Prokuroria nis verifikimet për pallatin e Linda Ramës

Jan 31, 2013 | 12:50
SHPËRNDAJE
Pallati i Linda Ramës

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar për verifikim kallëzimin penal të Bashkisë në lidhje me pallatin e familjes së Linda Bashës (Rama), gruas së kryetarit të PS, Edi Rama. Padia penale e Bashkisë mësohet se është në fazën e verifikimit paraprak nëse ka elemente të veprës penale apo jo. Materiali kallëzues nga Bashkia mësohet se ka mbërritur disa ditë më parë në organin e akuzës, ndërsa dosja i ka kaluar për shqyrtim Njësisë Task-Force Antikorrupsion kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Sipas grupit të hetimit, Prokuroria i ka bërë një kërkesë Bashkisë së Tiranës për plotësimin e kallëzimit me të dhëna shtesë. Kjo pasi padia e paraqitur përmbledh në mënyrë të përgjithshme shkeljet që sipas Bashkisë janë kryer me miratimin dhe dhënien e lejes së ndërtimit, ndërkohë që hetimi penal kërkon detajimin e pasojave ligjore e juridike. Në këtë mënyrë, Prokuroria i ka kërkuar Bashkisë material shtesë për të sqaruar njëra pas tjetrës pikat ligjore që pretendohet se janë shkelur me lejen e ndërtimit të dhënë për pallatin e familjes së Linda Bashës pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë. Kallëzimi penal nga ana e Bashkisë u paraqit pak ditë pasi Partia Demokratike publikoi foton e pallatit dhe ngriti akuza në lidhje me dhënien e lejes së ndërtimit nga Bashkia e Tiranës kur ajo drejtohej nga kreu i PS, Edi Rama. Pas akuzave të PD, Bashkia e Tiranës ka bërë padi penale në lidhje me godinën në rrugën “Qamil Guranjaku”. Në padi thuhet se “leja e ndërtimit për këtë pallat është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Në bazë të ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998 ‘Për urbanistikën’, neni 62, Këshilli i Rregullimit të Territorit nuk ka pasur të drejtë të miratojë asnjë ndërtim të përhershëm ose provizor, jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara”. Sipas kallëzimit, në rastin konkret në studim, hapësira mbi të cilën është dhënë leja ka qenë e përcaktuar shprehimisht në ligj si hapësirë ndërmjet blloqeve të ndërtuara të banesave dhe, si e tillë, kjo hapësirë ishte e përjashtuar nga çdo lloj ndërtimi. Nga ana e Bashkisë thuhet se më datë 27.12.2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ndryshoi projektin teknik të kësaj godine të miratuar në vitin 2006, duke e zgjeruar edhe më tej hapësirën e ndërtimit horizontalisht dhe vertikalisht, pa e shoqëruar me planimetrinë përkatëse, siç e kërkon ligji. Leja e ndërtimit objekt hetimi mban datën 21 mars 2006, ndërsa është rishikuar më 27.12.2008. Të dyja pretendohet se janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura