Që zgjedhjet të mos jenë luftë finale

Mar 31, 2011 | 11:06
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

Nëse do të bënim një analizë të ftohtë të këtyre zgjedhjeve, gjykoj se e para gjë që do  të duhet të thoshim është se këto janë zgjedhjet më të vështira që bën Shqipëria ndoshta që prej vitit 1996.  E them këtë pasi kam përshtypjen – që s’është vetëm e imja – se këto zgjedhje po përgatiten dhe përjetohen më shumë se të tjerat si lufta finale midis dy forcave politike të mbetura në fushëbetejë (PD – PS), pasi kanë eliminuar tërë rivalët e mundshëm më të vegjël dhe më të mëdhenj. Po pse luftë finale? Sipas meje nuk është thjesht dhe vetëm kultura totalitare, autoritare e trashëguar nga partia prej së cilës kanë dalë (PPSH), që i shtyn këto parti të sillen sikur po bëjnë luftë finale. Kjo kulturë ka qenë edhe më parë dhe do të thosha se edhe zgjedhjet e mëparshme kanë pasur goxha karakterin e një lufte finale. Por këto që po vijnë e kanë shumë më të theksuar këtë aspekt për shkak të zhvillimeve ekonomike, sociale e politike të vendit gjatë këtyre viteve të fundit, që po tregojnë gjithnjë e më shumë se dy partitë kryesore, pasi eliminuan të tjerat (ato që kanë mbetur janë thjesht fantazma të pluralizmit), nuk kanë motive të mjaftueshme për ekzistencën e tyre si dy parti për shkak se sa më shumë kalon koha, aq më pak ato përfaqësojnë shtresa të ndryshme social-ekonomike apo kultura, histori e projekt-vizione të ndryshme për botën. Pa mohuar përkatësinë e ndryshme përsa i përket historisë familjare të votuesve të tyre në kohën e Hoxhës, gjykoj se ata që diktojnë realisht politikat e këtyre dy partive janë gjithnjë e më shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin si dy pika uji, në mos qofshin edhe të njëjtët persona në shumë raste. Që të dyja përfaqësojnë interesa të së njëjtës shtresë ekonomiko-shoqërore, që janë oligarkët e vendit, të cilët nuk kanë ndonjë interes të veçantë që të jenë në dy parti të ndryshme, përveçse për të marrë kontrollin e plotë të territorit e të ekonomisë në duart e tyre. Jo vetëm, por midis tyre është edhe një kategori e tretë, shumë e gjerë, që i paguan të dyja partitë gjatë fushatave dhe që gjithnjë e më shumë bëhet e vetëdijshme se nuk ka ndonjë interes që ta bëjë këtë. Duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike që duket sheshit nëpër dyqanet e supermerkatot bosh, apo në apartamentet e shtëpitë e papërfunduara apo të pashitura, ka shumë më tepër arsye që lufta politike e këtyre grupeve për të marrë kontrollin përfundimtar të territorit e të ekonomisë nëpërmjet marrjes së kontrollit të politikës, të përjetohet si luftë finale apo për jetë a vdekje. Pra, në këtë kontekst, kjo luftë finale vjen edhe si tregues i dështimit në shumë aspekte të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, të ndërtimit e kultivimit të diversitetit politik, kulturor dhe të përfaqësimit të shtresave të ndryshme të popullsisë.
Në kushtet e kësaj lufte finale ne ndodhemi përpara dy skenarësh, ose më saktë, përpara dy rreziqesh. Rreziku i parë është ai që PD-ja t’i fitojë këto zgjedhje, me çka kuptohet edhe fitorja e Tiranës. Rreziku i madh i kësaj është që në këtë rast të mbetemi nën diktatin e një partie të vetme me një opozitë të mbetur vetëm te PS-ja, që në këtë rast do të implodojë edhe për shkak se sponsorët e saj ose do të falimentojnë, ose do të shkojnë të gjithë afër PD-së. Kjo do të ketë pasoja të rënda të lidhura me rritjen e autoritarizmit dhe arrogancës së PD-së, të shpërdorimit të pushtetit dhe të parave të shqiptarëve që Berisha i ka manifestuar pa kursim edhe me ekzistencën e një opozite të rëndësishme, çka do të thotë se do të na mrrudhen e kërcënohen edhe mjaft të drejta e liri të shprehjes e me radhë.
Rreziku tjetër është që PS-ja t’i fitojë zgjedhjet dhe atëherë kjo do të konsiderohet prej saj, siç dhe ka premtuar, jo si një fitore e pushtetit lokal, por si një fitore politike, që do të interpretohet pastaj prej saj edhe si një delegjitimim i zgjedhjeve të 2009-s. Pra pas kësaj fitoreje do të ndodhemi nën rrezikun e një lufte të përditshme civile pa armë midis dy forcave kryesore që do të vazhdojë deri në vitin 2013 nëse Berisha reziston. Me shumë gjasa, sipas këtij skenari, në periudhën 2011 – 2013 do të kemi një PS që arrin fitoren finale me të njëjtat pasoja si ato që parashtrova në rastin e fitores së PD-së më 2011-n.
Shkurt pra, përjashto militantët që ëndërrojnë pa dilema fitoren përfundimtare të palës së tyre, ne të tjerët, që mendoj se jemi shumica e shqiptarëve dhe, sipas meje, edhe të papërfaqësuar nga asnjëra nga këto parti, ndodhemi përpara rrezikut të një fitoreje finale të PD-së më 2011-n me instalimit e pushteti të Sali Berishës dhe të një fitoreje finale të PS-së në periudhën kohore 2011 – 2013 me instalimit të pushteti të Edi Ramës me pak mundësi ndryshimi të kësaj situate për një kohë të gjatë.
Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë se demokracia është bash e kundërta e fitoreve finale. Ajo do të thotë pushtet i popullit jo thjesht si retorikë, por në kuptimin që pronar i karriges së pushtetit është populli, i cili ua jep, si të thuash, me qira dhe me kontratë, për përfitimet e tija, këtë karrige partive të ndryshme, por kurrsesi përgjithmonë.
Çfarë duhet bërë që të shpëtojmë nga rreziku i këtyre dy skenarëve, që do të thotë, metaforikisht, të kalojmë midis Shillës dhe Karridbës pa rënë viktima të asnjërës prej tyre? Sot për sot, shqiptarët, për fat të keq, kanë në dorë për këtë vetëm një instrument: votën e tyre. Sipas meje, më i suksesshmi për të dhënë mesazhin se karrigen e pushtetit nuk mund ta fitojë kurrë përgjithmonë asnjëri, do të ishte bojkotimi masiv. Në mungesë të këtij, pa hyrë në hollësira, do të thosha se përdorimi sa më i zgjuar i kësaj vote duhet të jetë ai që do t’i bënte të dyja palët të mos ndjeheshin të sigurta se e kanë fituar betejën përgjithmonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura