Profarma, inaugurohet investimi gjerman

Mar 31, 2011 | 13:01
SHPËRNDAJE

Inaugurohen ambientet e reja të prodhimit të kompanisë farmaceutike shqiptare “Profarma sh.a.”, një investim i kompanisë gjermane “Dermapharm AG Group”, prej rreth 30 milionë eurosh. Me këtë investim hidhen bazat e një industrie farmaceutike ndër më modernet në rajon e më gjerë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin presidenti i grupit “Dermaphfarm” dr. Feldmaier, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, zonja Holtkamper, drejtori Ekzekutiv i Profarmës në Shqipëri, z. Edi Grabocka, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. “Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për ftesën që më bëtë dhe t’u shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre që në një hark kohor të shkurtër realizuan këtë investim të rëndësishëm në industrinë farmaceutike në historinë e vendit, një investim prej 30 milionë eurosh, me të cilin hidhen bazat e një industrie farmaceutike ndër më modernet në rajon e më gjerë”, tha Kryeministri. Ai shtoi se me këtë investim të kompanisë “Dermopharm”, Shqipëria shënon një arritje të madhe në këtë industri të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe tregun e çdo vendi. “Ky investim realizohet mbi një investim të dikurshëm të viteve ’70, por dua të theksoj se ajo uzinë ishte një dështim total, kurse kjo uzinë është një sukses i madh. Kjo fabrikë do të prodhojë rreth 200 lloje barnash e prodhimesh dhe ka punësuar rreth 200 punonjës”, tha Berisha. Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka një nga sistemet fiskale më të favorshme dhe një seri lehtësish të tjera, por, në çdo rast, nuk heziton që të marrë të gjitha masat, në mënyrë që çdo investim në këtë vend të jetë një histori e vërtetë suksesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura