Terrorizoi Italinë, pranga në Vlorë “Syakullit”

Mar 30, 2012 | 14:48
SHPËRNDAJE

Ali Islamaj, i njohur me emrin Altin Hoxha

Grabiti vila luksoze, mes të cilave të trajnerit të Palermos. Dyshohet për vrasje e tortura.

Vlonjati Altin Hoxha u arratis nga burgu i Romës me një rumun.

Arrestohet në Vlorë Altin Hoxha, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi arriti të arratisej nga një burg në Romë. Operacioni i koduar “I shumëkërkuari” u realizua me bashkëpunimin e Skuadrës së Lëvizshme të Policisë së Romës, Policisë së Vlorës si dhe Forcave Speciale shqiptare. 29-vjeçari nga fshati Drashovicë i Vlorës njihej si Ali Islamaj, por për efekt të precedentëve kriminalë dhe me qëllim që t’i shpëtonte policisë, ai kishte ndërruar emrin në Altin Hoxha. Blutë e Vlorës e kishin mbajtur në survejim të shumëkërkuarin thuajse gjatë gjithë muajit mars. Të dhënat iu raportuan edhe palës italiane, pasi blutë e Vlorës kishin qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë gjithë kësaj kohe. I riu vlonjat akuzohet për kryerjen e shumë veprave penale, si vjedhje me dhunë, rrëmbim personi, tortura për shkaqe grabitjeje, si dhe i dyshuar për vrasje në Itali. Mësohet se në operacionin për arrestimin e tij merrnin pjesë rreth 50 forca policie, mes tyre 10 italianë, si dhe shtatë automjete të Policisë. Ai është ndaluar në fshatin e tij, Drashovicë, teksa lëvizte me një mjet “Lancia”, me traga italiane. Aksioni ka filluar herët në mëngjes, ku në zonën e Pyllit të Sodës u kontrolluan disa objekte të pabanueshme, në të cilat kishte informacion se strehohej i kërkuari. Por, kontrolli rezultoi pa sukses. Më pas është vënë në zbatim operacioni “B”. Policia ka udhëtuar për në fshatin Drashovicë. Pas 30 minutash udhëtim, policia ka mbërritur në zonë, duke bllokuar rrugët kryesore të hyrje-daljeve të këtij fshati. Blutë kanë ndërhyrë në momentin që 29-vjeçari po lëvizte

I superkërkuari pas arrestimit nga Policia e Vlorës

me mjet. Ai ishte i maskuar dhe ka tentuar të largohet, por blutë që drejtoheshin nga kreu i Policisë, Artan Cuku, arritën ta neutralizojnë atë në kohë, pa shkaktuar asnjë të plagosur në radhët e tyre. Mësohet se 29-vjeçari ishte futur në Shqipëri rreth 3 javë më parë dhe prej asaj kohe ai ishte mbajtur në survejim. Në ngarkim të tij, Gjykata e Penale e Romës ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Ai dyshohet se në bashkëpunim me 8 shqiptarë të tjerë të arrestuar nga policia italiane para një viti, ka kryer më shumë se 50 grabitje me dhunë të vilave luksoze në qytete të ndryshme, duke përdorur metoda të ashpra kundër pronarëve të tyre për të marrë sendet me vlerë. Më 14 janar 2012, ai u arratis nga burgu i sigurisë së lartë “Regina Celi” në Romë, bashkë me një rumun, pasi ndodhej në masë sigurie dhe hetohej për disa vepra penale, deri edhe në dyshime për vrasje, ku vijon të hetohet nga 4 prokurori të ndryshme italiane. Ai ishte cilësuar nga autoritetet italiane, por edhe mediat vendëse si “grabitësi syakull” për shkak të ngjyrës së tij të syve dhe qetësisë në veprimet që kryente. Mes vilave të grabitura ishte edhe ajo e trajnerit të Palermos, Serse Cosmi (tashmë trajner i skuadrës së Leçes). Pasi u arrestua nga forcat e Policisë së Romës e të Peruxhias, ai u njoh edhe nga viktimat e dëshmitarët për sytë e tij të kaltër. Viktimat, pasi u merreshin paratë, rriheshin dhe kërcënoheshin me armë. “Viktimat, të cilave u merreshin mijëra euro, dhunoheshin, lidheshin me kabllo elektrikë ose kërcënoheshin me armë”, e kanë përshkruar mediat italiane mënyrën e grabitjes nga grupi ku bënte pjesë Hoxha para arrestimit.

Konsulli italian përgëzon operacionin
Konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi, ka përshëndetur arrestimin e personit shumë të kërkuar, i cili kishte kryer një seri krimesh të rënda në vendin e tij. Ai e ka cilësuar 29- vjeçarin si një person që paraqiste mjaft rrezikshmëri, ndërsa ka përgëzuar operacionin e përbashkët policor mes të dy vendeve. Policia e Vlorës kishte rënë në gjurmët e të kërkuarit prej 3 javësh dhe pasi kishte grumbulluar informacionet e sakta, njoftoi kolegët italianë.

Dyshimi, përdhunoi 54-vjeçaren
Dyshohet se Altin Hoxha ka përdhunuar një 54-vjeçare me origjinë nga Ekuadori, e cila ishte në shtëpi me mbesën e saj 14 vjeçe. Dy burra, të cilët sipas të dhënave ishin me origjinë të huaj, sulmuan gruan brenda rrethimit të vilës. Pa maska, dhe të armatosur ata kërcënuan gruan dhe u futën në shtëpi. Atë e përdhunuan dhe në momentin kur erdhi i shoqi, i lidhën të dy dhe më pas i detyruan t’u tregonin se ku mbanin 20 mijë eurot”.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura