Projekti, regjistrim audio në çdo seancë gjyqësore

Mar 30, 2012 | 17:29
SHPËRNDAJE

LEZHE- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë është e para gjykatë në vend që është pajisur më sistemin e regjistrimit dixhital audio. Instalimi i sistemit është përuruar sot në prani të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, dhe ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi.

Me financimin e USAID-it si pjesë e Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) dhe në partneritet të ngushtë me qeverinë dhe gjyqësorin shqiptar, kjo shënon fillimin e zbatimit të një nisme të rëndësishme: instalimin e një teknologjie të re e të përparuar në gjykatat shqiptare e cila ndihmon që ato të jenë më të efektshme dhe më transparente.

Ky sistem, garanton procesverbale të sakta fjalë për fjalë të seancave gjyqësore dhe u jep fund përplasjeve lidhur me atë që u tha apo jo në sallën e gjyqit. Duke qenë se regjistrimet audio përfshihen si pjesë e dosjes së çështjes gjyqësore, ato mund të vihen në dispozicion të të gjithë të interesuarve, duke ndihmuar kështu në rritjen e aksesit të publikut në seancat gjyqësore. Duke pasur parasysh krijimin e rekordeve të pandryshueshme audio, teknologjia e regjistrimit audio ndikon dhe në një sjellje me më shumë profesionalizëm dhe etikë në sallat e gjyqit

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë është e para që po zbaton teknologjinë e regjistrimit audio në Shqipëri, ndërsa deri në fund të  vitit 2013 këtij sistemi do t’i gëzohen të gjitha gjykatat në vend.

Projekti i quajtur “USAID JuST”, ka filluar në tetor të vitit 2010, është një projekt pesëvjeçar i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura