Propozimi i Ahmetajt/ Rivlerësimi i shtëpive, qeveria shtyn 3 muaj afatin

Feb 4, 2017 | 12:45
SHPËRNDAJE

Qytetarët që kërkojnë të rivlerësojnë shtëpitë, apo tokën e tyre me taksën 2 për qind, kanë afat deri më 31 maj të paraqiten në zyrat e hipotekave. Qeveria miratoi dje ndryshimet e ligjit për rivlerësimin e shtëpive, duke zgjatur edhe 3 muaj afatin e amnistisë së shtëpive.

rama-qeveri

Ndryshimet në ligj për zgjatjen e efekteve të zbatimit të procesit të rivlerësimit u propozuan nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Në ligjin e mëparshëm, i cili u miratua në shtator, parashikohej që afati i rivlerësimit të shtëpive me taksë 2 për qind të zgjaste deri më 28 shkurt. Arsyeja e shtyrjes së afatit të rivlerësimit, sipas Ministrisë së Financave, është shtimi i kërkesave për aplikim që kanë kryer qytetarët.

Të dhënat zyrtare që jep Zyra e Përgjithshme e Regjistrimit të Pasurive është që deri në fund të muajit janar kanë aplikuar 27 mijë qytetarë, ku për 22 mijë aplikime ka përfunduar trajtimi i plotë i tyre.

ahmetaj

Me ndryshimet e afatit, qeveria kërkon t’u japë kohë edhe atyre qytetarëve që kanë shprehur interesimin për aplikim. Sipas ligjit, rivlerësimi mund të bëhet në zyrat e hipotekave në bazë të çmimeve fiskale apo në një rivlerësues privat të licencuar bazuar mbi çmimet private të tregut, por jo më të ulëta se çmimet fiskale të qeverisë.

Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive po përdorin çmimet e reja fiskale të miratuara më herët nga qeveria. Për Tiranën, çmimet u rritën në 5 zona kadastrale, në 4 të tjera u ulën, ndërsa mbeten të pandryshuara në 23 të tjera. Më të penalizuar në këtë rast janë qytetarët, që banojnë në ato 5 zona ku çmimet u rritën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura