Putin mund Obamën, ja më të fuqishmit e 2013-s, sipas “Forbes”

Oct 31, 2013 | 14:22
SHPËRNDAJE

Obama ka humbur titullin si lideri më i fuqishëm i botës, dhe ai që ia ka marrë këtë titull, sipas “Forbes”, është pikërisht Presidenti rus, Vladimir Putin. Putin ka qenë deri tani në vendin e dytë të klasifikimit të “Forbes” për njeriun më të fuqishëm në botë, të cilin që nga viti 2010 deri në vitin 2012 e ka mbajtur Presidenti amerikan, Barak Obama. Sipas analistëve të “Forbes”, Putin ka forcuar kontrollin e tij mbi Rusi, ndërsa Obama ka pasur një periudhë dobësie, që ka nisur që në fillimin e mandatit të tij të dytë presidencial, si situata me Sirinë, mbyllja e qeverisë federale, rreziku i falimentimit të SHBA-ve për herë të parë në histori etj. Sidoqoftë, Obama ka rënë vetëm një pozicion, duke u renditur personi i dytë më i fuqishëm në botë. Më të fuqishmit e botës këtë vit, në renditjen e pestë vjetore të “Forbes”, janë krerë shtetesh, financierë, filantropë dhe sipërmarrës,  të cilët vërtet që kanë pushtet në botë. Ata janë vetëm 72, një për çdo 100 milionë njerëz në Tokë dhe renditja është bërë bazuar në ndikimin e tyre, burimet e tyre financiare në raport me të tjerët etj. Tre më të fuqishmit janë: Putin, Obama dhe Xi Jinping, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze. Ndërsa mes figurave të reja janë: Papa Françesku (Nr. 4), kreu i “Samsung” Lee Kun-Hee (Nr. 41), Martin Winterkorn i “Volkswagen” (Nr. 49) etj. Në vendin e pestë renditet kancelaria Gjermane Angela Merkel dhe në vendin e gjashtë bashkëthemeluesi i “Microsoft”, Bill Gejts.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura