Profesionet e lira, kontributet do paguhen me pagë minimale

Feb 21, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Të vetëpunësuarit në profesionet e lira do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në bazë të vetëdeklarimit të pagës, e cila nuk duhet të jetë më e ulët se paga minimale dhe më e lartë se paga maksimale.

Nga mbledhjet e komisionit te ekonomise
Nga mbledhjet e komisionit te ekonomise

Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi dje aktin normativ me ndryshimet në detyrimet për profesionet e lira. Akti normativ u miratua nga Qeveria pas rrëzimit të ligjit të mëparshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Komisioni i Ekonomisë për mungesë kuorumi e shtyu për ditën e sotme miratimin e projektligjit. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, tha se akti normativ rikthen skemën ekzistuese për kontributin e profesioneve të lira.

“Në thelb, projektligji mbush vakumin ligjor që u krijua për shkak të shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të skemës së pagimit të sigurimeve për të vetëpunësuarit. Propozohet që të harmonizohet dhe të rikthehemi në një skemë ekzistuese në ligjin e sigurimeve shoqërore, ku praktikisht u kërkohet të paguajnë midis pagës minimale dhe pagës maksimale. Për profesionet nuk vendosen paga fikse, por krijohet hapësira që të vetëpunësuarit dhe punonjësit e tjerë të familjes do të paguajnë sigurime shoqërore midis pagës minimale dhe maksimale”, shpjegoi Mete.

Deputetja e Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe relatore e projektligjit, Evis Kushi, shpjegoi se skema e re u krijon mundësinë të vetëpunë- suarve të përfitojnë pension më të lartë pleqërie.

“Metodika e re u krijon mundësi të vetëpunësuarve që të vetëdeklarojnë pagën për efekt të llogaritjes së kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore brenda diapazonit jo më të ulët se paga minimale dhe jo më të lartë se paga maksimale. Rritja e masës së kontributit u krijon atyre mundësinë e përfitimit të një mase pensioni pleqërie të lartë, si dhe ndikon në rritjen e fondit të sigurimeve shoqërore, duke qenë në përputhje me reformën e pensioneve”, tha Kushi.

Akti normativ sjell në skemën e mëparshme edhe pagesën e kontributeve për pensionistët e vetëpunësuar.

Zëvendësministri i Financave shpjegoi se pensionistët që janë të vetëpunësuar kanë të drejtë të zgjedhin dy skema. Skema e parë përfshin njohjen e kontributeve me pagë minimale kur hiqet dorë nga pensioni. Në këtë rast, pensioni u shtohet çdo vit 1 për qind.

“Pensionistët që punojnë, paguajnë sigurime me pagë minimale, ndërkohë që marrin pension. Por kanë edhe opsionin që të trajtohen si të punësuar dhe të vazhdojnë të kontribuojnë pa marrë pension, duke pasur një shtesë 1 për qind në vit për pensionin. Ky është trajtimi që ne kemi e përcaktuar në këtë ligj dhe në dy ligje të tjera që preken”, shpjegoi Mete. Zv.ministri Mete shpjegoi se ndryshimet e ligjit lehtësojnë edhe procedurat e regjistrimit të vetëpunësuarve në profesione të lira.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura