Plagos dy vëllezërit për vaditjen

Jul 31, 2012 | 13:07
SHPËRNDAJE
Fshati Bejar, ku ndodhi ngjarja

Radha e vaditjes çon në përleshje tre vëllezër. Dy prej tyre u qëlluan me thikë nga vëllai i madh, pasi kërkonte të ujiste i pari të mbjellat. Ngjarja e rëndë është shënuar në fshatin Bejar të komunës Fratar, në rrethin e Mallakastrës. Siç bëhet e ditur nga burimet policore, shkak i sherrit mes vëllezërve ka qenë pronësia. Një vijë uji vaditëse që kalonte në pronat e të tre vëllezërve kishte sjellë herë pas here konflikte mes palëve. Edhe ditëm e djeshme, vëllezërit Nukaj janë përfshirë në të njëjtën situatë. Dëshira e secilit për të vaditur i pari mbjelljet e stinës ka bërë që 39-vjeçari Fitim Nukaj, Ardian Nukaj, 41 vjeç dhe Vladimir Nukaj, 52 vjeç, të përleshen mes tyre duke pretenduar radhën e vaditjes. Ka qenë ky i fundit, Vladimir Nukaj, ai që pas debatit të ashpër verbal, më vonë i precipituar në përleshje fizike, ka nxjerrë thikën dhe ka plagosur rëndë dy vëllezërit e tjerë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy vëllezërit e plagosur e kanë kundërshtuar autorin dhe kanë qenë të dy në të njëjtën linjë qëndrimi, atë të ndjekjes së grafikut sipas radhës për vaditje. Kjo gjë është kundërshtuar me forcë nga autori Vladimir Nukaj, i cili pretendonte se po i thaheshin të mbjellat dhe se kishte nevojë emergjente për të vaditur i pari. Pas ngjarjes, kanë qenë banorë të zonës ata që u kanë ardhur në ndihmë të plagosurve, ndërsa kanë lajmëruar dhe policinë. “Ka qenë mesditë kur dëgjova tone të larta dhe sherr mes vëllezërve. Mendova të ndërhyja, por pastaj thashë me vete ta gjenin me njëri-tjetrin se ishin vëllezër. Vetëm kur pashë duke vrapuar Vladimirin, më shkoi mendja se diçka e keqe mund të kishte ndodhur. Kur shkova te tokat e tyre, që i kanë pranë njëri-tjetrit, pashë të shtrirë Ardianin dhe Fitimin. Më vonë njoftova policinë”, është shprehur S. M., bashkëfshatar i vëllezërve Nukaj. Kjo e fundit ka shoqëruar për në Spitalin e Ballshit dy vëllezërit e plagosur, ndërsa ka vijuar kërkimet për kapjen e autorit, i cili vetëm pak minuta më pas është gjetur në tentativë për t’u larguar. Uniformat blu kanë deklaruar se është ndaluar shtetasi Vladimir Nukaj, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë.
Dy vëllezërit e plagosur Nukaj ndodhen në spital nën kujdesin e bluzave të bardha. Sipas këtyre të fundit, gjendja e tyre është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se vëllezërit kanë marrë disa goditje thike në pjesë të ndryshme të trupit. Autori është vëllai i madh, ndërsa ishin të tre të martuar. Mësohet se ende nuk është marrë dëshmia e vëllezërve nga ana e policisë.

Te dhenat
Autori

Vladimir Nukaj, 52 vjeç

Të plagosur
Ardian Nukaj, 41 vjeç
Fitim Nukaj, 39 vjeç

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura