Platinette flet për Shqipërinë tek Chiambretti show

Jan 31, 2012 | 14:33
SHPËRNDAJE

Mauro Coruzzi-Platinette

Coruzzi, i ftuar në “Chiambretti Sunday Show”, “Italia 1”

Një nga figurat më të njohura televizive italiane ishte i ftuar special i Krastës në “A show”

Pa u shfaqur ende në ekranet shqiptare, por vetëm në Pallatin e Kongreseve me një spektator të përzgjedhur nga vetë protagonisti i saj, jehona e “A show” të Krastës ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke nxitur një debat të nxehtë mbi realitetin tonë, tek “Chiambretti Sunday Show”, një talk show shumë pikant dhe shumë i ndjekur në Itali, me moderator Piero Chiambretti-n. Arsyeja pse Shqipëria u bë objekt diskutimi në një format televiziv që gëzon një audiencë të madhe, ishte prezenca e Platinett, i ftuar i programit të Chiambretti-t dhe një nga të ftuarit e Krastës tek show i tij. 57-vjeçari Mauro Coruzzi, me emër arti Platinett, një gay i deklaruar, i cili ka një karrierë të gjatë radiofonike, televizive dhe kinematografike, është sot një nga personazhet më interesantë në botën italiane të televizionit, për komentet inteligjente, ironinë e hollë dhe batutat spontane. Platinett tek “Chiambretti Sunday Show”, shfaqur këtë të diel, vuri me shpatulla mbas murit një nga figurat politike më të rëndësishme italiane, teksa po i rrëfente impresionet gjatë vizitës në Shqipëri. “Unë isha në Shqipëri dhe, para se të shkoja atje, kisha një mendim negativ për atë vend, por kur e pashë me sytë e mi, u befasova. Atje qeverisnin në koalicion të majtë e të djathtë bashkë dhe kjo kishte krijuar një situatë të mirë. Realisht u befasova se e di mirë që ju as që mund ta imagjinoni të bëni kompromise të tilla politike për të mirën e vendit. Aty kuptova se shqiptarët qenkemi ne, jo ata”, u shpreh Platinett gjatë “Chiambretti Sunday Show”.
Ne shqiptarët që jetojmë ditë për ditë këtu dhe realiteti që ne prekim, nuk është vetëm ai i Sheratonit dhe Pallatit të

Piero Chiambretti, drejtuesi i “Chiambretti Sunday Show”

Kongreseve, mbase nuk mund të biem dakord me mendimin e Platinett, por konkluzionet që nxjerr, na bëjnë të mendojmë dy gjëra: e para, në perceptimin e italianëve fjala “shqiptar” është sinonim i fukarallëkut ekstrem dhe e dyta që italianët qenkan aq keq, sa na kanë zili edhe ne, përderisa u dukemi se ia kalojmë kaq mirë. Gjithsesi, ky është mendimi i një njeriu, por që ka jo pak peshë për të influencuar edhe në opinionin e masës falë hapësirave që ia krijon media. Fotot e Platinett me Krastën u shfaqën gjatë programit dhe në këtë rast mund të thuhet pa frikë se moderatori ynë i mirënjohur fitoi vëmendje mediatike në një program shumë prestigjioz dhe ky mund të quhet një sukses i tij.
Në javët në vijim, ne do mund të ndjekim talk show-n e Krastës tek “Vizion plus” dhe, ende pa filluar, ne mund të imagjinojmë një format të përafërt me “Chimabretti Sunday show”, ku realiteti në të cilin jetojmë, vjen i trajtuar me gjuhën e zhdërvjellët, inteligjente, herë-herë ironike dhe shpotitëse të Krastës. Ndërkohë, nuk dihet se sa vend do të zërë politika shqiptare në talk show-n e tij, si do trajtohet ajo dhe a do të përafrohet Krasta me filozofinë e Chiambretti-t, i cili thotë se: “Të bësh talk show, do të thotë të përdorësh një satirë politike shumë agresive”. Sa agresiv do të jetë Krasta? Sonte në darkë mund të fillojmë të krijojmë një ide, ku telespektatori do ndjekë shfaqjen e tij të parë “A show” në “Vizion plus”.

ERMIRA SHPETIMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura