Prezantohej si pronare, mashtronte qiraxhinjtë

Jul 31, 2012 | 13:15
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 23-vjeçare është dërguar si e pandehur në Gjykatën e Tiranës, pasi dyshohet se ka mashtruar të paktën 16 persona duke u marrë qira për një banesë që nuk ishte pronë e saj. Sipas hetimeve, dyshohet se ajo merrte parapagim nga 30 deri në 45 mijë lekë, dhe më pas humbte çdo kontakt me ta. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj shtetases Suada Kasa, 23 vjeçe, duke e vënë atë nën akuzë për veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë”. Dosja në ngarkim të Kasës është depozituar në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë. Sipas hetimeve, “skema” e dyshuar e mashtrimit të 23-vjeçares nga Kruja ishte vënë në zbatim prej saj në kryeqytet. “Preja” ishin kryesisht studentë nga rrethet, të cilët kërkonin një ambient banimi me qira në kryeqytet. Kanë qenë kallëzimet e këtyre të fundit që kanë vënë në lëvizje policinë. Në deklarimet e saj para hetuesve mësohet se 23-vjeçarja ka pranuar mashtrimin duke u justifikuar me faktin se e bënte për arsye ekonomike. Referuar hetimeve, Kasa merrte një hyrje me qira në një prej lagjeve të Tiranës, kryesisht në zonën pranë “21 Dhjetorit”, pranë “Zogut të Zi” ose në rrugën “Don Bosko”. Në vijim, sipas hetimeve, për të njëjtën adresë që kishte marrë me qira, ajo e vendoste në gazetat e njoftimeve si ambient të lirë, duke u hequr si zotëruesja e tij. “Loja” vazhdonte edhe më pas, kur të interesuarit e kontaktonin dhe ajo u ofronte çmime më të lira. Sipas hetimeve, dyshohet se ajo u kërkonte të interesuarve parapagim për 3-4 muajt e parë. Dyshohet se më pas ajo humbte çdo kontakt më “klientët”, të cilët e kuptonin mashtrimin kur pronari i vërtetë i banesës u kërkonte qiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura