Plehrat, PS në Kuvend ndryshon ligjin e Qeverisë

Oct 8, 2013 | 13:02
SHPËRNDAJE

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, 5 amendamente për ligjin.

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, i drejtuar vetëm nga deputetët e maxhorancës, ka amenduar dje projektligjin e parë të qeverisë “Rama”, duke shtuar në këtë draft një sërë përmirësimesh që ishin harruar në draftin e propozuar.  Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë, Eduard Shalsi, bashkë me deputetin tjetër të PS-së, Besnik Bare, kanë propozuar që projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të ndryshojë në 5 nenet e tij, duke i riformuluar ato. Në mbledhje morën pjesë vetëm deputetët e PS-së dhe të LSI-së, pasi demokratët dhe aleatët e tyre, ashtu siç kishin paralajmëruar, nuk morën pjesë në punët e komisioneve. Në projektligjin e propozuar nga qeveria, nuk ishte ndryshuar neni 62 i projektligjit bazë, i cili parashikon sanksionet dhe kundërvajtjet për importin e mbetjeve që, në ligjin bazë, aplikoheshin vetëm për mbetjet e rrezikshme. Ndërsa Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese vendosi që gjobat të aplikohen edhe për importin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, pasi vetë ligji ndalon çdo lloj importi. Shkelësit e këtij neni do të gjobiten me 1.5 milionë lekë deri në 2 milionë lekë të rinj.
Prezantimi
Projektligji i Këshillit të Ministrave është prezantuar dje nga Pëllumb Abeshi, drejtor i Politikave ne Ministrinë e Mjedisit, i njëjti person që në vitin 2011 mbrojti idenë e lejimit të importit të mbetjeve. Në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë, Abeshi theksoi se sasitë e importuara të mbetjeve janë të vogla, krahasuar me mbetjet që prodhohen në vend dhe, për këtë arsye, është i nevojshëm kufizimi i çdo importi. “Qëndron se sasia që importohet, është relativisht e vogël, ndërsa sasitë që gjenerohen brenda tregut të brendshëm, këto kërkesa për të eksportuar, janë relativisht të mëdha; Që do të thotë, në konceptin tonë, tregu i brendshëm gjeneron sasi të mëdha, të mjaftueshme për industrinë e riciklimit”, theksoi Abeshi. Ndërkohë që kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, disa herë paralajmëroi funksionarët e Ministrisë së Mjedisit se do të monitorohen nga Kuvendi. “Në cilësinë e kryetarit të Veprimtarisë Prodh-uese do të kontrollojmë dhe do të monitorojmë me shumë kujdes dhe do të kërkojmë llogari se ku jemi me angazhimet e marra përsipër. Është e pamundur që të pranojmë një Shqipëri të tillë në vitin 2013”, tha Shalsi.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura