Plumba drejt lokalit në lulishte, plagosen 4 klientë

Jul 31, 2013 | 13:16
SHPËRNDAJE

Panik në Durrës në mbrëmje, si pasojë e të shtënave nga dy armë të ndryshme. Katër persona mbetën të plagosur teksa ishin ulur në një nga tavolinat e vendosura përgjatë një bulevardi, që ndodhet në lulishten te stacioni i trenit në këtë qytet.  Policia e Durrësit bëri të ditur se mbetën të plagosur shtetasit Ilia Plaku, 56 vjeç, Bujar Luku, 65 vjeç, Hashim Hallulli, 50 vjeç dhe H.Lama, 55 vjeç. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes pohuan se dy persona kanë hapur zjarr drejt lokalit nga një makinë në ecje e sipër. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, kohë kur në këtë lulishte është kulmi i xhirove të darkës për shkak edhe të sezonit turistik. Dhjetëra banorë durrsakë, por edhe pushues të ndryshëm janë ndodhur në vendin e ngjarjes. Burime në vendngjarje bënë të ditur se paniku ka qenë i madh dhe janë dëgjuar edhe britma si pasojë e tmerrit të krijuar nga të shtënat. Vëllai i të plagosurit Hallulli, i cili është ndodhur aty, u shpreh se: “jemi shtrirë të gjithë përtokë nga tmerri. Kishte me qindra qytetarë në atë lulishte. Nga një makinë në lëvizje u qëllua në drejtim të lokalit, por nuk dimë se cila ishte shënjestra. Ne nuk kemi probleme me asnjeri”. Policia e Durrësit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Autorët e krimit janë larguar nga vendi, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Dëshmitarët kanë përshkruar me sa kanë mundur dy autorët dhe makinën e tyre, por pa mundur të japin të dhëna për identifikimin e tyre. Të plagosurit u çuan menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve, ata kanë marrë plumba nga këmbët, por pas ndihmës së parë jeta e tyre është jashtë rrezikut. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes u shprehën se kishin parë tmerr, pasi personat ishin me armë në dorë dhe qëlluan drejt tyre. “Kushdo mund të vritej. Mund të vriteshin edhe njerëz të pafajshëm, kalimtarë apo pushues që bënin xhiron e darkës. Shpëtuam për fije nga plumbat”, u shpreh një dëshmitare e ngjarjes. Policia ka marrë në pyetje klientët dhe kamerierët e lokalit, por edhe dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë parë dinamikën e kësaj ngjarjeje që tronditi mbrëmë Durrësin. Deri në orët e vona nuk është bërë i mundur arrestimi i autorëve, ndonëse policia vuri menjëherë disa postblloqe në të gjitha hyrjet dhe daljet e Durrësit. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar nëse personat kanë pasur konflikte në ditët e fundit dhe nëse shënjestra ishin të plagosurit apo persona të tjerë. Emrat e tyre nuk rezultojnë në listat e personave me precedentë penalë. 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura