Provokimi, përleshje te çadra e grevës së urisë

May 31, 2014 | 12:11
SHPËRNDAJE

Dje gjatë përleshjes mes grevistëve të urisë të shkarkuar nga administrata qendrore me një grup tjetër që pretendonin se ishin
shkarkuar nga Bashkia e Tiranës
Dita e dhjetë të grevës, një grup inskenon për bashkim.

Qafzezi kap për flokësh ish-punonjësen e Bashkisë: Erdhën për sulm politik.

Përballje verbale dhe fizike mes grevistëve të urisë kundër shkarkimeve në administratë dhe një grupi personash, të cilët pretendonin se ishin larguar 3 vite më parë nga puna në Bashkinë e Tiranës.
Në ditën e dhjetë të “ngujimit”, grevistët janë provokuar nga vizitorët e paftuar, duke luajtur me nervat e tyre. Fillimisht ata u hoqën si të interesuar për të hyrë në grevën e urisë së bashku me të tjerët, duke mbajtur disa dokumente në duar. Më pas, grupi ku dalloheshin tri gra, si dhe katër burra, nisën të akuzojnë grevistët se janë të organizuar nga Partia Demokratike, ndaj nuk bashkohen me ta. Kryetarja e grevës së urisë, Nertila Qafzezi, është munduar që t’i sqarojë se nën çadër ka vend për të gjithë ata që janë shkarkuar nga puna dhe se kauza e tyre është apolitike. “Do që të vish në grevë, eja, ta ndajmë krevatin bashkë”, i tha ajo njërës prej grave, e cila po ankohej se ishte shkarkuar nga Bashkia e Tiranës. Në bisedë u përfshinë shumë persona dhe më pas u bë e vështirë që të kuptoje se kush fliste më parë. Qafzezi i ftonte vazhdimisht që t’i bashkoheshin grevës, ndërsa grupi i vizitorëve i përmendte herë Lulzim Bashën, herë Partinë Demokratike dhe herë ish-SHQUP-in. “Unë nuk jam këtu për të mbrojtur Bashkinë e Tiranës apo SHQUP-in, apo të shaj Kryeministrin. Jam këtu vetëm për t’u rikthyer në punë. Është një kauzë e drejtë, kërkoj mbështetjen e të gjithë të larguarve, pa dallim… Ju lutem, unë kam kaq kohë që po të ftoj”, i tha Qafzezi njërit prej tyre, që pas verifikimeve rezulton se është Shaban Xhemali, ish-shef sektori i transportit ne ndërmarrjen nr 2, i larguar më 08.09.2011 nga kryetarja e Njësisë Bashkiake, Luzhiana Abazi. Situata ka arritur kulmin kur një tjetër vizitore, Lindita Ponari, as e kundërshtonte dhe as e pranonte ftesën e Qafzezit për të hyrë në grevë, por vetëm e shikonte, duke iu ankuar se edhe ajo është një e shkarkuar. “Po ti ke një orë që po më sheh, po na çon në pikën e fundit, pse na provokon. Pse provokon këtu ti… komuniste e qelbur…”, bërtiti fort Qafzezi dhe në moment iu turr ta kapte për flokësh. Gruaja bionde nxitoi që t’i largohet, por Qafzezi e ndoqi nga pas, pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur grevistët e tjerë. Ndërkaq, dikush i hodhi një kovë me ujë të gjithë grupit, duke i shpërndarë në drejtime të ndryshme. Ata u ribashkuan pak metra më tutje, ndërsa grevistët i kapi paniku, pasi njëri prej tyre, Artan Murrizi, ra përtokë pa ndjenja. Atëherë e gjithë vëmendja u kthye tek ai për pak çaste, derisa e ngjitën mbi një ambulancë. Më pas, Qafzezi deklaroi para mediave se “Një grup të larguarish nga puna donte që më takonin. Ata më akuzonin pse nuk kisha bërë thirrje që të bashkohen me ne. Unë kam 4 muaj që kërkoj të kthehem në punë, u bëj thirrje të gjithëve. Këta kërkojnë të drejtën nga unë. Ishte një provokim i hapur, pas bashkëbisedimit u bëra thirrje futuni në çadër, jo vetëm që nuk u bashkuan me ne, por na fyen në emër të politikës. Këta njerëz ishin pa humanizëm dhe dinjitet. Ky sot ishte një show dhe treguan që ishin pushuar nga puna nga Basha. I ftuam të futeshin në çadrat tona dhe ato nuk pranuan. Ato ishin për sulm politik”. Sipas saj, këta persona ishin pjesë e një skenari të Kryeministrit Rama, bënë akuza politike. “Ne presim reagim nga Kryeministri. Sot kemi njerëz që na afrohen dhe na provokojnë, bëjnë fyerje personale tepër të rënda”, theksoi Qafzezi, duke shtuar se grevistët po jetojnë vetëm me ujë dhe tritol.

Debati dje në çadrën e grevës së urisë
Njëra nga gratë (brune): Dhe ne jemi të larguar nga Bashkia e Tiranës. Unë kam qenë specialiste në drejtorinë e Auditimit në Bashkinë e Tiranës që në vitin 2011. Kam marrë vendimin e gjykatës në 2012…
Nertila Qafzezi: Do që të vish në grevë, eja, ta ndajmë krevatin bashkë.
Brunia sërish: Bashkia e Tiranës më shkarkoi…
Nertila Qafzezi: Unë nuk jam për të mbrojtur Bashkinë e Tiranës apo SHQUP-in, apo të shaj Kryeministrin. Jam këtu vetëm për t’u rikthyer në punë. Është një kauzë e drejtë, kërkoj mbështetjen e të gjithë të larguarve, pa dallim. Është kauza më e madhe që është ngritur në të gjithë Shqipërinë
Shaban Xhemali: Po shoh se jeni vetëm këta të larguarit nga puna tre muajt e fundit dhe nuk u keni bërë thirrje atyre që janë larguar ndër vite, me nga 7 vite e 12 vite larguar.
Nertila Qafzezi: Ju lutem, unë kam kaq kohë që ftoj…
Shaban Xhemali: Problemi është se kush do ma lirojë mua vendin e punës që të rikthehem…
Nertila Qafzezi: Këtë problem zgjidheni ju, zotëri.
Shaban Xhemali: Do të shkoj te Lulzim Basha.
Nertila Qafzezi: Patjetër, shko!
Shaban Xhemali: Do të shkoj te Lulzim Basha (përsërit disa herë).
Nertila Qafzezi: A të ka hequr Lulzim Basha, shko kërkoja atij. Mua më ka hequr Edi Rama, këtij ia kërkoj punën.
Lindita Ponari: Jemi të gjithë me vendime gjykatash.
Nertila Qafzezi: Hyr në çadër, hyr aty, urdhëro. Hajde, hyr në çadër.
Lindita Ponari: Jam pushuar në vitin 2011…
(Dikush nga grupi ironizon grevën, duke i quajtur “të përdorur” nga PD).
Nertila Qafzezi-Lindita Ponarit: Po ti ke një orë që po më sheh, po na çon në pikën e fundit, pse na provokon. Pse provokon këtu ti…(tenton ta godasë, të tjerët ndërhyjnë)
Gladiola Bardhoshi (greviste): Nertila, qetësohu!
Agron Dervishi (grevist): Mos bjer pre e provokimeve, qetësohu!
Nertila Qafzezi: Po ajo po na çon në pikën e fundit, shiko si jemi bërë, çfarë do që provokon (grevistët e ndalin duke e kapur për krahësh). Komuniste e qelbur… 

Lindita Ponari, në  pranga për pasaportën false të Altin Arapit
Njëra nga femrat që shkoi dje pranë çadrave të grevës së urisë kundër shkarkimeve në administratë dhe që për pak u shpëtoi duarve të Nertila Qafzezit, quhet Lindita Ponari. Për ata që e panë në media, Lindita ishte ajo biondja e veshur me bluzë të stilit “tigër”. Sipas verifikimeve pranë Bashkisë së Tiranës, ajo ka punuar në Ndërmarrjen nr.2 për 6 muaj, me kontratë të pjesshme, për t’u larguar me motivacionin “Ristrukturim”. Ponari mësohet se ka punuar në Tatime për pak kohë, ndërsa një periudhë gati 4-vjeçare ka qenë përgjegjëse e zyrës së gjendjes civile në Kamzë. Gjatë kësaj kohe, në vitin 2002-2003, ajo u akuzua dhe u prangos për falsifikim dokumentesh dhe nxjerrje të pasaportës false për Altin Arapin, nën identitetin e rremë Petrit Bejzade. Arapi është eksponenti i të akuzuarve të organizatës terroriste “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Ka qenë pikërisht certifikata e nxjerrë nga Ponari që i ka shërbyer Arapit për të nxjerrë pasaportën e re në Tiranë. Për konfirmimin e Lindita Ponarit si i njëjti person, si pjesë e grupit të djeshëm që provokuan grevistët dhe si ish-përgjegjëse e zyrës së gjendjes civile, gazeta “Panorama” pyeti dy persona që kanë punuar me të. Konkretisht, Xhelal Mziu, kryetari aktual i Bashkisë Kamzë, që asokohe ka qenë drejtor finance po në këtë institucion, saktësoi për gazetën se “Po, Lindita Ponari është shkarkuar nga Bashkia Kamzë për falsifikim dokumentesh dhe ishte ajo që u përplas fizikisht me Qafzezin”. I njëjti konfirmim vjen edhe nga Arben Ibro, asokohe gjithashtu në personelin e Bashkisë Kamzë, si drejtor me marrëdhëniet me jashtë.  

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura