Polici “i fortë” maqedonas vret dy të rinj shqiptarë për parkimin

Feb 29, 2012 | 12:35
SHPËRNDAJE

Urrejtja ndëretnike, një debat ordiner u mori jetën.

Dy të rinj shqiptarë janë ekzekutuar dje pas mesditës nga një polic maqedonas në qytetin e Gostivarit, pas një debati ordiner për parkimin e makinës. Incidenti shënon një tjetër rast të dhunës dhe urrejtjes në rritje kundër komunitetit shqiptar në Maqedoni, për të cilin nuk po ngrihet asnjë zë në mbrojtje, edhe pse janë më shumë se 25 për qind e popullsisë në këtë vend. Agjencia maqedonase e lajmeve, INA, raporton se polici pas debatit ka nxjerrë pistoletën e punës dhe i ka qëlluar dy të rinjtë, edhe pse nuk ka qenë në detyrë. Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup ka konfirmuar se vrasësi është Jaqim Trifunovski, 39 vjeç, punonjës i policisë në stacionin policor për sigurimin e kufirit shtetëror, Mazraça. Sipas raportimit të agjencisë INA, viktimat janë Imran Mehmeti, 29 vjeç dhe Besnik Shehapi, 26 vjeç. Incidenti u komentua edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme vendëse, Ivo Kotevski, i cili ka dhënë një version tjetër të ngjarjes, duke thënë se polici ishte sulmuar nga shqiptarët. “Punonjësi i policisë fillimisht ka shtënë me dy plumba në ajër në shenjë paralajmërimi. Por, më pas ka shtënë në drejtim të personave, nga të cilët është sulmuar, duke i plagosur të dy”, ka thënë Kotevski, duke dhënë versionin e tij. Vrasjet kanë ndodhur rreth orës 13:00. Sipas njoftimit zyrtar, MPB ka ndërmarrë të gjitha masat për ndriçimin e vrasjes së dyfishtë, ndërsa pritet ngritja e kallëzimit penal kundër punonjësit të policisë.

“Bisha dykokëshe”
Në Maqedoni këndohet prej nacionalistëve dhe është postuar në ueb-faqe të ndryshme, shumë e klikuar, një këngë antishqiptare me titullin “Bisha dykokëshe”, e cila i quan shqiptarët leckamanë, kaçakë edhe bisha të zeza. Urrejtja ndëretnike në këtë vend është shtuar që pas karnavaleve të fundjanarit, ku shqiptarët dhe feja islamike u poshtëruan nga maqedonasit dhe kjo rezultoi më pas me konfrontime fizike dhe djegie të pjesshme të dy kishave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura