Pritë 38-vjeçarit në hyrje të shtëpisë

Nov 30, 2012 | 12:06
SHPËRNDAJE
Viktima Edmir Koçia

Festa e Pavarësisë në Shkodër mbyllet tra-gjikisht me ekzekuti-min e një 38-vjeçari. Plumbat që qëlluan ndaj Edmir Koçisë nuk janë dëgjuar mes zhurmës së fishekzjarrëve të mbrëmjes së të mërkurës. Kanë qenë familjarët e Koçisë, të cilët lajmëruan policinë për atentatin në portën e oborrit të shtëpisë, në lagjen “Tepe” të Shkodrës. Babai i 4 fëmijëve ndërroi jetë disa orë më vonë, në spitalin e Shkodrës, për shkak të plumbave të marrë në trup.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:45, në lagjen periferike “Tepe”. Edmir Koçia është qëlluar me breshëri automatiku teksa kishte zbritur nga makina e tij dhe po hapte portën e oborrit. Nga burimet pranë Drejtorisë së Policisë së Shkodrës mësohet se në pritë kanë marrë pjesë më shumë se një person. Autorët ende nuk janë identifikuar, por Policia pohon se ata e kanë ndjekur hap pas hapi Koçinë, derisa e kanë arritur para shtëpisë së tij. Megjithëse Policia ka shoqëruar 25 persona që nga momenti i atentatit, përsëri autorët e kësaj ngjarjeje janë akoma të paidentifikuar. Si pistë kryesore e kësaj vrasjeje është ngritur ajo e hakmarrjes, por pa ndonjë specifikim të veçantë.
Ngjarja
Rreth orës 20:45 të mbrëmjes të së mërkurës, në lagjen “Tepe” është dëgjuar breshëri automatiku, e cila ka pasuar atmosferën festive dhe entuziaste nga shpërthimet e fishekzjarrëve të hedhur me rastin e 28 Nëntorit. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Edmir Koçisë. Ky i fundit ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij dhe autorët kanë shfrytëzuara rastin sapo ka zbritur nga makina për të hapur portën e shtëpisë dhe më pas të hynte në oborr. Nga të dhënat e para hetimore, bazuar te drejtimi i gëzhojave, mendohet se ndaj Koçisë është qëlluar me breshëri në dy drejtime të ndryshme, çka të bën të besosh se në pritë ka marrë pjesë më shumë se një person. Katër prej 15 plumbave të qëlluar në drejtim të 38-vjeçarit i kanë prekur organet jetësore, duke e plagosur rëndë atë. Kanë qenë familjarë të tij, të cilët pasi kanë dëgjuar krismat, kanë dalë jashtë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë duke e dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Por, plagët e marra kanë qenë fatale për Koçinë, i cili nuk ka arritur të mbijetojë. Mjekët e spitalit kanë pohuar se 38-vjeçari Koçia ndërroi jetë rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm.
Policia
Policia ka marrë informacion se është qëlluar në pritë më armë zjarri, në afërsi të shtëpisë së tij Edmir Koçia në lagjen “Tepe”. Me të marrë informacion, forca të shumta policie janë nisur në drejtim të zonës, ndërsa një pjesë tjetër drejt spitalit të Shkodrës ku ndodhej i plagosuri rëndë. Me përjashtim të disa gëzhojave, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, nuk është gjetur ndonjë gjurmë tjetër. Policia e Shkodrës, zyrtarisht pohoi dje se viktima Edmir Koçia ka qenë person me precedentë kriminalë, i dyshuar për disa vrasje në qytetin e Shkodrës dhe për momentin pista e vetme që është ngritur është ajo e hakmarrjes. Që nga momenti i ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës, duke përfshirë edhe ato RENEA-s, kanë kryer aksione dhe kanë bërë shoqërimin e disa personave, të cilët mendohet se mund të kenë pasur konflikte me viktimën ose kanë dijeni se cilët mund të jenë autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Dyshimet për vrasjen e dyfishtë në vitin 1999
Megjithëse Policia e Shkodrës ka pohuar se viktima Edmir Koçia ka qenë i dyshuar për disa vrasje në qytetin e Shkodrës, ai nuk ka qenë i dënuar asnjëherë, pasi ndaj tij nuk ka pasur asnjë provë që ta implikojë në ndonjë vrasje. I vetmi rast kur Edmir Koçia është arrestuar nga ana e policisë ka qenë viti 2007, kur policia dyshonte se ai ishte autori i një ngjarjeje të ndodhur më dt. 08.12.1999 në qytetin e Shkodrës. Në atë kohë mbetën të vrarë shtetasit Artur Talani dhe Fatbardh Truma. Pas arrestimit të tij, policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Koçisë arriti të zbulonte një arsenal të tërë armësh dhe mjetesh luftarake. Pas hetimeve të bëra mbi këtë ngjarje, nuk kishte prova që ta implikonin Koçinë si autorin e ngjarjes së vitit 1999, ndërsa për zbulimin e armëve të gjetura në banesë, pronësinë e tyre e mori përsipër një i afërm i tij, duke e liruar Koçinë përfundimisht nga çdo akuzë.

Edmir Koçia, si i shpëtoi vrasjes me pagesë në vitin 2006
Edmir Koçia i ka shpëtuar një vrasjeje me pagesë që mund t’i kishte marrë jetën në vitin 2006. Gjykata e Shkodrës, me vendimin e zbardhur me nr. 36, të marrë më datë 29 janar 2007, ka bërë të ditur këtë fakt dhe ka dënuar 2 persona të implikuar në këtë çështje. Trupi gjykues, kryesuar nga Tonin Stërkaj, ka shpallur dënimin me nga 2 vjet për të akuzuarit Ervis Kilashi, 36 vjeç dhe Bledian Bilali, 31 vjeç. Ata u arrestuan më 28 prill 2006, fillimisht për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Koçisë, por më pas ndaj tyre rëndoi akuza e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, në bashkëpunim, si dhe “armëmbajtjes pa leje”. Dy personat nga Shkodra, në bazë të akteve që bën të ditur vendimi i Gjykatës në vitin 2007, janë dekonspiruar nga një person që do ta paguanin me 5 milionë lekë të rinj për të kryer vrasjen e Edmir Koçisë. “Në fund të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar, rezulton se: Më datë 27.04.2006, rreth orës 23:00, shtetasi Akil Cenaj është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër dhe ka kërkuar takim me drejtorin e Policisë, shtetasin Ahmet Prençi. Gjatë bisedës, ai i ka deklaruar këtij të fundit se nesër, me dt. 28.04.2006, së bashku me shtetasit Ervis Kilashi dhe Bledian Bilali, do të vrasin shtetasin Edmir Koçia, me banim në Shkodër, duke dhënë edhe hollësi për këtë veprim”, pohohet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Shkodrës dhe të zhvilluar në një seancë me dyer të hapura. Sipas vendimit, historia ka nisur më 24 prill 2006, kur Cenaj është marrë në telefon nga Bledian Bilali dhe pas takimit me të, në prani dhe të Ervis Kilashit, i kanë propozuar që të kryente vrasjen e Edmir Koçisë për llogari të M.I. dhe si shpërblim do të merrte një shume prej 5 milionë lekësh të rinj. Fillimisht deklaruesi e ka pranuar ofertën, por ka ndryshuar mendje në ditët në vazhdim. Gjatë deklarimeve të dhëna në Polici, Cenajt i është thënë në telefon se “do me u feju me bjonden apo jo, e si ta marrin mendja se je tu më nxjerr probleme”, duke nënkuptuar sipas tij vrasjen. Megjithëse ka nxjerrë pengesa, duke kërkuar fillimisht të shikonte paratë dhe më pas pajisjen e makinës me perde të zeza, të tre bashkë kanë vendosur që porosia duhej të kryhej më 28 prill. Por, një natë më parë, personi që do të paguhej ka shkuar në Polici, duke treguar rrethanat e çështjes.
Nga ana e Policisë i është thënë Akilit të vepronte sipas planit për t‘u takuar me Bledianin, por më parë të sigurohej për numrin e armëve dhe më pas të hiqte krehrin e fishekëve nga armët dhe është lënë i lirë. Ashtu ka vepruar ai edhe të nesërmen, pak para se të organizohej vrasja, policia i ka bllokuar të tre personat. Në vend është kapur Cenaj dhe Bilali, ndërsa Kilashi një ditë më vonë. “Ngjarja do te kishte ndodhur sikur shtetasi Akil të mos ishte paraqitur pranë organeve të Policisë dhe t’i vinte në dijeni këta të fundit për veprimet që do të ndërmerrnin të pandehurit”, u shpreh Gjykata.

Autori
Bledian Bilali, i akuzuar dhe i dënuar për bashkëpunimin me qëllim vrasjen e Edmir Koçisë në vitin 2006, është vrarë mbrëmjen e 10 tetorit 2009 në qytetin e Bulqizës. Në atë kohë u deklarua se bëhej fjalë për një krim në familje, pasi pranë trupit të tij u gjet dhe gruaja me të cilën bashkëjetonte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura