Pse BE nuk e pranon bojkotin

Sep 30, 2014 | 12:07
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

  Ndër fjalitë që kreu i ri i PD-së, zoti Basha, tha pas daljes nga takimi me komisionerin për Zgjerim (në largim), Stefan Fyle, njëra ngjau më e ashpra, pavarësisht injorimit që iu bë prej reporterëve dhe redaktorëve të tyre. Basha tha përafërsisht: të heshtësh për kriminalizimin e Parlamentit është shumë e rëndë, është bashkëfajësi. Një fjali e tillë akuzuese ndaj përfaqësuesit të lartë të BE-së ishte tërësisht e ngjashme me atë që paraardhësi i tij i tha para disa muajsh në një takim të PD-së me njerëzit e biznesit, kur drejtuesi i një studioje serioze juridike i kërkoi një klimë më të shtensionuar në Parlament, sepse ajo do t’i shërbente biznesit. “Të heshtësh për krimin, – i tha paraardhësi i Bashës juristit që çakërriti sytë nga reagimi, – është bashkëfajësi!”.
Nënvizimi i një paraleleje të induktuar si kjo shërben për të kuptuar më mirë se kjo fjali e Bashës, i formuar në Perëndim, me kulturë juridike, ka qenë në mos e detyruar, e sintonizuar nga zori me paraardhësin, i cili vetëm para pak muajsh e sulmoi komisionerin Fyle si proserb dhe antishqiptar. Si pasojë vizive e këtij induktimi, Basha ngjante tepër serioz para kamerave përballë fjalive gazmore hapëse të takimit të tij me zyrtarin e lartë të BE-së që buzëqeshte, por kjo nuk rezulton momenti më kryesor i takimit që zgjati më shumë sesa ishte parashikuar. Momenti kryesor zbërthehet saktësisht nga fjalia e mësipërme pa kryefjalë (pavetore) që Basha nuk guxoi ta bënte më të qartë, edhe si pasojë e skrupujve të vet europianistë apo dhe besimit se Fyle nuk mund të guxojë të bëjë politikë personale ndaj Shqipërisë. Basha shprehu zhgënjimin që kauza e fundit e opozitës e lidhur me bojkotimin e Parlamentit për shkak të kriminalizimit të tij, moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese etj., nuk solli reagim publik kritik të komisionerit Fyle. Në këtë zhgënjim kontribuan gjithashtu me gjasë dhe mesazhet publike dhe jopublike të Fyles për të mos bojkotuar Parlamentin.
Nuk ka diskutim se betejat e shpallura të opozitës për shtetin ligjor, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dekriminalizimin e Parlamentit, mbrojtjen e administratës civile nga politizimi, kanë dobi publike edhe kur ato janë shpërpjesëtuese, kur shohin jashtë vetes etj., etj. Shoqëria fiton një farë ndjeshmërie shtesë për këto tema, pavarësisht përkatësisë politike të qytetarëve. Por kjo s’do të thotë që shoqëria apo bashkësia ndërkombëtare mund të jenë dakord me të gjitha mjetet politike që opozita zgjedh për këto kauza. Ndaj prej këtij vëzhgimi të mësipërm ka vend të shtrohet një pyetje jo thjesht teorike. A mundet të shndërrohet kjo kauzë e re, kjo betejë e re e PD-së e zgjedhur të luftohet nëpërmjet bojkotit parlamentar në një kauzë ndërkombëtare? D.m.th. a mund të arrihet që bojkoti të krijojë ndjeshmëri tek institucionet ndërkombëtare, qoftë te zyrtarë të lartë në largim si “proverbi” Fyle, qoftë dhe te kancelaritë e veçanta perëndimore deri në pranimin e këtij mjeti? Për pasojë, a mund të arrijmë në kritika publike të faktorit ndërkombëtar për qeverinë, pse “ka detyruar opozitën të bojkotojë” diçka që do inkurajonte bojkotin? Përgjigjja është kategorike. Jo.
 Arsyet e BE-së
Në një plan realpolitik apo dypalësh, në gjykimet e kancelarive perëndimore kjo qeveri po funksionon përgjithësisht mirë, dhe kjo duket nga vlerësimet që ka marrë publikisht apo nga axhenda diplomatike e kreut të saj. Ngjan e vështirë në një kontekst kaq pozitiv për qeverinë që një kauzë si kjo e opozitës të marrë vëmendjen e duhur, edhe nëse është më e drejta apo më e justifikuara. Kur kancelaritë kanë qasje pozitiviste ndaj qeverisë, është relativisht e vështirë të përftosh qasje kritike prej një institucioni shumëpalësh, politika e jashtme e të cilit është mesatarizuese e këtyre palëve.
Në një këndvështrim rajonal, Bashkimi Europian nuk mund të inkurajojë me qëndrimet e veta publike bojkot parlamentar edhe në Shqipëri kur Maqedonia ka probleme serioze me refuzimin e opozitës për të marrë mandatet. Apo kur Kosova ende nuk po del nga një krizë e butë krijimi institucionesh, që nesër mund të ashpërsohet edhe më. Aq më tepër as mund të mendohet se BE do preferonte të mbështeste linjën e protestave që shpalli paraardhësi i Bashës.
Në këndvështrim të vlerave që përfaqëson BE dhe vendet anëtare, bojkoti nuk është mjet demokratik me të cilin mund të abuzohet pa shteruar mjetet e tjera në dispozicion të shtetit ligjor.
Edhe në këndvështrim historik – duke konsideruar si të tillë raportin e BE-së me Shqipërinë në vitet e pluralizmit, përgjithësisht kjo organizatë në dialogun me shqiptarët nuk e ka mbështetur bojkotin, as dhe për një kauzë që paraardhësi i Bashës e ka quajtur themel të lirisë – votën e lirë, pra pretendimin socialist për manipulimin e zgjedhjeve. I njëjti komisioner, “proverbi” Fyle, e ka kritikuar Ramën për këtë bojkot, ndaj nuk shihet arsye se pse ai duhet të lavdërojë Bashën.
Kjo nuk do të thotë se Bashkimi Europian, burokratët e të cilit përfaqësojnë trupën më të madhe monitoruese të Shqipërisë edhe në hollësitë më të vogla të sjelljes së institucioneve të saj, nuk ka reaguar ndaj kërkesave të opozitës. Zaten kjo është një arsye shtesë pse BE është kundër bojkotit, pavarësisht se në deklaratën e përbashkët nuk pati referenca kritike ndaj tij, por shumë përsëritje të termit “gjithëpërfshirje”, e cila ngjan si kritikë për qeverinë. Në këtë optikë, Bashkimi Europian ka mirëpritur dhe qëndrimet e opozitës për reformën e Drejtësisë si bashkëpunim me Presidencën nën mbikëqyrjen e Komisionit të Venecias. Mes kërkesave të opozitës në politikën e brendshme, BE ka mirëpritur veçanërisht atë që lidhet me administratën publike, për të cilën BE ka financuar ndjeshëm, janë përmendur edhe publikisht në pozicionin e kësaj organizate ndërkombëtare. Si pasojë e presionit të BE-së, me gjasë dhe Kryeministri Rama bëri ofertën e re për opozitën, që lidhet me të ashtuquajturat komisione hetimore, një praktikë e stërabuzuar në historinë e demokracisë së brishtë shqiptare.
Atëherë çfarë mund të presë Basha në lidhje me betejën e re që Partia Demokratike e ka ndërmarrë me dëshirën apo kundër dëshirës së tij – bojkotin e Parlamentit, derisa qeveria të pranojë një marrëveshje për të ashtuquajturin dekriminalizim të Parlamentit dhe të administratës publike; respektim të shtetit ligjor, përkatësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese? Nuk mund të presë mbështetje ndërkombëtare për mjetin që ka zgjedhur, bojkotin, sepse është pak e tepruar dhe fryt i egocentrizmit tonë tipik kombëtar që beson se mund t’i japë këshilla botës, apo të përcaktojë sjelljen e saj. Edhe marrëveshja që ai kërkon, nënkupton dialog, të cilin ai po e refuzon. Edhe politika e kushteve është e papranueshme, sepse dhe qeveria mund të vendosë kushte. Ndërkaq, kreu i opozitës mund të gjejë gjerësisht mirëkuptim ndërkombëtar dhe vendor për temat që ngre, në masën që këto tema janë të arsyeshme, të drejta. Me qëndrimet e arsyeshme dhe të drejta, kreu i opozitës do të gjejë sigurisht dhe mbështetje popullore jashtë demokratëve, pra te “shqiptarët që janë më shumë sesa demokratët”, siç tha Basha në fjalimin e fundit. Por për këtë do t’i duhet të shkëputet personalisht nga modeli i paraardhësit që reflektonte egocentrizmin kombëtar të shqiptarit që i jep mend botës. Dhe më në fund, zoti Basha duhet të kuptojë paradoksin që karakterizon këtë qasje të opozitës. Ndërsa opozita është mburrur se në 8 vjet i ka lënë vendit institucione të shëndosha të pavarura, të besosh se do ndryshosh gjërat duke denoncuar qeverinë te ndërkombëtarët, është mosbesimi më i madh pikërisht te këto institucione që kushtetutshmërisht kanë detyrën kryesore që të zgjidhin konfliktet e brendshme politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura