Profesionet, si do vlerësohet provimi

Mar 31, 2011 | 13:40
SHPËRNDAJE

Vlerësim me pikë për të gjithë ata kandidatë që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit.Në rregulloren e botuar tashmë në fletoren zyrtare, përcaktohet edhe pragu i pikëve për të marrë notë kaluese. Kandidatët duhet të grumbullojnë më shumë se 50 pikë nga 100 të mundshme. Është detajuar edhe shkalla e vlerësimit për notat e tjera. Në të kundërt, duhet të rihapin sërish provimin. Në rregullore saktësohet edhe mënyra si do të aplikojnë kandidatët. Dosja e aplikimit duhet të dorëzohet brenda afateve që cakton ministria pranë urdhrave profesionalë. Pasi të kenë kryer praktikën pranë këtyre urdhrave, kandidatët do t’i nënshtrohen testimit në një fazë të dytë. Vlerësimi do të bëhet me pikë sipas një skeme të caktuar. “Provimi i shtetit do të sigurojë uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme. Pas përfundimit të këtij provimi, kandidatit i jepet titulli i profesionit”, – thuhet në rregullore. Këtij testimi do t’i nënshtrohen të gjithë ata  persona, të cilët janë diplomuar në vitin 2009 dhe këtë vit nuk e kanë ushtruar profesionin e tyre. Bëhet fjalë për studentët e  Mjekësisë, Farmacisë, Infermierisë, Fizioterapisë, Veterinerarisë, Arkitekturës, Inxhinierisë ose në ndonjë program tjetër studimi, që njihet si profesion i rregulluar me ligj. Ata do të kenë në dispozicion kohën e duhur për t’u përgatitur. Në dispozicion, Ministria e Arsimit do t’u japë edhe programet orientuese.
Regjistrimi
Kandidati regjistrohet në provimin e shtetit me shkrim dhe me gojë, menjëherë pas diplomimit, pranë urdhrit profesional përkatës. Kërkesa për regjistrim bëhet me shkrim. Kërkesa e shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar, dorëzohet deri më 15 shtator. Më pas, urdhrat profesionalë e dërgojnë atë pranë Ministrisë së Arsimit, brenda 15 ditëve nga përfundimi i regjistrimeve. “Pjesëmarrja në provimin e shtetit me shkrim dhe me gojë lejohet vetëm nëse kandidati ka marrë provimin e diplomës universitare”, – thuhet në rregullore. Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten një sërë dokumentesh, duke filluar nga karta identitetit e deri tek fatura e pagesës së provimit të shtetit. Tarifat e provimit vijnë në rritje për kandidatët, që e japin për të disatën herë provimin. Kështu, kush e jep për herë të parë këtë provim, paguan 30 000 lekë, kush e jep për herë të dytë, 50 000 lekë. Kandidatët kanë të drejtë ta japin deri në 5 herë provimin dhe për këtë radhë tarifa shkon jo pak, por plot 120.000 lekë. Ministria e Arsimit do të publikojë programet orientuese të provimit të shtetit 2 muaj para se të jepen provimet. “Provimi i shtetit me shkrim dhe me gojë kryhet në periudhën 15 tetor-15 nëntor. Kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë nëse ka kontestime për rezultatin. Kandidati paraqet ankesën me shkrim, pranë AKP-së, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve. Në rastet kur AKP-ja sugjeron rivlerësimin e rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit.

Dokumentet

Shkalla e vlerësimit:
Nota 10                 95-100 pikë.
Nota 9                  85-94 pikë.
Nota 8                  75-84 pikë.
Nota 7                  65-74 pikë.
Nota 6                  55-64 pikë.
Nota 5                  50-54 pikë.
Nota 4                 më pak se 50 pikë.

Kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkëngjiten dokumentet:

Formulari i aplikimit
Fotokopje e letërnjoftimit
Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare e kërkuar nga autoriteti kompetent për profesionin respekti
Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë
Dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (ose fotokopje e noterizuar e saj), e lëshuar nga UP-ja ose në mungesë të UP-së, nga autoriteti kompetent për kryerjen e praktikës, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja. Për kandidatët e programeve të studimeve në mjekësi, stomatologji, farmaci, infermieri, mami dhe fizioterapi kërkohet edhe dëshmia e kursit të ndihmës së shpejtë
Raporti mjeko-ligjor
Dëshmi penaliteti
Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
Fatura e pagesës për provimin e shtetit;
2 fotografi të formatit të pasaportës.
Dëftesa e shkollës së mesme, si do të shpërndahen duplikatat

MASH përcakton rregullat për të përfituar dublikatë për të gjitha personat që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe nuk disponojnë dëftesën e pjekurisë. Me një udhëzim të posaçëm janë detajuar të gjitha hapat që duhet të ndiqen për të përfituar këtë dokument sidomos për personat që jetojnë jashtë vendit. “Kërkuesi të depozitojë kërkesën në drejtorinë arsimore rajonale (DAR) ose zyrën arsimore(ZA) që mbulon shkollën ku kërkuesi ka përfunduar arsimin përkatës, për t’u pajisur me një dëftesë pjekurie (dublikatë)”, thuhet në udhëzimin e MASH. Më tej,  drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore përcjellin kërkesën tek shkolla e mesme. “Dëftesa e pjekurisë (dublikatë) të plotësohet nga drejtori i shkollës. DAR/ZA e legalizon sipas procedurave për dokumentacionin që destinohet jashtë shtetit dhe e dërgon në MASH. Kërkuesi duhet ta tërheqë dëftesën e pjekurisë (dublikatë) vetëm në MASH.”, thuhet në udhëzim. Në rast se shkolla ku kërkuesi ka përfunduar studimet është mbyllur, pas marrjes së kërkesës, DAR/ZA kryen verifikimin pranë institucionit ku mbahet dokumentacioni zyrtar i shkollës përkatëse. Bazuar në rezultatin e verifikimit, DAR/ZA plotëson dëftesën e pjekurisë (dublikatë) për kërkuesin, e cila firmoset dhe vuloset nga drejtori i DAR/ZA-së. Dëftesat e pjekurisë (dublikatë), përcaktuar në pikat që lëshohen sipas formatit standard të dëftesës së pjekurisë, me disa ndryshime.” Në faqen e parë, poshtë fjalëve “Dëftesë pjekurie”, të shkruhet “Dublikatë” me të njëjtën tip dhe përmasë germe. Në faqen e dytë, te kolona e lëndëve, të mos shkruhen lëndët, por këto të plotësohen me shkrim dore sipas planit mësimor të shkollës. Te kolona “Lëndët mësimore” të krijohen 30 rreshta për të përfshirë maksimumin e mundshëm të numrit të lëndëve për disa tipa shkollash”, thuhet në udhëzim.

 

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura