Prokuroria: Vrasësi u lirua para kohe, apelim çështjes

Jan 31, 2014 | 12:33
SHPËRNDAJE

Gjykata e Beratit
Lirimi i një të dënuari nga burgu përplas Gjykatën me Pro-kurorinë. Elis Zhulati u la i lirë dje nga Gjykata e Beratit, për kryerjen e një burgimi të padrejtë prej 4 vitesh e 3 muaj, pasi u deklarua i pafajshëm për një vrasje të ndodhur në këtë qytet në vitin 1999. Familjarët dhe avokati i tij prej kohësh kërkonin lirimin nga burgu të Zhulatit, derisa dje u vendos që ai të lërë qelitë e Burgut 302 në Tiranë. Historia e Zhulatit nis me një dënim ndaj tij për një vrasje të kryer në shtetin turk. Këtu ndodh dhe përplasja me Prokurorinë.
Sipas palës mbrojtëse, pranuar më pas nga Gjykata, Zhulati u dënua në Turqi me 12 vjet burg dhe 6 vjet më parë u lirua me kusht nga Drejtësia turke. Në këtë kohë ai u ekstradua në Shqipëri, pasi akuzohej për pjesëmarrje në një vrasje të kryer në Berat. Por pas shumë seancave gjyqësore ka rezultuar se ai nuk ka qenë pjesëmarrës në vrasje. Por, sipas Prokurorisë së Beratit, dënimi për vrasjen në Turqi nuk ka përfunduar. Sipas saj, është bërë llogaritje gabim me kohën e dënimit të Elis Zhulatit, duke deklaruar se do të bëjë apelimin pasi Zhulatit i takon dhe një vit burg. “Ky person arrestohet në Turqi, i dyshuar për një vrasje në atë vend dhe u dënua me 12 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Bakirkoy, Turqi. Por, ky vendim u pezullua dhe hetimet për këtë çështje vijuan në Turqi. Në kohën që ishte liruar dhe jetonte në Turqi, ndaj tij autoritetet shqiptare kishin nxjerrë urdhër-kërkimi ndërkombëtar, pasi akuzohej për vrasjen e vitit 1999 në Berat”, bën të ditur Prokuroria. Sipas njoftimit të saj, deklarohet se pasi Zhulati është ekstraduar nga autoritetet turke dhe në Berat po vijonin hetimet, ai ndodhej në paraburgim. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e Bakirkoy, Turqi, e dënon me 15 vjet burg këtë shtetas për vrasjen në këtë shtet (për atë ngjarje për të cilën e kishin dënuar Shkalla e Parë me 12 vjet dhe kishte vendosur pezullim).
Meqenëse ky shtetas gjendej në Shqipëri, në paraburgim për një vrasje të dyshuar në Berat, autoritetet turke kërkuan që dënimin ta kryente në vendlindje. Pasi iu bë njohja e dënimit, 15 vite burg iu konvertuan në 12 vite burgim në Shqipëri. Përsa i përket çështjes në Shqipëri, Zhulati mësohet se qëndroi dy vite në paraburgim dhe, me vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë, u shpall i pafajshëm (Gjykata e Shkallës së Parë Berat e kishte dënuar me 25 vjet). “Pasi fitoi pafajësinë ai kërkon lirimin, duke pretenduar se ka përfunduar dënimin për vrasjen në Turqi, madje është tejkaluar ky afat. Gjykata e Beratit ia ka pranuar këtë kërkesë, duke e konsideruar kohën që ka qëndruar në paraburgim për vrasjen e dyshuar në Shqipëri si kohë e vuajtjes së dënimit për veprën penale të vrasjes në Turqi. Sipas Prokurorisë, pas përllogaritjeve të bëra, Zhulatit i mbetet më shumë se një vit burg për të kryer, ndërkohë që për 2 vitet që është mbajtur në burg gjatë gjykimit të vrasjes ku fitoi pafajësinë, ai mund të kërkojë dëmshpërblim. Për lirimin para kohe, Prokuroria thotë se do të bëjë apelim për rikthimin në burg të Zhulatit.

BERAT/ DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura