Po divorcohej, babai vret të bijën 19 vjeçe, iku pa leje nga shtëpia

Mar 31, 2013 | 10:42
SHPËRNDAJE

Vret të bijën e divorcuar, pasi ishte larguar 3 ditë pa leje e pa adresë nga shtëpia. “Më turpërove për së gjalli. Na shkatërrove familjarisht”.

Janë këto fjalët e fundit të Nikoll Begut nga fshati Grykë e Lumit të komunës Shënkoll në rrethin e Lezhës para se të qëllonte dy herë për vdekje të bijën 19-vjeçare, Valentina. Krismat janë dëgjuar në dhomën e gjumit e më pas 50-vjeçari ka dalë prej andej me armë në dorë, duke i rrëfyer bashkëshortes se kishte vrarë vajzën e madhe. Ka qenë vetë ai që ka lajmëruar Policinë e Lezhës për krimin e kryer, forcat e së cilës e kanë gjetur autorin në pritje, bashkë me armën e krimit, pa bërë asnjë rezistencë. Krimi brenda familjes ka ndodhur rreth orës 18 e 30 minuta të ditës së djeshme. Burimet e Policisë së Lezhës konfirmojnë se shkak i vrasjes së 19-vjeçares nga i ati ka qenë mosbindja e saj e vazhdueshme ndaj urdhrave të tij e së fundi largimi nga banesa pa lejen e tij për 3 ditë me radhë.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se Valentina Begu ishte martuar rreth 1 vit e gjysmë më parë në fshatin Shënkoll të Lezhës me një djalë, fqinj me familjen e saj. Kishte qenë vetë Valentina që kishte zgjedhur për t’u lidhur në martesë me fqinjin e saj. Por, duket se gjatë martesës marrëdhënia mes çiftit të ri nuk kishte shkuar normalisht. I shoqi e kishte kthyer gruan në shtëpinë e prindërve me pretendimin se ajo e kishte tradhtuar. Pas kësaj, ai kishte kërkuar divorcin, i cili ishte ende në proces. Sipas burimeve të zonës, ndarja kishte ardhur pak muaj pas martese dhe prej 1 viti e reja ishte kthyer për të jetuar në banesën e prindërve të saj. Gjatë kësaj periudhe pohohet se herë pas here ajo largohej nga shtëpia e të atit, duke qëndruar për ditë të tëra pa u kthyer në banesë, ndërsa në asnjë rast nuk u kishte marrë leje prindërve apo të tregonte adresën se ku do të shkonte dhe qëndronte. Për këto arsye marrëdhëniet mes saj dhe të atit ishin të acaruara. Ato kishin marrë shkas që në kohën kur burri i kishte kërkuar divorcin e duke vazhduar me largimet e vazhdueshme nga shtëpia.

(Artikullin e plote te gazetarit ROLAND NIKOLLI e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura