Probleme shëndetësore për punonjësit e Lazaratit

Oct 31, 2013 | 18:02
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER- Përpunuesit e hashashit në Lazarat shfaqin probleme shëndetësore si pasojë e aromës që çliron bima narkotike.

Në 10 ditët e fundit, pranë urgjencës së Spitalit “Omer Nishani” në qytetin e Gjirokastrës janë paraqitur 12 raste me simptoma të paqarta por që në tërësi, kanë qenë trazim stomaku, të vjella dhe marrje mendsh.

Sipas mjekut të urgjencës Hysni Lluka, personat që kanë shfaqur këto shqetësime i përkasin komunitetit rom ndërkohë që pak janë shënuar raste kur në këtë urgjencë, janë paraqitur konsumatorë të marijuanës, që kanë qenë vetëm dy të rinj.

Sipas mjekut Lluka, ndonëse pacientët nuk janë shprehur për punën që bëjnë, në disa raste ata kanë pranuar punën si përpunues të bimëve narkotike në Lazarat. Në regjistrat e pranimit të urgjencës, mjekët nuk kanë shënuar diagnozën e saktë të pacientëve dhe kjo për t’i mbrojtur ata nga ndonjë identifikim i mundshëm prej pronarëve të hashashit në fshatin rebel.

E veçanta është se pas marrjes së trajtimit shëndetësor, përpunuesit rikthehen në vendet e tyre të punës, të pashqetësuar se mund të rikthehen sërish në gjendjen fillestare kur janë paraqitur për të marrë ndihmën mjekësore.

Në Lazarat, punojnë përditë mbi 2 mijë persona, të cilët paguhen për 8 deri në 10 orë me nga 1500-2500 lek.
Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura