Prezantohen sponsorët: Bëjmë Tiranë pretendente

Aug 31, 2013 | 13:48
SHPËRNDAJE

Dje ka marrë formë zyrtare afrimi i sponsorëve të Tiranës. Paradite është hedhur firma mbi kontratë prej tre biznesmenëve që do të financojnë bardheblutë për këtë sezon. Ndriçim Babasi, Refik Halili dhe Lul Morina, pasi kanë marrë një projektplan për shpenzimet e klubit, kanë hedhur të zezën mbi të bardhë, duke u zyrtarizuar kështu si donatorët e rinj të bardhebluve. Që të tre së bashku, çdo muaj pritet që të japin 70-80 milionë lekë të vjetër. Gjatë pasdites ata janë prezantuar edhe para ekipit kryeqytetas dhe para mediave. Në orën 17:00 është bërë dhe një prezantim i dy prej tre donatorëve që janë afruar te Tirana. Mungonte vetëm Lul Morina, por sikundër shpjegoi administratori, kjo ndodhi për çështje personale. Gjatë takimit me ekipin ata kanë dhënë garanci financiare, duke qetësuar kështu lojtarët e ekipit sa i përket këtij ngërçi që kanë vuajtur prej muajsh.
Deklaratat – Për mediat, administratori Krenar Alimehmeti tha: “Jemi në rrugën e duhur për të rikthyer Tiranën e vërtetë. Tashmë është zyrtare: ne kemi tre sponsorë, Halilin, Babasin dhe Morinën. Pavarësisht kohës që nuk premton, ne do të bëjmë maksimumin për të afruar lojtarët e duhur, duke kërkuar të ndërtojmë një skuadër dinjitoze për historinë që përfaqëson”. Më tej ishte Halili, i cili shfaqet i lumtur për rikthimin dhe garanton siguri financiare. “Si tirons dhe ish-president, nuk mund të qëndroja duarkryq në këtë moment të vështirë që po kalonte klubi. Për merkaton duhet të them se jemi vonë, por me paratë që janë në dispozicion lojtarët mund të gjenden, duke parë që ka disa pa kontrata”, deklaroi Halili. Ndërsa Ndriçim Babasi beson te ndërtimi i një ekipi pretendent. “Ne jemi te Tirana për të garantuar financat për sezonin që pritet të fillojë. Promotori i këtij bashkimit tonë ka qenë kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilin gjej rastin për ta falënderuar. Do arrijmë të afrojmë lojtarë cilësorë, për të ndërtuar kështu një Tiranë pretendente”, përfundoi Babasi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura