Pikantet e Skënderbeu-Laçi/ Ndeshje e përjetuar duke parë celularët, Cungu dhe Qato e mbyllin ndeshjen në lot

May 9, 2024 | 17:38
SHPËRNDAJE

Që do të ishte një ndeshje dramatike dhe me shumë tension ishte diçka që ndihej në kampin korçar, madje edhe në shkallët e stadiumit. Kjo edhe për faktin se gjatë gjithë takimin, sportdashësit kryesisht në tribunën qendrore të stadiumit kanë qenë të dyzuar me njërin sy te ndeshja që luhej në Korçë dhe me syrin tjetër te rezultatet e ekipeve rivale.

CUNGU LOT

Prandaj edhe për këtë atmosfera në shkallët e stadiumit ka qenë e ndjerë deri në mbyllje të takimit, me tifozët që bënin çdo llogari të mundshme për verdiktin final të sezonit. Ja momentet më pikante të Skënderbeu-Laçi nga “Panorama Sport”.

* Tensioni që qarkullonte në tribuna duket se zbriti edhe në fushë, pasi edhe lojtarët dhe stafet e dy ekipeve në pjesën më të madhe të ndeshjes kanë qenë të ngrirë dhe kërkonin mbi të gjitha kujdes nga lojtarët në fushë për të mos komplikuar situatën.

* Barazimi i Tiranës dhe humbja e Dinamos në ndeshjet respektive ishin mesazhet që përcilleshin deri në pankinën korçare gjatë gjithë kohës, derisa Laçi kaloi në avantazh. Nga ky moment gjithçka mori një rrjedhë tjetër edhe për faktin që me këtë rezultat Skënderbeu komplikonte qëndrimin në Superiore.

* Në shumë momente trajneri bardhekuq humbi disi toruan duke arritur në limite për të dalë nga vetvetja. Gabimet e shumta në prapavijë nuk mund të kapërdiheshin kollaj nga një ish-mbrojtës që shpërtheu në kritika për Rabiun duke i kërkuar herë pas here të qetësohej.

* Goli i Skënderbeut u përjetua shumë ndryshe në pankinën laçiane. Irritim, nervozizëm dhe dëshpërim ishin emocionet që përfshinë stolin bardhezi dhe pjesëtarët e stafit në tribunë.

* Përfundimi i ndeshjes solli gëzim në Korçë dhe në stafin bardhekuq që duke u bashkuar me rezultatet e prodhuara nga ndeshjet e tjera të kësaj jave u shumëfishua. Në fundin e sfidës, nuk munguan as lotët në kampin kurbinas. I pari që shpërtheu në lot ishte mesfushori Klinti Qato. Ndërkohë, lot u panë edhe në sytë e trajnerit Armando Cungu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura