Polici i plagosur, autor i dënuari me leje nga burgu

Jul 31, 2014 | 12:05
SHPËRNDAJE

Kastriot Preçi, polici i plagosur
Autori që plagosi me armë zjarri efektivin e policisë në Malësi të Madhe është një i dënuar i cili kishte marrë leje nga burgu.
 Lajmin e bënë të ditur burime nga Policia e Shkodrës, nga ku mësohet se një nga tre autorët e dyshuar është identifikuar si shtetasi Kristian Lumaj, 24 vjeç. Dyshimet për Lumajn lidhen me faktin ky i fundit është banor i zonës, me precedentë për grabitje, si dhe në arrati që pas largimit nga Burgu i Fushë-Krujës.
“Rreth orës 22:40 të së martës është marrë njoftim se tek ish-Hidrovori, fshati Hot në Malësi e Madhe, është plagosur me armë zjarri në krahun e djathtë punonjësi i policisë pranë Komisariatit Malësi e Madhe, Shkodër, SPZ kryeinspektor Kastriot Preçi, 47 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe. Ai ndodhet pranë Spitalit Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. U bë këqyrja e vendit të ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja, model 56”, bëri të ditur Policia. Sipas njoftimit të dhënë, nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi K. L., 24 vjeç, banues në fshatin Ivanaj, Komuna Kastrat Malësi. “Ky shtetas është i dënuar me parë për veprat penale ‘vjedhje në bashkëpunim’, ‘vjedhje me dhunë’ dhe ‘largim i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit’, i shpallur në kërkim policor me shkresë numër 65/61, datë 26.05.2014”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shkodrës.
Prej mbrëmjes së martë në zonën e Bajzës së komunës Kastrat kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat janë vënë në ndjekje të autorëve, por gjer tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret për kapjen e tyre. Ndërkohë që uniformat blu po bashkëpunojnë edhe me homologët e tyre fqinjë të Malit të Zi, pasi mendohet se autorët, duke shfrytëzuar terrenin malor dhe njohjen e zonës, të jenë fshehur përtej kufirit. Ngjarja e një nate më parë ku mbeti i plagosur efektivi i policisë ka ndodhur kur dikush ka njoftuar në telefon sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe se pranë shinave të trenit, në vendin e quajtur ish-Hidrovori në Bajzë, po grabitet një banesë. Pas marrjes së këtij njoftimi, drejt vendit të ngjarjes është nisur menjëherë grupi i gatshëm me dy punonjës të policisë, mes të cilëve edhe efektivi Kastriot Preçi. Në momentin që kanë mbërritur pranë shinave të trenit dhe kanë zbritur nga automjeti, në drejtim të tyre është qëlluar pa paralajmërim me breshëri kallashnikovi. Ndërkohë dy punonjësit e policisë i janë kundërpërgjigjur sulmit me armë të tre personave, duke qëlluar me pistoletë. Për pasojë ka mbetur i plagosur në krah efektivi i Koplikut. Në këtë moment, tre autorët e krimit janë tërhequr, ndërsa dy efektivët e policisë kanë kërkuar përforcime. Në vend mbërritën menjëherë forca të shumta policore dhe nisën të plagosurin për ndihmë mjekësore.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura