Policia s’mbështeti përmbaruesin

Oct 31, 2013 | 13:32
SHPËRNDAJE

Policia gjate incidentit te selia e PSD
Ministria e Brendshme: Baftjar Nelaj, person me precedentë penalë, hyri me dhunë në selinë e PSD.

Kërkesa zyrtare më 11 tetor. Avokati: Na thanë se s’ka efektiva.

Dokumentet zyrtare që disponon pronari i godinës ku është vendosur Partia Social Demokrate dhe avokati i tij, rrëzojnë pretendimin e Ministrisë së Brendshme të shprehur dje me një deklaratë zyrtare. Konkretisht bëhet fjalë për dokumentin e datës 11 tetor 2013, me numër protokolli 462/2, ku “kërkohet mbështetje,  drejtuar: Drejtorisë së Policisë Qarku Tiranë, Komisariatit Nr. 3, Njësisë Bashkiake Nr. 9, ku ndodhet prona e Partisë Social Demokrate. Përmbaruesi privat, i cili tri ditë më parë u dhunua dhe u ndalua nga policia për disa orë pa mandat nga prokuroria apo gjykata, ka vënë në dijeni Policinë e Tiranës dhe Komisariatin Nr. 3 që ka në juridiksion zonën ku ndodhet prona për të cilën gjykata ka nxjerrë urdhër ekzekutimi për lirimin e saj. Në këtë dokument, të cilin e disponon gazeta, përmbaruesi privat shprehet se Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit bazuar në shkresën e Entit të Banesave dhe çështja ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm. Për rrjedhojë, përmbaruesi privat kërkon mbështetje nga forcat e Policisë së Tiranës, Komisariatit 3 dhe Njësisë Bashkiake Nr. 9 për të bërë ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Tetë ditë para njoftimit të Policisë, më 2 tetor 2013, rezulton se përmbaruesi ka njoftuar PSD-në për ekzekutimin e vendimit. Pas përgjigjes refuzuese, përmbaruesi ka vënë në dijeni Policinë në lidhje me faktin se do të kryente ekzekutimin e vendimit të Gjykatës dhe kërkonte mbështetjen e forcave të rendit. Më 11 tetor 2013, e njëjta situatë i është bërë prezente Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me shkresën me nr. protokolli 462/3, datë 11 tetor 2013, të dërguar nga përmbaruesi Baftjar Nelaj. Avokati i familjes Manopulli, Riza Icka, tha dje se ishte paraqitur personalisht në polici, i kishin thënë se kanë marrë kërkesën e tyre për ndihmë, por përgjigjja ka qenë se nuk kishte efektivë në dispozicion, pasi policët ishin të angazhuar me operacionin “Fund marrëzisë”.
Policia  
Ministria e Brendshme reagoi dje në lidhje me incidentin e dhunshëm në të cilin u përfshi policia e Komisariatit Nr. 3 gjatë tentativës së përmbarimit për zbatimin e vendimit të gjykatës në godinën e PSD. Ky dikaster ka lëshuar një lumë akuzash ndaj përmbaruesit privat Baftjar Nelaj, të cilin e quan person me precedentë penalë. Ministria, duke iu referuar ngjarjes së ndodhur të martën para selisë së partisë së Skënder Gjinushit, thekson se përmbaruesi privat nuk kishte bërë asnjë njoftim paraprak. Ministria pretendon se gjatë konfliktit, shtetasi Baftjar Nela, me precedentë të mëparshëm penalë (goditje me mjete të forta, armëmbajtje pa leje etj.), është shoqëruar në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, pasi ka hyrë me dhunë dhe nxjerrë jashtë një punonjës të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike “A- 2000”. Kjo kompani kishte marrëveshje dypalëshe me PSD për ruajtjen e këtij objekti në rrugën “Fortuzi”, ndërkohë që të martën dëshmitarët nuk kanë parë dhunë nga përmbaruesi mbi rojën e vetëm që qëndronte në portën hyrëse të selisë së PSD. Ministria e Brendshme theksoi dje se po verifikon ligjshmërinë dhe tejkalimet e përmbaruesit Baftjar Nelaj, mirëpo të martën, pasi ka hyrë brenda portës së oborrit në pronën që është bërë mollë sherri, ai është kthyer pas pa hyrë më tej në ndërtesë. Ministria e Brendshme thekson se nga ana e përmbaruesit gjyqësor Baftjar Nelaj nuk është depozituar asnjë kërkesë për mbështetje në kryerjen e ekzekutimit të vendimit, bazuar në akt-marrëveshjen përmes Policisë së Shtetit dhe Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Shkresa e datës 11 tetor 2013 lëshuar nga përmbaruesi dëshmon të kundërtën. Ajo ka të bashkëlidhura gjithë dokumentet gjyqësore në lidhje me vendimin që kërkohet të zbatohet.

Zbulohet procesi në Gjykatën e Lartë
TIRANE – Konflikti gjyqësor mes pronarit të tokës dhe Partisë Socialdemokrate vazhdon në Gjykatën e Lartë, pas një procesi të nisur që në vitin 2008 në Tiranë. Ka qenë gjykata e Tiranës me një treshe gjykuese, që në vitin 2008 ka shqyrtuar konfliktin mes Partisë Socialdemokrate dhe pronarit të tokës dhe të godinës, Astrit Manopulli. Gjykata e Tiranës, e përbërë nga tre gjyqtarë, ka vendosur asokohe se Astrit Manopulli ishte pronar i ligjshëm dhe i njohur i pronës, por ka rrëzuar kërkesën për largimin e PSD-së dhe lirimin e godinës nga kjo parti. Vendimi është apeluar nga familja pretendente e pronësisë, por edhe gjykata e Apelit ka vendosur në favor të Partisë Socialdemokrate. Ndodhur në këto kushte, familja Manopulli ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që veç njohjes së pronësisë nga gjykata, të bëhet edhe lirimi i truallit dhe godinës. Pikërisht kjo çështje është ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë ende pa një vendimmarrje konkrete. Për këtë rast, kreu i PSD, Skënder Gjinushi, tha dje se “blerësi i një pjese të pronës i ka humbur gjyqet dy herë”.

Shkresa e Gjermenit: Anuloni urdhrin për lirimin e godinës

Shkresa e ministres Gjermeni për Entin e Banesave
TIRANE – Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit “ndërhyn” në konfliktin mes Partisë Socialdemokrate dhe pronarit të truallit dhe godinës ku është vendosur kjo forcë politike. Në datën 9 tetor 2013, ministrja Eglantina Gjermeni ka firmosur një shkresë me nr.protokolli 114/1, drejtuar kreut të Entit Kombëtar të Banesave, Ylli Piro. Në këtë shkresë, ministrja Gjermeni kërkon që Enti Kombëtar i Banesave të pezullojë urdhrin e lëshuar për lirimin e godinës. Sipas Gjermenit, Partia Socialdemokrate ka bërë ankesë dhe në të konstatohet se ankuesi nuk klasifikohet në subjektet e përcaktuara në nenin 1 dhe nenin 2 të aktit normativ nr.3, datë 1 mars 2013. “Për sa më sipër, nga ana juaj kërkojmë që të merrni masa për pezullimin e njoftimit të datës 5 shtator 2013 deri në revokimin dhe shfuqizimin e tij”, shkruan Gjermeni.

Policia ktheu Gjinushin dje në seli
TIRANE – Skënder Gjinushi dhe i gjithë stafi i partisë së tij kanë kaluar dje një ditë të zakonshme pune në selinë ku kjo forcë politike ushtron veprimtarinë e saj prej vitit 1991. Edhe pse përmbaruesi privat, Baftjar Nelaj, lidhi me zinxhirë dhe me kyçe portat metalike të hyrjes në oborrin e godinës, një gjë e tillë nuk ka qenë pengesë. Të martën në orët e mbrëmjes, pas largimit të mediave, Policia e Shtetit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka hequr zinxhirët dhe kyçin e vendosur në porta, duke i hapur ato. Më pas, kryetari i PSD, Skënder Gjinushi dhe personeli kanë hyrë në godinë, ndërsa te porta kryesore janë vendosur efektiva të Policisë së Shtetit. Policia e rendit ruante edhe dje hyrjen e godinës së PSD.

Zbulohet procesi në Gjykatën e Lartë
TIRANE – Konflikti gjyqësor mes pronarit të tokës dhe Partisë Socialdemokrate vazhdon në Gjykatën e Lartë, pas një procesi të nisur që në vitin 2008 në Tiranë. Ka qenë gjykata e Tiranës me një treshe gjykuese, që në vitin 2008 ka shqyrtuar konfliktin mes Partisë Socialdemokrate dhe pronarit të tokës dhe të godinës, Astrit Manopulli. Gjykata e Tiranës, e përbërë nga tre gjyqtarë, ka vendosur asokohe se Astrit Manopulli ishte pronar i ligjshëm dhe i njohur i pronës, por ka rrëzuar kërkesën për largimin e PSD-së dhe lirimin e godinës nga kjo parti. Vendimi është apeluar nga familja pretendente e pronësisë, por edhe gjykata e Apelit ka vendosur në favor të Partisë Socialdemokrate. Ndodhur në këto kushte, familja Manopulli ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që veç njohjes së pronësisë nga gjykata, të bëhet edhe lirimi i truallit dhe godinës. Pikërisht kjo çështje është ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë ende pa një vendimmarrje konkrete. Për këtë rast, kreu i PSD, Skënder Gjinushi, tha dje se “blerësi i një pjese të pronës i ka humbur gjyqet dy herë”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura