Projekti, skema si shmanget përmbytja në zonën e Shkodrës

Oct 31, 2011 | 12:06
SHPËRNDAJE
Nga permbytjet ne Shkoder

Thellimi i lumit Buna me 8 metra, në gjerësinë prej 200 metrash dhe shkurtimi i distancës nga 41 km në 25 km, mund të shpëtojë njëherë e mirë Shkodrën nga përmbytjet. Ideja është e specialistit 68-vjeçar Ismet Teli, i cili ka projekt konkret me një grup kolegësh që punojnë pranë Institutit të Cilësisë për Integrim. Me një përvojë gjysmëshekullore në detet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, ai ka qenë prezent gjatë përmbytjeve të vitit 2010, duke dhënë vullnetarisht ndihmën dhe këshillat për tërheqjen e ujit. Ende vullnetarisht vijon të tregojë për skemën e shpëtimit të zonave veriore, veçse për ta zbatuar atë duhen fonde. “Projekti që ju paraqes është një studim prej 8 muajsh, duke iu referuar të dhënave të fundit, por edhe duke i krahasuar me dekadat e kaluara. Kostoja totale shkon në 1 507 000 euro, ku përfshihet çdo gjë, madje edhe TVSH-ja e punimeve”, thekson Teli, i cili duket se ka një lidhje të veçantë me Veriun. Pavarësisht se jeton në Tiranë, ai ka prejardhje 300-vjeçare nga Shkodra. Një nostalgji që e shfaq shpesh gjatë bisedës, ndërsa vizioni i shkon deri te realizimi i një porti të thellë në Bunë, më të madhin në Ballkan. Një projekt, e dy punë…
Pretendoni se mund të shpëtoni njëherë e mirë Shkodrën dhe rrethinat e saj nga përmbytjet. Në ç’mënyrë?
Unë vetëm, jo. Por jemi një grup specialistësh nga Instituti për Cilësi dhe Integrim, që së bashku kemi bërë studimet, provat dhe jemi bindur se mund ta shpëtojmë njëherë e mirë Shkodrën nga përmbytjet, duke e thelluar, pastruar dhe duke shkurtuar distancën e lumit. Në këtë mënyrë, jo vetëm shmanget dalja e lumit nga shtrati, por do të krijohej edhe një port.
Port?!
Po, Buna jo vetëm që mund të thellohet, por edhe mundet të bëhet i mundur kalimi i anijeve për tregti e turizëm, siç ka qenë dikur. Minimumi i tabanit të Bunës i matur tani është 2m e 14 cm mbi nivelin e detit dhe kjo lejon idenë time për ta thelluar me 8 m, në gjerësi 200 m. Në qoftë se Buna shkon aty ku duam ne, e jo të devijojë, nga mbi 41 km që është, bëhet 25 km. Ajo përballon prurje mbi 5900 m3 ujë në sekondë, sepse aktualisht Buna ka katër starte, dhe duke i eliminuar, rritet shpejtësia. Me rezerva mund të përballojë deri në 7000 m3 ujë në sekondë.
Sa e sigurt është kjo?
Projektin e kam gati dhe të studiuar në taban. Unë e vërtetova tek Ura e Bunës dhe projekti im është më i madh, sepse siç ua thashë, synon thellimin në 8 m dhe këtë ma lejon Buna. Në Mesdhe ka tre lumenj: Nili, Danubi dhe Buna, ku Danubi vjen pas Bunës, ka gjatësi lundrimi, por jo aftësi lundrimi sa Buna. Kjo do sillte lundrimin e anijeve shumë të mëdha, deri 300 000 tonëshe dhe për këtë interesohet komuniteti europian. Europa e kërkon një pikë tranzite në Mesdhe, dhe kjo do të ishte Buna. Në 8 m ujë të Bunës do të hynin anije 8 000 tonëshe dhe porti do të ishte mjaft ekonomik dhe më i thelli në rajon.
A mundet dot Buna që të kthehet në një port kaq të madh?
Të dhënat historike vërtetojnë që liqeni dhe lumi Buna, duke qenë të lundrueshëm, sillnin dobi të madhe ekonomike dikur. Historiani Tit Livi shkruan se porti i Obotit ka 120 anije të punuara nga artizanët shkodranë e ulqinakë. Doriçeli, në shek XVI shkruan se portet e Shkodrës, Ulqinit e Vlorës mbizotërojnë Adriatikun dhe kanë 340 anije me rreth 4500 punonjës që lundronin në linjat Venedik – Raguzë (Dubrovnik). Është kjo Bunë që ka mbajtur atëherë gjithë këtë Adriatik.
Na tregoni me saktësi se ku duhet të ndërhyhet në Bunë për pastrim apo thellim të lumit?
Janë 10 pika kryesore ku duhet të ndërhyhet pa dragë për të bërë pastrim e thellim të lumit Buna, por 5 janë më kryesoret: në Zues, ku duhen larguar 2 808 000 m3 dhera, në Darragjat, përballë Shirqit, në Shirq dhe te pylli i Adës, ku ndërhyrja duhet bërë patjetër. Duhet eliminuar kjo sasi dheu, që në total është 3 880 000 m3. Po nuk u eliminua ky dhe, do të ketë përmbytje. Nuk kam nevojë për draga. Vetëm kjo ka një kosto prej 762 000 eurosh për të eliminuar këto dhera dhe Bunën e çojnë në 200m gjerësi, aty ku ka lindur.
Nëse thellohet Buna kaq shumë, a nuk është rreziku që uji i detit të hyjë më keq? Pra, është rreziku tjetër që mund të hyjë uji i detit në të…
Po të thellohet Buna edhe 8 metra, nuk hyn uji i detit në të. Sipas llogaritjeve të mia, liqeni pastrohet për 467 ditë pune, duke pastruar 1 040 000 m3 në ditë, duke punuar në dy faza: bregu dhe qendra e tij.
Kostoja në total për këtë projekt, sa mund të jetë?
Kjo ka një kosto 1 507 000 euro, duke përfshirë edhe anijen.
Një fond i konside-rueshëm,  gjithsesi…
Nga të gjithë projektet që janë paraqitur, kam informacione dhe jam i bindur që ky është më i liri. Por, më kryesorja është që projekti që po ju paraqes, është edhe ai që jep zgjidhjen përfundimtare për shpëtimin e Shkodrës. Për ta provuar këtë, unë mund t’i paraqes qeverisë edhe një projekt-provë për vetëm 3500 euro, si garanci. Megjithatë, unë vetë jam pensionist dhe as provat nuk mund t’i bëj dot nga xhepi im.
E keni bërë publik projektin tuaj pranë qeverisë?
E kam prezantuar këtë dhe ka njëfarë interesimi nga zëvendësministri i Mjedisit, Demeti, por nuk dihet si do shkojë kjo punë. Ndërkaq, kam dorëzuar projektin përkatës që në qershor, me shpresën që të miratohej gjatë verës dhe të niste menjëherë puna, pa filluar vjeshta me shirat e saj.
Nëse shirat fillojnë, ky projekt a mund të realizohet akoma?
Mund të realizohet sërish, por është më e vështirë. Po të kishte nisur puna që në verë, tani do të ishim drejt fundit. Ky është një projekt emergjent dhe çdo ditë që vonohet sjell pasoja. Eksperienca ime ndër vite me këtë lumë dhe matjet që kam bërë muajt e fundit, mund të shmangin përmbytjet, të disiplinojnë Bunën, si edhe të shtojnë sipërfaqen e tokës bujqësore.
Për çfarë eksperience e keni fjalës dhe në ç’mënyrë shtohet kjo sipërfaqe bujqësore?
Unë që fëmijë jam rritur me detin, lumin e liqenin e tij. Konkretisht për Bunën, po tregoj një episod. Në qershor të vitit 1981 jam ngarkuar nga Ministria e Transportit dhe flota tregtare ku punoja për të dërguar me anije një sondë në Han të Hotit. Kjo pasi atëherë studioheshin tri variante për hekurudhën që do të ndërtohej në drejtim të ish-Jugosllavisë. Ura e vjetër Bunës hapej atëherë dhe kam kaluar përmes lumit në liqen deri atje ku do të dërgohej sonda. Nga matjet e sondistëve dhe analiza e kampioneve rezultoi se tabani i liqenit është shtuf, ranë deti dhe konifere. Kjo se dikur liqeni ka qenë det, pastaj është quajtur këneta e Moraçës, më vonë nga interferimet është bërë liqen. Ky liqen na ka dhënë një bijë shumë të vlefshme, lumin Buna. Drini është bashkuar me Bunën, jo këtu ku është sot ky bashkim, por më tej, më 1856-n. Drini është lumi më i padisiplinuar, që e ka ndryshuar shtratin tri herë.
Po Buna, pse u padisiplinua si Drini?
Lumi Buna nuk mban 150 000 banorë, por sistemimi i saj është e llogaritur se shton me 30% prodhimin bujqësor në vend. Pra, shkurtimi i distancës nga 41 km në 25 km, paralelisht lë hapësirë për tokë bujqësore. Ndërkaq, liqeni e ka humbur volumin për shkak të një bari që është sjellë nga aluvionet, që sot shkon 5-6 m. Ky ka krijuar një rrjetë që pengon aluvionet që vijnë, duke mos i lënë të ikin, por të depozitohen në liqen. Në vitet 1970-1972 njëri nxori një makinë korrëse dhe korri barin e liqenit. Për këtë u dekorua me çmimin e “Republikës”, por në fakt u bë një krim i madh mbi liqenin e Shkodrës. Duke u korrur ky bar, bima mori zhvillim rrënjësor, nga rrënja, dhe doli edhe më shumë. Bari duhet shkulur për ta mbajtur liqenin së paku dhe 50 vjet ashtu siç është. Liqeni duhet pastruar me anije, pasi ka depozita nafte, hekura, trungje etj., që pengojnë aluvionet.
Një pastrim i tillë, a nuk “mbyt” faunën nënujore?
Disa thonë se bari i liqenit ushqen peshqit. Por ai është si karremi që për momentin të jep oksigjen dhe pastaj ta merr dyfish. Peshku në liqen është dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet nga gjuetia me korrent dhe rrethimi që pengon peshkun e vogël të rritet.

8 metra
Duhet të bëhet thellimi i Bunës, në mënyrë që të mos ketë më probleme në të ardhmen me përmbytjen. Kjo thellësi do të bënte që pranë lumit të ndërtohej edhe një port.

16 kilometra
Shkurtohet distanca e lumit Buna, sipas projektit të Ismet Telit. Eliminohen kthesat më të mëdha, ndërsa shtohet sipërfaqja e tokës së punueshme.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura