Qafë-Thanë, bllokohen 10 kg heroinë që do hynin në Shqipëri

Oct 31, 2011 | 10:50
SHPËRNDAJE

QAFE-THANE – Bllokohet 10 kg heroinë në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Droga e shtrenjtë ishte nisur nga shteti fqinj me destinacion vendin tonë, por është zbuluar e më pas sekuestruar nga policia kufitare maqedonase, në anën tjetër të Qafë-Thanës. Lajmin e konfirmuan dje zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, sipas të cilëve u vunë në pranga dhe dy shtetas maqedonas për trafik ndërkombëtar të heroinës. Sipas të dhënave të policisë maqedonase, lënda narkotike vinte nga Maqedonia dhe se synonte të hynte në drejtim të vendit tonë. Nuk dihet ende nëse qëllimi ishte të shitej në vendin tonë apo të kapërcente kufijtë për në perëndim. Policia e Maqedonisë bën të ditur se dy të arrestuarit, njëri drejtues i mjetit dhe tjetri pasagjer në makinën me targa të Gostivarit, ishin me origjinë nga Tetova. Shoferi i mjetit që transportonte drogën, është identifikuar si Jeneski Jovica, 34 vjeç, ndërsa për të ndaluarin tjetër janë dhënë vetëm inicialet, V.C. Mësohet se policia e shtetit fqinj kishte informacione të mbledhura në rrugë operative në lidhje me ngarkesën e makinës me targa Gostivari dhe personave që ndodheshin në të dhe, sapo mjeti ka arritur në kufi, është bërë kontrolli dhe zbulimi i lëndës narkotike. Nga ana e Policisë thuhet se sasia e lëndës narkotike të bllokuar kap vlerën e mbi 1 milion eurove. Pritet që hetimet të vazhdojnë në lidhje me personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të lëndës narkotike, ku dyshohet të ketë jo vetëm furnizues me drogën e shtrenjtë dhe të fortë, por edhe pritësit e saj në tokën shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura