Policia bashkiake, aksion në rrugën “Qemal Stafa”

Aug 31, 2013 | 13:20
SHPËRNDAJE

TIRANE- Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke u ndalur sot ne rrugën “Qemal Stafa” e duke liruar hapesirat e zene nga shitesit ambulante.

Drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli ka shprehur vendosmërinë për të vijuar punën për lirimin e të gjithë hapësirave publike në kryeqytet, hapësira të cilat u përkasin qytetarëve të Tiranës dhe jo individëve apo subjekteve të veçanta, si edhe për të mbështetur çdo tregtar apo subjekt i cili tregton në mënyrë të ligjshme.

“Është e disata herë që Policia Bashkiake ka ndërmarrë iniciativa për të sensibilizuar dhe për të vepruar mbi këta tregtarë ambulantë por me sa duket nga ana e subjekteve ka qenë një reagim jo pozitiv, jo në zbatim të ligjit.  Janë gjithsej rreth 47 subjekte, ambulantë por edhe subjekte tregtare të cilët tregtojnë në mënyrë të paligjshme, në trotuare apo rrugë, atje ku pjesa e trotuarit u përket qytetarëve dhe jo tregtarëve ambulantë dhe pjesa e rrugës i takon parkimit dhe lëvizjes së lirë të automjeteve”- tha ai.

Sipas tij, policia Bashkiake është e vendosur për ta çuar deri në fund detyrën e saj dhe do të vazhdojë jo vetëm me gjoba, me masa administrative por edhe me bllokim të të gjithë pajisjeve apo mallrave që ata tregtojnë në këtë rrugë, në mënyrë të paligjshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura