PS, Kushtetuta, ndërhyrje në ligjet me 3/5 dhe Presidentin

Jul 30, 2011 | 11:07
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste pritet t’i propozojë maxhorancës ndërhyrje në
Kushtetutë, sa i takon ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave
në Parlament. Burime nga PS, sipas “Top Channel”, pohojnë se propozimet
janë qëndrime politike të selisë rozë, ndërsa detajomi i tyre juridik pritet të bëhet nga ekspertët e fushës kushtetuese. Socialistët do të
kërkojnë rivendosjen në Kushtetutë të shumicës së cilësuar me 3/5-at për
zgjedhjen e krerëve të institucioneve në Kuvendin e Shqipërisë. Ky ishte një nga ndryshimet më të debatuara që u kryen në 21 prill të 2008-
s, ku Presidenti i Republikës nga 84 vota, u vendos të zgjidhet në dy raundet e fundit vetëm me 71 vota. Kjo, sipas PS, do t’i japë fund njëanshmërisë
së pushteteve apo favorizimit të zgjedhjes së njëanshme të Presidentit nga
maxhoranca në 2012-n, kohë kur mbaron mandati i Presidentit aktual, Bamir Topi. Duke konsideruar se të gjitha institucionet e pavarura janë
të zhbalancuara, zgjedhja me konsensus të detyruar e Presidentit, siç ka qenë në Kushtetutë para vitit 2008, do të garantojë, sipas socialistëve,
që disa prej drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme
të vendit të jenë produkt i konsensusit, dhe jo i imponimit politik. Sipas
Kushtetutës para dhe pas ndryshimeve, Presidenti firmos dekretin për emërimin e prokurorit të Përgjithshëm dhe e shkarkon atë pas propozimit
nga Parlamenti. Presidenti, gjithashtu, ka të drejtë të miratojë apo të refuzojë
propozimin e Kryeministrit për kreun e Shërbimit Informativ
të Shtetit, si dhe drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe emëron gjyqtarët e
Faktit dhe të Apelit. Dhe, sipas socialisteve, këto institucione dhe pushteti i Gjyqësorit nuk duhet të jenë rezultat i vullnetit të vetëm të
forcës që ka pushtetin dhe që, sipas Kushtetutës aktuale, ka mundësinë të zgjedhë e vetme Presidentin. Një pikë tjetër e rëndësishme në propozimet
e socialistëve për ndryshimet në Kushtetutë është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, një reformë kjo e kërkuar edhe nga ndërkombëtarët. Sipas PS-së,
duhet të krijohen garancitë e nevojshme ligjore që manipulimi i ndodhur më 8 maj të mos përsëritet. Por, në paketën e PS duket se do të përfshihet
edhe ndryshimi i formulës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky institucion, i cili u cilësua nga opozita si përgjegjësi kryesor për manipulimin
e rezultatit të Tiranës, të paktën nga Partia Socialiste shihet si një institucion që mund të kthehet në një organ apolitik. Në vijim të kriterit të balancimit të  pushteteve, duket se në paketën e socialistëve për nd ryshimet kushtetuese do të përfshihet edhe një ndryshim tjetër i rëndësishëm kushtetues: heqja
e imunitetit për aktet e korrupsionit, e shoqëruar kjo me pezullim nga të gjitha funksionet publike gjatë kohës së hetimit.
KONSULTAT
Kreu socialist ka nisur konsultat e tij me kostitucionalistë të njohur, nga të cilët pritet të merren propozimet konkrete për ndryshimet kushtetuese. Pak ditë më parë, Rama takoi Luan Omarin dhe Njazi Jahon, nga
të cilët kërkoi propozimet e tyre se si dhe në ç’nene mund të amendohet Kushtetuta. Burime nga takimi pohojnë se Rama i ka fokusuara ata
te rikthimi i pushteteve të balancuara, të prishura në ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Gjithashtu, ndihma u është kërkuar dhe disa
emrave të tjerë të njohur nga fusha e jurisprudencës, të cilët pritet të mblidhen në një tryezë të përbashkët ku do të hidhen idetë dhe propozimet
për ndryshimet e ardhshme kushtetuese.

Meta: Ndryshimet kushtetuese, jo me nxitim

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehet kundër ndryshimeve në Kushtetutë, një ide e hedhur nga opozita. Duke folur në mbledhjen e Komitetit Drejtues
Kombëtar, Meta tha se ndryshimet e vitit 2008, për të cilat LSI nuk ka qenë dakord, treguan se u gabua. “Reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet
me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Sepse, për sa i takon reformës zgjedhore, ka një
urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg. Dhe ne e dimë shumë mirë se si ikën koha dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në Kodin Zgjedhor
të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente, gjithëpërfshirëse e të pjekur, pra jo në mënyrë të nxituar”, tha Meta. Në lidhje me këto ndryshime, ai
tha më tej se ato duhet të bëhen në mënyrë transparente dhe pa presione politike. “Për sa i takon çështjes së ndryshimeve kushtetuese, është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së
errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara, por kjo nuk do të thotë që të gabojmë përsëri me ndryshime të nxituar dhe të
gabuara. Sepse Kushtetuta është Ligji Themeltar i një shteti dhe Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi apo qoftë edhe i një force politike apo disa të tjerave. Kushtetuta është e të
gjithë qytetarëve shqiptarë, është bërë me referendum dhe natyrisht
çdo proces rishikimi duhet bërë në mënyrë transparente, duhet të
ketë kohën e tij dhe nuk duhet të realizohet nën presionet politike të interesave të çastit”, shtoi Meta. Kreu i LSI foli edhe për zgjedhjet e 8 majit, duke thënë se ato janë një kapitull i mbyllur. “Tashmë, kapitulli i
zgjedhjeve të 8 majit është mbyllur dhe me këtë rast unë dua të
vlerësojë edhe një herë zgjedhjet e 8 majit, pikërisht si zgjedhjet më të pastra dhe më transparente që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, sikurse janë
shprehur edhe partnerët tanë ndërkombëtar. Lidhur me zgjedhjet në kryeqytet, pavarësisht nga mendimet e ndryshme të cilat përkojnë edhe me interesat e ndryshme politike apo partiake, unë mund të them se
zgjedhjet e kryeqytetit ishin leksioni më i mirë që mori çdo qytetar i Shqipërisë se sa e rëndësishme është edhe një votë e vetme”, tha ai, duke shtuar se duhet të ketë një reformë në zgjedhje që, sipas Metës, është penguar nga kreu i opozitës Edi Rama. “Pengesa ka qenë lidershipi i opozitës dhe kjo
është për të ardhur keq”, deklaroi Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura