Presidenti Topi dekreton ligjin për amnistinë

Apr 30, 2011 | 10:45
SHPËRNDAJE

TIRANË- Vetëm pak kohë pas miratimit në Kuvend, Presidenti i vendit, Bamir Topi ka dekretuar ligjin “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.

Dekreti i firmosur nga kreu i shtetit i hap rrugë zbatimit të amnistisë fiskale sipas ligjit në fjalë, ndërkohë që Ministria e Financave do të bëjë gati aktet nënligjore, udhëzimet përkatëse dhe formularët që duhen plotësuar.

Kjo është amnistia e pjesshme, puna për të cilën ka nisur me kohë dhe pritet që shumë shpejt, të përfundojnë të gjitha hallkat e mbetura, në mënyrë që amnistia fiskale të fillojë zbatimin.

Çfarë po falet

Nga gjobat se nuk keni prerë biletën për në autobus, deri te detyrimet e një biznesi VIP prej miliona eurosh. Ligji parashikon faljen më të gjerë të bërë ndonjëherë nga administrata shtetërore. Të gjitha detyrimet, deri më 31 dhjetor 2010, për të gjithë individët, do të zerohen. Këtu përfshihen edhe gjobat e makinave për shkelje rrugore, apo gjobat për moskolaudim apo të tjerë të këtij lloji.

Në të njëjtin ligj është përfshirë edhe falja e faturave të papaguara të energjisë elektrike që qeveria miratoi më herët, në një projektligj më vete, që kishte një faturë 380 milionë dollarë. Kësaj faljeje i bashkëngjiten edhe të gjitha faturat e papaguara ndaj ujësjellësve deri në momentin që këta të fundit u kanë kaluar vendorëve. Tarifat, që përbënin edhe pjesën më të diskutuar të kësaj amnistie, mbeten të pandryshuara për individët që do të deklarojnë paratë e fshehura, të cilat legalizohen nëse paguhet 3 për qind e vlerës që legalizohet.

Ndërkaq, rivlerësimi i një pasurie të paluajtshme mbeti sërish te vlera 1 për qind. Biznesit iu miratua kërkesa për tarifa më të ulëta për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe të makinerive, ku përqindja e legalizimit u ul nga 6 dhe 7 për qind, në 5 dhe 3 për qind. Jashtë amnistisë edhe njëherë mbetën ato që u deklaruan qysh ditën e parë të diskutimit të kësaj çështjeje, siç janë paratë nga krimi i organizuar dhe pushtetarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura