Pranga për ryshfet dy policëve të Rrugores

Aug 31, 2014 | 16:31
SHPËRNDAJE

Dy efektivë të Policisë Rrugore u arrestuan dje nga SHKBja me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

 Burimet zyrtare kanë thënë se të premten në orën 21:30, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm Tiranë arrestoi në flagrancë 2 punonjës të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore. Ata dyshohet se i kanë marrë një shumë prej 5 mijë lekësh të rinj një emigranti të kthyer nga Italia, i cili drejtonte një kamion. Ministria e Brendshme ka informuar se arrestimi i punonjësve të policisë Artan Hasanaj dhe Avdulla Dafku u krye për veprën penale “korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”. Dy policët kanë qenë me shërbim për mbikëqyrjen dhe kontrollin e trafikut rrugor në aksin Durrës-Kavajë. Pasi kanë kryer disa lëvizje gjatë ditës së premte duke ngritur pika kontrolli në aksin që u ishte ngarkuar për shërbim, dy policët janë vendosur pranë zonës së Golemit në orët e mbrëmjes. Në këtë kohë ata kanë konstatuar një kamion duke qarkulluar në mënyrë të parregullt për shkak të ngarkesës. Efektivët e policisë e kanë ndaluar mjetin për kontroll dhe pasi i kanë kërkuar dokumentet drejtuesit të kamionit, dyshohet se kanë kërkuar para prej tij në këmbim të mosvendosjes së masës me gjobë. Ministria e Brendshme theksoi dje se: “Për 2 punonjësit e Policisë Rrugore kishte bërë kallëzim shtetasi A. V., emigrant në Itali. Efektivët e policisë dyshohet se i kanë kërkuar dhe marrë një shumë parash drejtuesit të mjetit A. V., në këmbim të mosmarrjes së masave ndëshkuese, për shkeljet e konstatuara”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Ky dikaster ka bërë me dije se pas denoncimit të marrë nga emigranti që drejtonte kamionin, shërbimet e SHKB-së kanë organizuar punën për mbajtjen e policëve në mbikëqyrje. “Nga hetimet e kryera pas marrjes së denoncimit, SHKB, duke përdorur metoda speciale, bëri dokumentimin ligjor të disa rasteve të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë Hasanaj dhe Dafku ndaj shtetasve të ndryshëm”, ka thënë dje Ministria e Brendshme. Ky dikaster ka bërë me dije se pas marrjes së dëshmisë së emigrantit dhe dokumentimit të rastit të korrupsionit, dosja penale ndaj dy efektivëve të policisë i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë.

TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura