Pirateria me dixhital, në pranga 2 biznesmenë

Jul 31, 2011 | 10:25
SHPËRNDAJE

Një numër prej 12 personash janë arrestuar në katër qytete me akuzën e mashtrimit kompjuterik dhe pirateri, në dëm të kompanisë “Digitalb”. Arrestimet u kryen nga Seksioni Kundër Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të aksionit që është koduar me emrin “Transmetimi 2”.

Meqenëse personat që kryenin krimin ishin të vendosur në katër qytete, policia e Tiranës e realizoi këtë aksion në bashkëpunim me policitë lokale të Elbasanit, Fierit, Durrësit dhe Gjirokastrës. Bazuar në informacionet paraprake, policia tha se në kuadër të operacionit policor “Transmetimi 2” u zbatuan 20 vendime të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për lejimin e kontrollit të ambienteve në disa subjekte tregtare dhe banesa të cilat ndodheshin në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës, Gramsh, Mallakastër, ku në këto ambiente dyshohej se nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe internetit është transmetuar në mënyrë të paligjshme sinjali i disa kompanive televizive dixhitale, si “Digitalb”, “Tring”, “Sky”, “Nova” etj.

Pas kontrollit, policia pohoi se ka arritur që në ambientet e dyshuara të sekuestrojë prova të rëndësishme për hetimin, siç janë 46 aparate te ndryshme të klonuara për marrjen dhe transmetimin e sinjaleve televizive. Nga kontrollet janë sekuestruar edhe 9 sisteme kompjuterike të përshtatura si servera, për administrimin e rrjetit të transmetimit, gjashtë njësi kompjuterike “Laptop”, 4 copë Modemë, 134 CD dhe 36 copë karta televizive dixhitale të ndryshme. Burimet zyrtare të policisë thanë se pas gjetjes së këtyre provave është vendosur arrestimi në flagrancë i 12 personave që hetoheshin që prej gjashtë muajsh në kuadër të procedimit Nr.945 të vitit 2011 për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”. Hetuesit thanë se 12 personat në rrethe të ndryshme të vendit kishin arritur që ta ritransmetonin sinjalin televiziv të kompanisë “Digitalb” në mënyrë të paligjshme. “Personat e arrestuar kanë realizuar nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe internetit, transmetimin në mënyrë të paligjshme duke i marrë nga sinjali i kompanisë televizive ‘Dixhitalb’ në Shqipëri”, thanë burimet zyrtare të policisë.

Sipas tyre, pasi blinin një kartë të kompanisë në fjalë, me anë të pajisjeve kompjuterike dhe programeve të zotëronin, të arrestuarit kryenin shumëfishimin e sinjalit dhe shpërndarjen e tij tek abonentët në mënyrë kabllore. Ata e ofronin këtë shërbim në qytetet Elbasan, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, duke u dhënë qytetarëve paketat e programeve televizive me sinjal të vjedhur me gjysmën e çmimit që e ofronte kompania “Digitalb”. Sipas hetimeve të policisë, të arrestuarit e kanë realizuar këtë duke riprogramuar aparatet dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit dhe duke marrë të dhëna në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive dixhitale.

Ky është rasti i tretë që policia në një aksion kaq masiv godet grupet e personave që kryejnë vjedhjen dhe transmetimin e paautorizuar të sinjalit të kompanisë “Dixhitalb”, duke arritur përfitime të paligjshme. Dy grupe personash janë goditur më parë në Tiranë dhe në rrethe, pasi aplikonin programe për transmetimin e sinjalit, si dhe klononin karta të vlefshme për marrjen e sinjalit televiziv në fjalë.

TË ARRESTUARIT
1. Ervin Capi, 23 vjeç, Tiranë, inxhinier informatike.
2. Dorian Ligori, 30 vjeç, Tiranë
3. Boiken Koci, 23 vjeç, Tiranë, student
4. Erlin Shehaj, 25 vjeç, Tiranë, inxhinier
5. Petrit Dilaveri, 63 vjeç, Tiranë, polic
6. Kidas Mehmeti, 23 vjeç, Tiranë, student
7. Aleks Cuko, 59 vjeç, Tiranë
8. Enri Miho, 21 vjeç, Tiranë, student
9. Aldo Frasheri, 26 vjeç, Tiranë, inxhinier
10. Klodian Brace, 33 vjeç, biznesmen
11. Vasil Fani, 46 vjeç, Tiranë, inxhinier
12. Altin Hoxha, 42 vjeç, Tiranë, biznesmen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura