Platini në Finlandë, shtanget nga shqiptarët

Oct 31, 2014 | 13:40
SHPËRNDAJE

Për komunitetin mbarëshqiptar ai është kthyer nga engjëll në djall. Nëse deri para pak kohësh ishte një personalitet, një figurë me të cilin kushdo dëshironte të kishte një kujtim, një person i cili është pritur në mënyrë madhështore gjithnjë kur ka shkelur në Shqipëri, tanimë ai është “shënjestra kuqezi”. Bëhet fjalë për Mishel Platininë, i cili identifikohet nga shqiptarët si shkaktari për mosdhënien drejtësi të maskaradës së 14 tetorit në Beograd. Kësisoj, kudo ku ai shkon tanimë, gjen kundërshtimin kuqezi. Dje, presidenti i UEFA-s ka qenë në vizitë zyrtare në Finlandë, për të marrë pjesë në një ceremoni të organizuar nga skuadra e Helsinkit. Francezi u ftua nga krerët e këtij klubi finlandez, mirëpo jo gjithçka ka shkuar mirë për të. Ai është pritur me protesta nga emigrantët shqiptarë dhe studentë atje, të cilët kanë vijuar përgjatë gjithë kohës së qëndrimit në Helsinki me ofendime, kritika dhe parulla kundër tij dhe UEFA-s. “Duam drejtësi!”, “UEFA është mafia”! “UEFA = korrupsion!” “Jo racizmit!” “Jashtë Platini!” “Platini, sa kushton?”. Këto ishin disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit. “Duam që UEFA të anulojë vendimin racist dhe të ndryshojë rezultatin e ndeshjes në 3-0 për Shqipërinë”, ka thënë njëri nga protestuesit për mediat finlandeze (iltalehti.fi). Në fillim të manifestimit paqësor ishin më shumë se 50 shqiptarë, të cilët i bënë kësisoj një pritje të paimagjinueshme Platinisë. Më pas, sikundër referojnë mediat e këtij vendi, në përkrahje të protestuesve dolën edhe disa vendës, të cilët mbështetën kauzën e drejtë të shqiptarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura