Pretenca, 1 vit burg për demonstruesin e 21 janarit

Jun 30, 2011 | 9:59
SHPËRNDAJE

TIRANE – Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin me burg për dy të pandehur të akuzuar për goditjen e forcave të rendit gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit para Kryeministrisë. Në pretencën e paraqitur para gjykatës, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor për të pandehurin Olti Topi dhe dënimin e tij me një vit burg. Po ashtu, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor edhe për të bashkëpandehurin e tij, Ervis Domi, dhe dënimin e tij me 3 muaj burg. Ata akuzohen për “goditje për shkak të detyrës në bashkëpunim”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, të dy të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së dënimit në masën e dënimit të kërkuar përfundimisht nga Akuza. Motivi për të cilin u arrestuan më 26 janar dy të pandehurit e kësaj dosjeje nuk ka lidhje me protestën antiqeveritare të 21 janarit. Por, vepra për të cilën ata akuzohen është konsumuar gjatë zhvillimit të demonstratës. Identifikimi i tyre u bë i mundur gjatë analizimit të pamjeve filmike të demonstratës. Disa efektivë të Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe të Komisariatit Nr. 3 identifikuan Olti Topin si autor të dhunës fizike ndaj punonjësve të rendit. Sipas hetimeve, Olti Topi ishte shoqëruar në polici si i dyshuar për një vjedhje të ndodhur pak ditë para 21 janarit. Gjatë marrjes në pyetje në polici është ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Ditën e demonstratës ai ka parë në radhët e policisë një prej oficerëve që kishte ushtruar dhunë ndaj tij. Në këtë moment, duke përfituar edhe nga gjendja e tensionuar, në bashkëpunim edhe me disa persona të tjerë ai ka “shfryrë” inatin duke goditur me sende të forta punonjësit e rendit.           ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura