Qetësimi i shpirtrave për 29 Nëntorin

Nov 30, 2012 | 11:49
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE

Njëzetenëntë Nëntori i këtij viti ishte ndryshe nga ai i 20 viteve të fundit.  Jo vetëm se kjo ditë festohej në vitin e 100–vjetorit të pavarësisë. Këtë vit Ditën e Çlirimit nga pushtuesit fashistë e festoi në datën e lartpërmendur jo vetëm e majta shqiptare. Edhe Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani, i dalë nga radhët e Partisë Demokratike, e nderoi atë si ditë të çlirimit. Me homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe me fjalët e tij para mediave me këtë rast, sipas të cilave: “Me ligj kjo është data e çlirimit”, ai rikonfirmoi sa thamë më lart.
Edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, gjatë qëndrimit të tij në atë detyrë, kishte respektuar datën 29 Nëntor si datë të çlirimit. Por ai ishte i mohuar si “tradhtar” dhe plëngprishës nga PD që e kishte propozuar si President. Ai kishte edhe një arsye familjare të lidhur me luftën, sepse babai i tij kishte qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në atë luftë. Ndërsa Presidenti i ri, Nishani, nuk mund të konsiderohet i tillë. Nuk mund të besohet se ai po rebelohet kaq shpejt nga partia që e votoi atë për President. Nga ana tjetër, siç e ka deklaruar vetë, ndryshe nga Moisiu, ai nuk ka “nishane” nga ajo luftë. Prandaj, veprimi i tij duhet marrë plotësisht si një ndryshim i qëndrimit politik të tij ndaj datës se çlirimit.
Ka arsye të besohet se, me gjithë “pavarësinë” e tij si President i Republikës, zoti Nishani nuk mund të shkëputej kaq shpejt dhe kaq lehtë nga partia që e çoi atë në kolltukun presidencial. Kishte, pra, një miratim të saj për këtë veprim të fundit të tij. Kështu duhet kuptuar veprimi dhe qëndrimi i Presidentit. Prandaj mund të themi se përfundimisht, data 29 Nëntor, edhe de jure, edhe de fakto, është tashmë Dita e Çlirimit të vendit tonë nga pushtuesit fashistë në Luftën e Dytë Botërore për klasën politike shqiptare. Shumë vonë u rikonfirmua kjo. Por më mirë vonë, sesa kurrë.
Kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha, i  pyetur për këtë veprim të Nishanit, e pranoi se “ligjërisht kjo është data e çlirimit”. Por “unë kam programin e partisë sime”, tha Berisha. Kjo do të thotë se ai s’ka ç’t’i bëjë programit të partisë së tij që nuk e nderon këtë datë, jo se ka ndonjë problem tjetër themelor me të!
Ligji në fuqi për festat zyrtare në Republikën e Shqipërisë është i miratuar vite më parë, kur ishte në pushtet Partia Socialiste. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005, kjo kishte të paktën katër vjet kohë në dispozicion për ta ndryshuar këtë ligj, pa folur për tri vitet e fundit, kur ajo po qeveris me LSI-në, që ka qëndrimin e njohur për Luftën. Por ajo nuk e bëri një ndryshim të tillë të ligjit, dhe kjo flet shumë. A është bindur Partia Demokratike që kjo, pra data 29 Nëntor, është data e vërtetë e çlirimit dhe duhet nderuar si e tillë? Apo ajo nuk ka dashur ta hapë edhe një herë tjetër debatin publik për këtë çështje, e cila e ka një kosto jo të vogël politike në elektorat, prandaj e ka lënë atë në heshtje? Përgjigjja e kësaj pyetjeje ka pak rëndësi. Ajo vlen vetëm për kureshtaret e hollësirave. Për opinionin e gjerë është i mjaftueshëm vetëm veprimi i fundit i Presidentit.
Këto zhvillime të fundit lidhur me datën e çlirimit nga pushtuesit fashistë, janë një element i ri pozitiv që iu shtua atmosferës së përgjithshme të festimeve të 100–vjetorit të pavarësisë së vendit. Ato ishin një homazh që i bëhej vetë Festës së madhe të Pavarësisë. Sepse edhe Lufta Nacionalçlirimtare, luftë për pavarësi ishte, për pavarësinë e humbur të shtetit shqiptar nga pushtimi fashist. Edhe kjo dëshmon përsëri se veprimi i Presidentit nuk ishte i rastit, por i sinkronizuar në kohë me ngjarjen e madhe që sapo festuam.
Lufta Nacionalçlirimtare e popullit tonë ishte një nga faqet e ndritura të historisë moderne të tij gjatë shekullit të njëzetë. Ajo ishte riafirmim, në një shkallë të lartë, i vlerave të njohura patriotike të historisë sonë në shekuj. Ajo, nga ana tjetër, i dha vendit të drejtën për t’u njohur për herë të parë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 1955.
Populli shqiptar u ngrit në luftën për çlirim që në fillimet e saj. Ai krijoi ushtrinë e rregullt çlirimtare dhe e çliroi vetë vendin nga pushtuesit, pa pritur ndërhyrjen e forcave të huaja ushtarake për të realizuar një gjë të tillë. Ai dha kontribut (sado të vogël) edhe për çlirimin e vendeve të tjera fqinje nga pushtuesit fashistë. Ishte kjo luftë që e renditi atë në radhën e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore. Këto janë të vërteta historike që nuk mund dhe nuk do të mohohen kurrë.
Që nga viti 1991, kur në vendin tonë u instalua sistemi pluralist shumëpartiak, Lufta u bë objekt sulmesh e denigrimesh të shumta nga disa prej forcave të reja që erdhën në skenën politike. Analiza dhe komente të pafundme u bënë rreth asaj se “ajo ishte një luftë civile e komunistëve kundër nacionalistëve”; “ajo ishte luftë vëllavrasëse”; “ishte luftë e komunistëve kundër demokratëve të vërtetë”; “ishte luftë u udhëhequr nga jugosllavët dhe në shërbim të jugosllavëve” e të tjera si këto. Për disa kohë kjo frymë denigruese u bë sunduese në vitet nëntëdhjetë dhe zuri vend në propagandën dhe qëndrimet zyrtare të qeverisjes së Partisë Demokratike. Kjo u sanksionua pastaj edhe me heqjen formale të saj nga lista e festave zyrtare të vendit.
Janë të freskëta ende kujtimet e atyre ditëve të viteve nëntëdhjetë, kur forcat e policisë pengonin me dhunë veteranët e Luftës dhe simpatizantët e Partisë Socialiste në rrethe të ndryshme të vendit për të nderuar dëshmorët e Luftës më 29 Nëntor. Janë të gjalla ende në kujtesë skenat e vandalizmave anë e kënd vendit, kundër simboleve të Luftës Nacionalçlirimtare, deri te rasti i fundit, i dhunimit të monumentit “Pesë Heronjtë e Vigut” në Shkodër. Këto ishin dhe mbeten dëshmi e asaj histerie dhe e atij synimi që kërkonte të mohonte jo thjesht datën e çlirimit. Synimi ishte dhunimi i një epoke të lavdishme historike, si ajo e Luftës Nacionalçlirimtare.
Ishte e qartë se mohimi i 29 Nëntorit nuk ishte thjesht mohimi i një date nga kalendari i festave zyrtare, edhe ashtu të mbushur me data festash të shumta, me e pa vlerë të qenësishme. Mohimi i datës ishte mohim i vetë luftës. Pavarësisht se mbrojtësit e heqjes së kësaj date nga lista e festave përpiqeshin të justifikoheshin duke thënë se me këtë nuk mohohet lufta, e vërteta dukej sheshit se ishte krejt ndryshe.
Një pjesë e madhe e popullit tonë, e identifikuar dhe e përfaqësuar nga e majta shqiptare, nuk u turbullua nga sulmet dhe shpifjet që u bënë kundër Luftës. Ajo i qëndroi dhe i qëndron konsekuent vlerësimit objektiv të Luftës dhe rolit të saj në historinë e popullit tonë. Zhvillimet e sotme dëshmojnë drejtësinë e qëndrimeve të saj.
Qëndrimet e fundit të politikes shqiptare ndaj Festës së Çlirimit janë një homazh i ngrohtë ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit në atë luftë. Ato janë njëkohësisht një qetësim i shpirtrave të atyre pak luftëtarëve që kanë mbetur ende gjallë nga ajo kohë. Janë, mbi të gjitha, një detyrim i politikës së ditës ndaj historisë së lavdishme të popullit tonë në një kohë që historia nuk do ta harrojë kurrë.
Me këtë qëndrim të ri ndaj Luftës, Shqipëria mbyll, nga ana tjetër, një kapitull absurdi historik, të provokuar nga politikane të mbrapshtë, që vazhdoi për njëzet vjet dhe që hap tani një kapitull të ri nderimi për Luftën. Shqipëria ka tani një plagë më pak në shpirtin e saj ende të trazuar nga hallet e shumta reale të saj, për t’u marrë pikërisht me zgjidhjen e atyre problemeve ende të pazgjidhura, siç janë ekonomia, punësimi, uji, dritat, shkollimi etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura