Premtimi i Gjiknurit: Do të ulim TVSH-në e dritave

Feb 16, 2017 | 11:59
SHPËRNDAJE

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, bashkë me administratorët e OSHEEsë, KESH-it dhe OST-së prezantuan dje treguesit e sektorit elektroenergjitik për vitin 2016. Ministri Gjiknuri deklaroi se raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare e kanë konsideruar reformën në sektorin elektroenergjitik shumë të suksesshme.

Ministri Gjiknuri
Ministri Gjiknuri

“Hapat e ndërmarrë kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike, duke e çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm gjatë tre viteve të fundit janë paguar 23 miliardë lekë në tatim/taksa si kontribut direkt në Buxhetin e Shtetit. Ndërkaq, 135 milionë euro është efekti pozitiv indirekt në Buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane në 2013-2017”, u shpreh Gjiknuri.

Mbajtja e performancës pozitive të treguesve do të sjellë që qeveria të mbajë premtim për uljen e TVSH-së së dritave në 5 për qind. “Ulja e TVSH-së nuk qe e mundur për këtë mandat për shkak të gropës së madhe financiare që gjetëm, përfshirë këtu sektorin energjetik, nëse do të kemi konsolidim të mëtejshëm dhe me ç’po duket, gjasë rritja ekonomike e Shqipërisë do të kontribuojë për më shumë të ardhura. Do të kemi mundësi mandatin tjetër të rishikohen edhe politikat e taksave, nuk dua të hyj këtu në shifra, nuk e them sa do të jetë kjo”, u shpreh Gjiknuri.

Ministri i Energjetikës sqaroi se në 2016-n, niveli i humbjeve u reduktua në shifrën rekord prej 28.04%, ndërsa në vitin 2013 u gjet jo pak, por 45%.

”Operatori i Shpërndarjes arkëtoi për vitet 2015-2016 shumën totale prej 126 miliardë lekësh, ndërsa tre vite më parë mblidheshin vetëm 38.3 miliardë. Arkëtimi i faturave korente nga 66.7% që ishte në 2013, vitin e fundit u arrit në 86.6%. Totali i arkëtimeve për vitin 2016, përfshirë edhe kamatat, arrin në 93.8%. Rezultati ekonomik vjetor për OSHEE-në u mbyll pozitiv me 11.5 miliardë lekë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliardë lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lekë. Në tre vitet e fundit, KESH, OST dhe OSHEE kanë investuar në sektor një shumë prej 45.6 miliardë lekësh, ndërsa për vitin 2017, plani i investimit arrin në 24 miliardë lekë. Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, pra rikuperimi i gjendjes së debisë, përfshirë kamatat, ka ardhur në rënie. Nëse në vitin 2013 ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin e fundit u mbyllën me 105.2 miliardë lekë”, u shpreh Gjiknuri.

Borxhi i OSHEE ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treta nga 99.9 miliardë lekë që ishte në vitin 2013, është ulur tashmë në 93.6 miliardë lekë. “Nëse në vitin 2013 shpenzoheshin 151 milionë euro për mbulimin e humbjeve me blerje energjie nga importi, në vitin e fundit kjo është reduktuar në 61 milionë euro”, tha ministri Gjiknuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura