Prapaskenat, Rama udhëzoi ministrat të flisnin në Kuvend

Oct 31, 2014 | 12:28
SHPËRNDAJE

Rama, Gjiknuri dje ne Kuvend
Seanca plenare e djeshme ka sjellë një përplasje të pazakontë mes kreut të Grupit Parlamentar socialist dhe ministrave të qeverisë.
Gjatë shqyrtimit të pikës së parë të rendit të ditës, projektligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, kanë nisur “shkëndijat” e para mes Ruçit dhe ministrave pa mandat deputeti. Për këtë nismë ligjore kanë folur në emër të Grupit të LSI-së deputetja e re Silva Caka, ndërsa në emër të Grupit të PS-së nismën e mbrojti deputetja Vasilika Hysi. Pas fjalës së dy deputetëve, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, ka kërkuar fjalën për të prezantuar sërish nismën ligjore. Sipas Rregullores së Kuvendit, ministri i linjës flet para diskutimeve në emër të grupeve dhe në rastet kur flet pas tyre, atëherë debati rihapet nga e para dhe duhet të shoqërohet sërish me diskutime në emër të grupeve. Por kjo procedurë, në mungesë të opozitës nuk është zbatuar në seancat e fundit, çka detyroi kreun e Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçin, t’u tërheqë “veshin” ministrave të qeverisë që kanë mbushur “1 vjeç” mes procedurave parlamentare dhe ende s’i kanë mësuar ato.
Vërejtja
Kreu i Grupit kuvendor socialist ka tërhequr vëmendjen e ministres Milena Harito dhe ministrave të tjerë të kabinetit “Rama”, që të mos vijnë në Kuvend pa mësuar procedurën parlamentare. Ruçi ka vlerësuar prezantimin e ministres të cilin e quajti “ekselente”, por në shkelje të Rregullores. Ruçi u ka shpjeguar edhe një herë ministrave si duhet të sillen në Kuvend gjatë prezantimit të nismave ligjore, duke thënë se duhet të jenë korrektë në të ardhmen dhe se kanë një vit në Parlament e ende nuk kanë mësuar se si funksionon Rregullorja dhe procedura e Legjislativit. “Në qoftë se do të duhet të merrni fjalën, duhet të kërkoni që të hapet diskutimi nga e para. S’kishit asgjë të re për të hapur diskutimin nga e para, pasi ishte mbyllur. Prandaj këto janë procedura dhe praktika parlamentare dhe s’jeni më të rinj, keni një vit ministra. T’i mësoni procedurat dhe me Parlamentin të jeni korrektë herën tjetër”, tha kreu i Grupit parlamentar socialist, duke kritikuar ministren e Inovacionit. Kjo e fundit, gjatë fjalës së Ruçit ka mbetur e shtangur, duke mos thënë asnjë fjalë, po ashtu dhe ministrat e tjerë që ishin afër saj. Ndërkohë, në ambientet e sallës së Kuvendit nuk u dëgjua mirë qëndrimi i kreut të Grupit, pasi fonia e Parlamentit kishte zërin e ulët.
Prapaskenat
Në një kohë që Gramoz Ruçi kritikoi ministren Harito për mosnjohje të rregullores së Kuvendit, Kryeministri Edi Rama po jepte “direktivat” e tij ndaj ministrit të Energjetikës. Rama dhe Gjiknuri kanë shkëmbyer disa replika me njëri-tjetrin, ndërkohë që Kryeministri ia ka shënuar në një letër ministrit pika ku duhet të përqendronte fjalimin e tij jo të shkruar. Ministri i Energjetikës kërkoi të fliste në foltoren e Kuvendit për aksionin e ndërmarrë për arrestimin e vjedhësve të energjisë, por edhe në këtë rast diskutimi ishte në shkelje të Rregullores. Kryeministri kërkoi dhe ndërhyrjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të paraqitur rezultatin e arrestimit të vjedhësve të energjisë, ndërkohë ka thërritur në banakun e tij edhe Erion Veliajn. Rama ka kërkuar “mobilizimin” dhe të ministrit të Mirëqenies Sociale për të folur për trajtimin e veçantë që do të kenë shtresat në nevojë nga vendimi i heqjes së fashës së mbrojtur prej 300 kilovat të energjisë elektrike.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura