Policia merr në mbrojtje familjen e Fatbardh Plakut

Apr 30, 2014 | 14:05
SHPËRNDAJE

Makina e dëmtuar gjatë sulmit ndaj djemve të Plakut
Policia e Tiranës merr në mbrojtje familjen e kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plaku, pas sulmit me antitank në banesën e tij dhe kërcënimit me armë ndaj dy djemve.
Vendimi është marrë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, mbrëmjen e së hënës, disa orë pasi persona të paidentifikuar qëlluan me armë makinën me të cilën udhëtonin dy djemtë e Plakut. Ngjarja e dy ditëve më parë është klasifikuar nga Policia si “vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë” dhe do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, paralelisht me ngjarjen e 25 marsit kur shtëpia e Plakut u godit me antitank. Të dy ngjarjet të ndodhura një muaj pas njëra-tjetrës, janë cilësuar si kërcënim serioz për familjen e kryekomunarit. Për këtë arsye, ndryshe nga sulmi i parë, kësaj herë Policia ka vendosur mbrojtjen e shtëpisë dhe të pjesëtarëve të familjes. Në një distancë prej 100 metrash, një automjet i Komisariatit Nr.1, brenda të cilit qëndrojnë dy efektivë policie, vëzhgonin dje banesën e Plakut. Mësohet se mbrojtja do të bëhet me tre turne dhe monitorimi i banesës do të bëhet në distancë, për të ndjekur çdo lëvizje të dyshimtë, nga kryqëzimi i rrugës së liqenit, pranë xhamisë së fshatit e deri në rrugën që kalon para shtëpisë së kryekomunarit. Ndërsa mësohet se policia do të shoqërojë përkohësisht edhe lëvizjet e dy djemve të Plakut, gjatë kohës që ata shkojnë dhe kthehen nga shkolla.
DY SULMET
Makina e policisë që ruan banesën e kreut të komunës
I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Fatbardh Plaku tha se pasditen e djeshme ka pasur një komunikim me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i ka shprehur edhe vendimin për mbrojtjen e familjes së tij. Plaku tha se pasi i është ofruar mbrojtja, e ka pranuar vendimin e Policisë së Tiranës, duke pohuar se si ngjarja e parë, ashtu edhe e dyta, përbëjnë kërcënim serioz për jetën e familjarëve të tij. Ai vazhdon të pohojë se nuk ka probleme me asnjë person, por dy ngjarjet janë mjaft të rënda. Plaku shpjegoi se dje, dy ekspertë të Policisë Shkencore kanë bërë verifikimet e nevojshme dhe këqyrjen e automjetit që drejtohej nga djali i tij i madh Frenkli, në momentin që u godit me shotgun. Ndërsa në prezencën e tij dhe të psikologes janë pyetur rreth ngjarjes të dy djemtë e tij, të cilët fatmirësisht shpëtuan pa asnjë lëndim nga ngjarja e së hënës, kur po ktheheshin nga shkolla.  

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura