Prokuroria: Vrasja e Aurel Zenkës për borxhin në Itali

Apr 30, 2014 | 13:59
SHPËRNDAJE

Agron Goxhaj sot në gjyq
Konflikti i ndodhur mbrëmjen e së premtes, javën e kaluar te shkolla “Ali Demi” në Tiranë, ku u vra biznesmeni Aurel Zenka, ka pasur si motiv prishjen e një pazari jashtë Shqipërisë.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, ngjarja lidhet me një borxh të papaguar nga shtetasi A.M. për personin nën hetim Edison Kajtazi, gjatë kohës që ata kanë qenë në Itali. Dje Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për pesë të arrestuarit e akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të biznesmenit Zenka. Të dyshuarit Agron Goxhaj, Artan Hasani, Enton Ibrahimi, Alket Halitaj, si dhe i akuzuari për “përkrahje të autorit të krimit”, Andi Veshi, u paraqitën njëri pas tjetrit para gjyqtarit të gatshëm, Julian Haxhiu. Burime brenda seancave me dyer të mbyllua sqaruan se të dyshuarit kanë mohuar të jenë përfshirë në vrasjen e biznesmenit. Ata kanë pretenduar se ndodheshin rastësisht në vendin e ngjarjes dhe se nuk kishin konflikt me askënd. Sipas burimeve, ata ia kanë lënë të arrestuarit tjetër, Edison Kajtazi, “barrën” e autorësisë së vrasjes. Masa e sigurisë ndaj Edison Kajtazit pritet të zhvillohet sot në Gjykatën e Tiranës.
NGJARJA SIPAS PROKURORISË
Sipas dosjes së Prokurorisë, mbrëmjen e së premtes, personat nën hetim Edison Kajtazi, Agron Goxhaj, Enton Ibrahimi, Artan Hasani dhe Alket Halitaj kanë pritur në vendin e quajtur “Tuneli” shtetasit Besnik Mancaku, viktimën Ariel Zanga etj., për t’u “sqaruar” lidhur me pjesën e borxhit që nuk i kishte kthyer shtetasi A.M. Fillimisht personi nën hetim, Besnik Mancaku, ka shkuar i vetëm dhe është takuar për të biseduar me Edison Kajtazin dhe personat e tjerë që e shoqëronin dhe pas tij ka shkuar edhe viktima me shtetasin Besnik Mancaku. Po sipas hetimeve, viktima Aurel, pasi ka shkuar te “Tuneli”, është ndjerë i fyer nga veprimet dhe fjalët e personit nën hetim Edison Kajtazi, që po bënte presion dhe që kishte ardhur i armatosur dhe ka tentuar t’i afrohej. Mancaku i është drejtuar viktimës Aurel Zenka që kishte armë në dorë dhe është kapur me të trup më trup. Referuar dosjes, në këtë moment është dëgjuar një zë nga personat e tjerë që ishin me Edison Kajtazin, që thoshte: “Gjuaji, gjuaji” dhe pas këtij momenti janë dëgjuar disa të shtëna arme zjarri. Kajtazi ka qëlluar drejt viktimës, ndërsa personat e tjerë që kanë gjuajtur me armë, nuk është përcaktuar se cilët kanë gjuajtur, apo në çfarë drejtimi kanë gjuajtur. Pasi kanë përfunduar të shtënat, grupi i personave që ishin bashkë me E.Kajtazi janë larguar me vrap mbas tunelit, në drejtim të Njësisë Bashkiake nga Tregu Elektrik, ndërsa viktima ka dalë nga tuneli, është afruar drejt shtetasit B. dhe ka rënë mbi trupin e tij. Fillimisht personi nën hetim B. Mancaku, ka shkuar drejt grupit të personave që u larguan me vrap, e mandej është kthyer te vendi ku ishte shtetasi B. me viktimën, i cili fillimisht reagonte, por pa folur ndonjë fjalë. Shtetasi B. së bashku me një shok të lagjes së tij kanë pritur ardhjen e ambulancës, por meqë ajo po vonohej, ata e kanë çuar viktimën në Spitalin Ushtarak me automjetin e personit nën hetim Mancaku.

Të arrestuarit
n Edison Kajtazi
I dyshuar për vrasjen

n Agron Goxhaj
I dënuar më parë për plagosje, i dyshuar për vrasjen

n Artan Hasani
42 vjeç, i dënuar më parë për krime ndaj jetës dhe prodhim e shitje municionesh luftarake, i dyshuar
për bashkëpunim

n Enton Sada (Ibrahimi)
I dënuar më parë për vrasje me paramendim, i dyshuar për bashkëpunim

n Alket Halitaj
I dyshuar për bashkëpunim

n Andi Veshi
I dyshuar për ndihmë ndaj autorëve

n Besnik Mancaku
I dyshuar për dëshmi të rreme

I dyshuari kryesor për ekzekutimin pranoi autorësinë e krimit në Durrës
Prokuroria kërkon “arrest me burg” për Edison Kajtazin

Viktima Aurel Zenka
TIRANE – Edison Kajtazi, i dyshuari kryesor për vrasjen e Aurel Zenkës, pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Prokuroria e Tiranës ditën e djeshme ka formuluar kërkesën për “arrest me burg” pa afat ndaj të dyshuarit për vrasjen e biznesmenit Aurel Zenka, pronar i një lokali nate në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ai u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit tri ditë më parë dhe pretendohet se ka pranuar autorësinë e krimit. Ndonëse burimet zyrtare thonë se Kajtazi ka mohuar përfshirjen e tij në vrasje, provat e siguruara nga hetimi duket se flasin ndryshe. Po kështu, dy ditë më parë, gazeta “Panorama” siguroi dëshminë e dhënë nga i dyshuari në Policinë e Durrësit menjëherë pas vetëdorëzimit. Sipas rrëfimit të dhënë në Polici, Edison Kajtazi ka pranuar kryerjen e krimit, duke pohuar se vrasja e Aurel Zenkës ka ndodhur me armën e vetë viktimës. Biznesmeni ka pasur një pistoletë me vete dhe në momentin e përballjes me të arrestuarit për krimin, mendohet se ka tentuar të qëllojë. Në këtë kohë, dyshohet se i arrestuari Edison Kajtazi ka ndërhyrë duke ia hequr armën nga dora. Në këtë moment besohet se biznesmeni është qëlluar me një plumb në kokë dhe dy të tjerë në qafë, duke gjetur vdekjen.    

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura