Prostitutat me nam në kohën e Zogut

Jun 30, 2014 | 15:04
SHPËRNDAJE

Grua me “sjellje të lira”, Shkodër, fundi i shek. XIX
Foto: Marubi
“Gra të përgjithshme”, historia e prostitucionit në Shqipëri.

Si u ligjërua prostitucioni me “Rregullores së Kurvënies”

Nga dashnoret e Mbretit tek çengijet e Tabakeve.

Sa më shumë t’i largohemi asaj periudhe kohore që jemi mësuar ta quajmë koha e Zogut, aq më shumë do të rritet kureshtja për mënyrën e jetesës së asaj kohe. Kohë që me siguri, për shkak edhe të largimit nga jeta të dëshmitarëve, pavarësisht dokumenteve, asnjëherë nuk ka për t’u zbardhur e gjitha. Sidoqoftë, gazetarët Fatos Baxhaku e Klodiana Kapo, referuar ligjeve e rregulloreve, raporteve të policisë, spiunëve, ankesave, kallëzimeve anonimeve e gjithë ç’është gjetur tjetër në Arkivin e Shtetit kanë realizuar librin “Gra të përgjithshme”. Nëse titulli nuk ju thotë gjë me të parën, dijeni që të tilla quheshin asokohe prostitutat. Janë pikërisht histori prostitucioni të periudhës së Zogut. Nëse sot asnjëri nuk i përgjigjet pyetjes “A duhet legalizuar prostitucioni?”, Ahmet Zogu e pat bërë këtë gjë që në fillimet e karrierës së tij politike. “E vetmja periudhë kur prostitucioni ishte i legalizuar në Shqipëri, nis me hapat e tij të parë në shtetin e brishtë shqiptar, që në 1922, kur ai sapo kishte zënë postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë Ypi… Histori çingijesh të lodhura, fate grash të huaja që zhduken po aq befas si kanë ardhur, zullume të dehurish, që ngatërronin portën e shtëpisë publike… Të gjitha këto përbëjnë thelbin e këtij libri, i cili ndokujt, dhe ndoshta me të drejtë, mund t’i duket disi i pazakontë. Një nga telashet e këtij libri ka qenë gjuha e përdorur në korrespondencën zyrtare të kohës dhe terminologjia shumë e ndryshueshme. “Kurvë”, “grua e përgjithshme”, “prostitutë”, “çingije”, “grua qejfi”, “grua e përdalë”, “bordello”, “kuplara”, “prostitucion”, “burdelizëm”, “shtëpi e përgjithshme”, “shtëpi publike”, “drejtori”, “pronari”, “i zoti i shtëpisë publike”, “burdeltari”; të gjithë këto terma ndeshen paralelisht thuajse në të njëjtën periudhë. Ndonëse sot ndonjë prej tyre mund të ketë konotacion të theksuar pezhorativ, ne i kemi lënë ashtu si janë përdorur asokohe, duke menduar se kështu e afrojmë më mirë këtë periudhë te lexuesi…”, thonë autorët, të cilëve ideja për të realizuar këtë libër u ka nisur tri vite më parë, atëherë kur në rubrikën “Exclusive” të Top Channel u transmetua një reportazh me copëza të historisë së prostitucionit te ne, e realizuar nga Klodiana Kapo. Nxjerrë në treg vetëm dje nga shtëpia botuese “Dituria”, ky libër do t’ju njohë me siguri me fate grash e të vërteta, që mendoni se ekzistojnë vetëm këto 20 vitet e fundit. Sidomos nëse jeni ende në të ’30-at. Më poshtë po ju shkëpusim një fragment nga libri, atë kur Zogu ende nuk ishte bërë Mbret i shqiptarëve, dhe ishte i dhënë pas këtyre grave, po aq sa edhe ata për të cilën e legalizoi këtë gjë në Shqipëri…

Fragment nga libri
Femrat dhe beqari Ahmet Zogu
Legjenda, asnjëherë e përgënjeshtruar zyrtarisht, thotë se Ahmet Zogu që në adoleshencën e tij kishte bërë një betim: ai nuk do të martohej kurrë. Këtë e kishte thënë në kohën kur nuk i shkonte aspak mendja të bëhej mbret. Përgjatë mbretërimit të tij e më vonë, rrëfehej se Ahmeti i ri dikur na paska shtënë dashuri me një vajzë shumë të bukur. Thuhej me më të bukurën e atyre anëve. Dashuri asokohe i thoshin një shikimi të ndrojtur shkëmbyer në anë të një pusi a poshtë një ulliri, përgjatë një shtegu ku shkëmbeheshin karvanët e kuajve. Sido që të jetë, djaloshi  që do bëhej më pas mbret, nuk e zgjati shumë dhe u interesua për vajzën. Ai duhet të jetë trishtuar shumë kur një prej trimave të tij, më i vjetri thonë, i tregoi se vajza ku i kishin shkuar sytë nuk ishte as më shumë e as më pak sesa vetë e bija e gjakësit të tij më të egër. Zogu nuk është dorëzuar. I dërgoi fjalë armikut të tij se është gati që të falë gjaqet dhe të nisë një periudhë tjetër… mes dy fiseve. “Paqja dhe jo gjaku, miqësia dhe jo urrejtja, hareja dhe jo morti do të rrethojnë paskëtaj dy fiset tona. Sidomos nëse ju pranoni që unë të jem bashkëshorti i vajzës suaj, të cilën e dua më shumë se çdo gjë në botë”, thuhet të ketë thënë djaloshi Zogu. Përgjigjja ka ardhur e menjëhershme, e vrullshme, njësoj si një lëmsh i përgjakur, që zbret nga ndonjë mal i lartë. Në vend të përgjigjes pozitive, Ahmeti gjeti në pragun e portës së vjetër trupin pa jetë të vajzës dhe një shënim: “Tani po, tani mund ta marrësh për nuse!”. Babai kishte preferuar ta vriste vajzën me dorën e vet sesa t’ia jepte atë Zogollëve, gjakësve të vjetër.
Më 1923, Ahmet Zogu nuk kishte më kohë të merrej me histori apo legjenda të vjetra dashurore. Asokohe atij i duhej e gjithë mbështetja e mundshme që të realizonte ëndrrën, të cilën tashmë e kishte fare të qartë në kokë: ngjitjen drejt pushtetit absolut. Pikërisht në këtë kohë ai u fejua me të bijën e Shefqet bej Vërlacit nga Elbasani. Vërlacët ishin nga çifligarët më të fuqishëm në vend. Menjëherë pas fejesës, Zogu mori nga vjehrri i tij votat e të gjithë pasuesve të “Beut”. Po kështu vjehrri, asokohe shumë i dashur me dhëndrin, i likuidoi Zogut një borxh prej 18 mijë paundësh të asaj kohe. Gjithsesi kjo fejesë nuk pati jetë të gjatë. Ajo nisi të shkërmoqej pak nga pak, sa më shumë Ahmet Zogu ngjiste shkallët e pushtetit. Deri sa u shua fare. Kur Zogu u rikthye triumfator në Tiranë në janarin e 1925, ai ia ktheu paratë të vjehrrit. Më 1927 fejesa u prish përfundimisht dhe atij iu shtua edhe një armik i fortë.
**

Shkodër 1914, festë e ushtarakëve ndërkombëtarë
Foto: Suljoti
“Aty nga ora nëntë e darkës mbërriti Francy e lyer dhe e parfumuar, e gatshme për të konkurruar me gjithfarësoj Messalinash. Jam më se i bindur që Kleopatra apo Pompaduri jo vetëm që do të kishin lënë mendtë pas arturinave të saj, por edhe do t’ia kishin zili atë shtat të hajthshëm. Veshjet e asaj femre nuk kishin as edhe një herë të vetme kurrfarë ceni dhe doemos që përgatiteshin nga rrobaqepësit më të mirë të Europës. Portreti i saj ishte i bukur, por aspak interesant. Në të pasqyrohej injoranca dhe prejardhja e saj. Francy ishte e bija e një edukatoreje kopshti, diku në rrethinat e Vjenës dhe kishte vetëm tri klasë shkollë që qenë të detyrueshme. Ajo kishte pas qenë kërcimtare kabareje në provincë kur qe takuar me Zogun në Beograd, pak muaj para se ai të shtinte sërish në dorë Shqipërinë.
Zogu tregohej jashtëzakonisht bujar me Francyn. Ishte një periudhë kohe kur Zogu jetonte ku rafsha mos u vrafsha. Dhe e vërteta është se jo vetëm me Francyn, por edhe me gjithkënd tjetër ai ishte jashtëzakonisht bujar. Francy ishte nga ata të paktë persona që dinte si ta merrte me të mirë Zogun dhe s’kam pikën e dyshimit që në atë kohë Zogu ishte i dashuruar marrëzisht pas saj. Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe, ngaqë Zogu nuk shihte femër me sy për javë e muaj të tërë, me përjashtim të grave të shtëpisë. Gjatë kohës që ishte Kryeministër, por edhe më mbas, Zogu nuk dilte kurrë nga shtëpia, duke qenë se në llogarinë e tij personale kishte depozituar ca qindra gjakmarrje. Kësodore Francy ishte për të gjithçka”.
Radhët e mësipërme janë shkruar nga Çatin Saraçi, një dendi shkodran, nga një familje shumë e pasur. Nga njeriu që bënte punët e errëta të Zogut: misione delikate diplomatike, financime nga jashtë, pazare nafte, komplote për të ndjekur disidentët politikë, ish-ambasador i tij në Londër. Deri sa Zogu u largua nga Shqipëria, Saraçi ishte njeriu më i besuar i tij. Pastaj, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, për një borxh të papaguar, u shndërrua në armikun dhe akuzuesin më të egër të Zogut. Saraçi vdiq në Londër, ku jetoi deri në fund të jetës si piktor. La pas një dorëshkrim të hartuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, i cili në shqip është botuar më 2006.
Zogu e kishte vendosur austriaken Franciska (Francy) në një shtëpi ngjitur me pallatin e tij. Ajo mund të dilte vetëm natën dhe ndonjëherë mund të shkonte edhe në vilën e Durrësit. Prania e saj mbahej shumë e fshehtë, sidomos nga Nëna Mbretëreshë, e cila nuk mund të toleronte kurrë që i biri mbret të mbante një të dashur. Gjithsesi në Vjenë, më 1931, Zogu e lejoi Francisken që ta shoqëronte edhe në publik. Më pas duhet të jetë penduar, sepse faqet e shtypit vjenez u mbushën sakaq me lajme nga ky çift i rrallë. Në fund të vitit 1934, Franciska u largua shumë e pasur nga Shqipëria. Asaj iu dha titulli konteshë dhe një goxha vilë në Vjenë. “Ditën që mbërriti në Tiranë, Francy kishte me vete dy valixhe të vogla… kur u largua nga Shqipëria e shoqëronin dy kamionë ushtarakë plot me baule të mbushura cit me sende luksi e veshje fringo të reja”, shkruan Saraçi miku-armik.
Por Francy duket se nuk ka qenë aventura e vetme. Në maj të  1934-s, baronesha Dorothes de Ropp u gjend e vdekur në një dhomë hoteli në Athinë. Versioni zyrtar ishte vetëvrasja. Baronesha kishte lindur në Gjermani dhe më pas ishte martuar me një aristokrat rus në Riga. Pas Revolucionit të Tetorit ishte larguar bashkë me të shoqin në Perëndim. Më 1920 ishte ndarë nga i shoqi dhe bënte një jetë gjithnjë në lëvizje. E quajtur më vonë edhe si “Mata Hari e Ballkanit”, ajo punoi për Zbulimet italiane dhe jugosllave dhe për pak kohë edhe për sovjetikët. Në qershor të vitit 1933 qëndroi për disa kohë në Shqipëri, ku pati një aventurë me Mbretin Zog, ndërkohë ishte edhe e dashura e deklaruar e Masar beut, asokohe përgjegjës i ceremonialit të Oborrit Mbretëror. Një vit më vonë, Masar beu u caktua ambasador në Athinë. Baronesha e ndoqi nga pas. Në letrën e saj të lamtumirës, pranë së cilës kishte lënë edhe disa foto të Ahmet Zogut, njëra prej të cilave ishte nënshkruar nga dora e vetë Mbretit, ajo shpjegonte arsyet e vetëvrasjes. Një nga zbulimet e huaja, me sa duket rusët që ajo i kishte braktisur, kishte njoftuar Masarin për aktivitetin e saj prej spiuneje kundër Shqipërisë. Masari e kishte braktisur duke e lënë të vetme dhe pa asnjë kacidhe në xhep, kështu që baronesha ia kishte hequr vetes.   
Telashet dashurore të Naltmadhnisë bënë që këshilltarët ta rrisnin presionin për një martesë të mundshme të Mbretit. Nevoja për një princ trashëgimtar sa vinte e po bëhej më e ndjeshme. Zogut iu mbush mendja. Pas refuzimit gati përbuzës të Musolinit që të martohej me një nga vajzat e Viktor Emanuelit III dhe pas disa kontaktesh të pasuksesshme nëpër Europë, më në fund, në mbarim të vitit 1937 në Shqipëri u shfaq kontesha Geraldina Apponyi, e famshme për bukurinë e saj, aq sa e kishin quajtur edhe “Trëndafili i Bardhë” i Hungarisë. Ata u martuan më 27 prill 1938. Deri sa vdiq, “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë” nuk reshti së përsërituri se “me Ahmetin jena dashtë qysh në takimin e parë. Ka pas kenë nji dashuni e vërtetë”.  

Brraka 1928, shtëpia e re e çengive
Çengitë e hedhura, llafelëshuara, gjithnjë me dajren në një dorë dhe cigaren në dorën tjetër, me brekushet e tyre të gjera plot ngjyra, që mbërrinin deri mbi nallanet e drunjta ku fusnin këmbët thuajse dimër-verë të zbathura, ishin gjithnjë një “ferrë në këmbë” për xhandarë e policë. Qenia e tyre jetë e mot e lirë, i kishte bërë që të mos kishin edhe aq shumë frikë nga ligji. Pastaj shumë prej tyre dinin vetë se si ta kishin grurë me policët e lagjes, kryesisht njerëz të porsaardhur nga malet dhe fort të etur për atë të shkretë “plaçkë”, sikurse e quanin ato vetë.
Ka shumë shkresa kur përmendet telashi që ato shkaktonin, sidomos në kryeqytet ku ishin edhe më shumë. Në Tiranë ato ishin më së shumti në lagjen “Tabakë”, atje ku edhe sot është ura dhe xhamia me të njëjtin emër, por kishte edhe gjetkë. Përmendet edhe një “lagja e Jevgut”, por sot nuk dimë të themi nëse ishte një lagje më vete, apo një emërtim tjetër për atë të Tabakëve.
Që një vit para daljes së “Rregullores së Kurvënies”, në janar të 1921, nënprefekti i Tiranës i shkruante me shqetësim “Së ndershmes Ministrië të Mbrendshme”: “Mbas raportit të Policisë… lajmojm se, mbasi jevgat kurva banojn në shumë lagje e mbasi nuk mund me qenë të vizitueme prej doktorash preise ndodhen në një pozicion të parregullshëm, jo vetëm që sëmundje të mëdha e të rrezikëshme po përhapen në popull e ushtrië, por edhe po ndodhin ngjarje të shëmtueta nër shpiat e atyne grave. Për shembull, me 6 të këtij mueji, natën, ora më 11, në Lagjen e Jevgut aspirant Z.Rexhep asht shamatue me nji kapter të Dishiplinës, i quejtun Z.Hasan e kan nxjerrë revolverat njani kundër tjetrit.
Pra, për me iu marë hovin këtyne ngjarjeve e sëmundjeve, lutemi të merren masat e nevojshme për mbledhjen e kurvave në nji vend të vetëm me qëllim që të rregullohet vizitimi i tyne, se, përndryshe, sëmundja do të përhapet e kontrollimi nga ana e Policisë s’ka me u ba si duhet”.
“E Ndershmja Ministri” përgjigjet sakaq se propozimi i Tiranës pranohet, madje duhet të fillojnë të lëvizin sa më parë. Por urdhri, si përherë, mbeti vetëm në letër.
Viti 1928 duhet të ketë qenë i shënuar për çengitë, jo vetëm që, si të gjithë shqiptarët, u bënë me Mbret – më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu u shpall Zogu I, Mbret i Shqiptarëve – por edhe sepse ishin nga të paktat që “ia panë hajrin” kësaj ngjarjeje: u bënë me shtëpi të reja. Ja si ndodhi. Sikurse e thamë, në lagjen Tabakë kishte një grumbullim shumë të madh çengish. Kjo lagje ishte fare afër me Pallatin Mbretëror, sot selia e Akademisë së Shkencave në krah të Kuvendit Popullor. Mbretëria e re kishte nevojë edhe për një “look” të ri, më perëndimor. Çengitë që sorollateshin ditën e bënin aheng natën në afërsi të mbretit, duket se kishin nisur të bezdisnin ca si tepër, ato ishin lidhja më e dukshme mes Shqipërisë moderne dhe Anadollit që duhej lënë pas sa më parë. Kështu lindi ideja për shpërnguljen e tyre. Por Mbreti vetë sigurisht që nuk mund të merrej me të tilla “çikërrima”. Atëherë, zyrtarisht nismën për këtë hap e mori Selahudin Blloshmi, prefekt i Tiranës. Ky i shkruante “Zyrës Sekrete” ditën e parë të dhjetorit të 1928, në muajin e katërt të Mbretërisë: “… meret vesht se në lagjen e Tabakve, m’atë anë të ndërtesës asaj Ministrie (të Brendëshme), janë grumbullue nji tok gra publike të cilat herë mbas here shkaktojnë grindje dhe shamatë me klientët e tyne të dehun e kështu Policia kërkon autorizim për ngritjen e tyne s’andejmi.
Gjejmë rastin të sjellim në dije atë të ndershmen Ministrie se grumbullimi i grave publike n’atë lagje dhe përgjithësisht i jevgave asht nji gjendje tepër e vështirë e sidomos tue u ndodhun afër Pallatit Mbretnor dhe ndërtesës së asaj Ministrie. Nga ana jonë e shofim tepër t’arësyeshme që të na jepet autorizim’ i nevojshëm jo vetëm për shpërnguljen e grave në fjalë por për të gjith jevgjëve, por gjithnji tue marrë masat nga an’e Bashkis vëndit për t’u siguruar strehën në një qoshe tjetër larg qytetit…”. Letra e Blloshmit, ia vlen që të ndalemi ca më gjatë. Më e para nga të gjitha, Blloshmi e ka fare të qartë se nuk duhen larguar vetëm çengitë, “por të gjithë jevgjit” me kuç e me maç, me pleq e plaka, me çiliminj, me burra me mustaqe, me tenxhere, kazanë, qilima të grisur, të gjithë. Shkresa fsheh një qëndrim racist ndaj kësaj popullsie, qëndrim që asokohe mbahej hapur jo vetëm nga shtresat e pasura, por edhe nga pjesa tjetër, shtresa e mesme apo gjysmë e mesme e qyteteve.
Pastaj Blloshmi shkruan “në një qoshe larg qytetit”. Tani habitemi se sa “larg qytetit” është sot kjo qoshe, por asokohe ajo ishte vërtet një vend i humbur. Kjo zonë ishte Brraka. Kështu i thoshin tiranasit autoktonë një zone gjysmë kënetore ku një përrua, Brraka, bënte kërdinë sa herë që binin shira të rrëmbyer. Ajo ishte e mbuluar gjithë ferra e shkure, njësoj si një xhungël e pakalueshme mesdhetare. Në vendin që sot quhet Brraka, kalon një rrugë goxha e populluar e kryeqytetit. Ajo lidh Rrugën e Durrësit me Bulevardin Zog I. Në të ndodhet Prokuroria e Tiranës. Në afërsi të saj ishte stacioni i trenit, është Arkivi i Shtetit dhe Arkivi i Ministrisë së Brendshme, në krah të saj është Fakulteti i Shkencave të Natyrës e ca më tej Materniteti i Vjetër. Kështu ka lindur lagja e Brrakës, një nga më të njohurat e Tiranës së sotme.
Vetëm dhjetë ditë pas shkresës së Blloshmit, “Zyra Sekrete” e lajmëronte prefektin se për zhvendosjen tashmë i ishte akorduar Bashkisë së Tiranës një hua prej 150 mijë frangash ari. Një shumë kolosale për kohën. Në shkurt nisën shpronësimet në lagjen e vjetër të Tabakëve, ndërsa nga fillimi i verës së vitit 1928 në Brrakë nisën të ngrihen shtëpitë e para përdhese të çengive. Shumë prej tyre i qëndruan kohës për dekada e dekada me radhë, deri në fund të periudhës komuniste. Në trishtimin dhe mjerimin e tyre ato mbetën gjatë atje, duke parë se si afrohej drejt tyre, si një gjigant i përgjumur, “Tirona” që e kishin dashur, ku kishin hedhur valle, pirë raki e bërë seks me pash. Kryeqyteti, kodoshi plak, nuk i kishte harruar aspak.  

“Jam një plakë e vjetër”
Ato të tria, Caja e Vakut, Fizja e Mimit të Vogël dhe Fahrija e Sefës duhet të kenë shkuar bashkë tek avokati atë mëngjes marsi të vitit 1922. Të tria çengi më famë “n’Tironë”, të tria nga lagjja Tabakë, të tria me nga një hall të ndryshëm, por të ngjashëm. Disa ditë më parë policët kishin trokitur derë më derë duke ia dreqosur gjumin e thellë të mëngjesit, që atyre u pëlqente aq shumë. “Duhet të shkoni në bashki që të regjistroheni, pastaj dy herë në javë te doktori për vizitë dhe do paguani taksën, përndryshe ju presin këto”, kishte lëmuar lehtë një polic mustaqelli një palë pranga të rënda. Kërkesat që kanë mbërritur nga tri çengitë deri në Ministrinë e Brendshme mbajnë një datë, 8 mars 1922, vetëm dy muaj pas miratimit të “Rregullores së Kurvënies”. Caja, që ende mbahej mirë shyqyr Zotit, kërkonte vetëm të regjistrohej si gjithë të tjerat e të mos kishte telashe më mbrapa. Fizja kërkonte pikërisht të kundërtën, që të çregjistrohej. Asaj tashmë i kishte ikur mosha, këtë e dinte gjithë “dynjoja”, kështu që edhe po t’i shkonte ndonjëherë mendja… Hallin më të madh e kishte Fahrija. Kjo e kishte vajzën në burg. E kishin ndaluar me akuzën se ushtronte prostitucion të paligjshëm. Në lutjen e saj, Fahrija e shkretë betohet se që prej asaj dite vajza, që në lagje njihej si Nazja e Fahries, nuk do të bënte më zullume, por do bënte si do bënte e do gjente punë diku si shërbyese. Pastaj, si do ta festonte ajo Bajramin pa Nazen e saj si shpirt?!
Jeta e prostitutave ka qenë një gjë fort e ngatërruar, një përzierje mes haresë, lirisë, mëshirës, dhunës, mirësisë, ngjethjes dhe krenarisë, trishtimit, vetmisë, ngjyrave dhe errësirës. Por fundi i tyre është i trishtë, vetëm i trishtë. I ngadaltë, i pashmangshëm e i rëndë, njësoj si një rul që sheshon çfarëdo që i del para. Dhe, edhe për fundin e tyre ato sërish duhet t’i jepnin llogari bashkudhëtarit të tyre më të afërt, shtetit.
Kjo është letra e përulur që Dilja e Xexes nga lagjja Xhamia e Sherifit në Tiranë i shkruan prefekturës – sigurisht me dorën e dikujt tjetër – më 24 të gushtit 1926:
“Zotni! E nënshkrumja jam një plakë e vjetër, ma parë kam qenë në grupin e çengijevet, po masi u vjetrushë e deri në kohën kur qe ushtrija Austro-Ungareze këtu, kam hjekë dorë prej atyne punve qi shkaktojnë vizitë. Una deri më at kohë ndodhem në shtëpinë aty puq me dajën t’em, merrem me punë vetiake, e nuk jam prej grave të përgjithëshme.
Prandej ju lutem Z.juej të keni mirësinë të urdhënoni si të bahen ndjekjet e duhuna të çrregjistrohem nga lista e grave të përgjithëshme e qi mos të merrem në vizitë”.
Shpesh ishte halli ai që i bënte çengitë ta braktisnin profesionin e tyre të hareshëm. Në verën e vitit 1922 Kaja e Xhejes në lagjen Tabakë punonte shumë që të rriste vajzën e saj të vogël. Por vajza po vuante nga një sëmundje e pashpjegueshme dhe sa vinte e tretej para syve të përlotur të Kajes ende të re. Kishte shumë kohë pa dalë andej “nga puna”, por policët i binin ende në qafë. E kishte zënë një hall i madh, nga një anë vajza që po i shuhej para syve dhe, nga ana tjetër policët e bezdisur. Vetëm pas “hetimeve të bazueme” policia pranoi se “Kaja e Xhejes me të vërtetë paskësh në shtëpi të saj një gocë të vogël të sëmurë dhe, përveç së jëmës, që quhet Xheje, askush tjetër në shtëpi nuk mund të merret me gocën e sëmurë”. Kaja u detyrua ta lërë zanatin para kohe.
Qëllonte që ndonjë prej prostitutave të haste njeriun e duhur. Kështu i ndodhi Angjelina K. nga Sarajeva, e cila u martua me këpucarin Emin L. nga Tirana. Në maj të 1932 policia e hasi diku ndër shkresat e saj dhe i kërkoi lejen e ushtrimit të profesionit, përndryshe do të dëbohej menjëherë jashtë Shqipërisë. Këpucari i dashuruar vrapoi vërtik t’i shpjegonte prefekturës: “Kam katër vjet që jam martuar me të dhe që asokohe ajo është larguar nga rruga e keqe. Madje ka ndërmend të marrë edhe nënshtetësinë shqiptare. Emri që ka mbetur në regjistrin e grave publike është një gjë tashmë e harruar”. Lutja e këpucarit Emin, pak si me habi, por gjithsesi u mor parasysh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura