështjet e Europës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, do të mbërrijë nesër në Tiranë për një vizitë 3-ditore. Moore do të takohet me krerët më të lartë të politikës në vend, Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Jonathan Moore gjendet në Shqipëri me ftesë të qendrës “Albanian Policy Center”, konkretisht të ish-zëvendësministres së Jashtme Edith Harxhi, e cila aktualisht është presidente e qendrës. Më datë 2 prill, zyrtari amerikan do të marrë pjesë në referimin për “5-vjetorin e Shqipërisë në NATO”, konferencë e organizuar nga kjo qendër. Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama do të jetë më 1 prill në Gjermani, ku është parashikuar të ketë edhe një takim me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Me t’u kthyer prej andej, në datën 2 prill në mbrëmje, kreu i qeverisë do të takohet me Jonathan Moore.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura