Pi fostoksinë 6 muaj pas vetëvrasjes së të shoqit

Jan 31, 2012 | 14:43
SHPËRNDAJE

Ndërron jetë në spital. Policia: Gruaja me depresion nga dhuna e të birit

Pogradec, 46-vjeçarja çon sms nga hoteli: Po vetëhelmohem

Gjashtë muaj pas vetëvrasjes së të shoqit, një 46-vjeçare nga fshati Kreshpanjë ka shkuar drejt vetëflijimit. Në mënyrë dramatike gruaja i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë, pasi ishte mbyllur në një dhomë hoteli në qendër të qytetit të Pogradecit.

Flutura Pine ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal, pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine dhe pavarësisht se është gjetur në ambientet e hotelit me shenja jete, ajo nuk ka mundur të mbijetojë. Shkak që e ka çuar drejt aktit të vetëflijimit kanë qenë problemet familjare të gruas, e cila, pas vetëvarjes së të shoqit dhe problemeve me djalin e saj që sapo kishte dalë nga burgu, ka vendosur t’i japë fund jetës. Vetëm pak ditë para një ceremonie përkujtimore për bashkëshortin e saj të vetëvarur, gruaja ka marrë vendimin për ta mbyllur jetën e saj edhe pse nuk vuante nga gjendja depresive.
Tronditja e thellë që ka pësuar pasi e ka gjetur vetë bashkëshortin e pajetë në banesën, të cilën ishin duke e ndërtuar dhe reagimet e dhunshme të të birit, e kanë vendosur Flutura Pinen para një rruge pa krye, duke e bërë kështu që të ketë një tronditje të thellë mendore që e ka çuar në vetëhelmim. Gruaja pasi është larguar nga banesa, ka shkuar fillimisht në një prej hoteleve kryesorë të qytetit liqenor dhe pasi ka kryer pagesën për një natë është mbyllur atje për të mos dalë më. Sipas punonjësve të hotelit, gruaja ka shkuar dhe është regjistruar pasditen e së dielës me një sjellje normale, por mëngjesin e së hënës, dy automjete të policisë dhe një autoambulancë kanë kërkuar hapjen e menjëhershme të dhomës ku ajo kishte qëndruar. Pasi kishin trokitur paraprakisht punonjësit e Policisë kanë insistuar që të hapej dera e dhomës së 46-vjeçares, ku kanë gjetur trupin pa ndjenja të gruas. Menjëherë ajo është transportuar në spital. Mjekët janë kujdesur për orë të tëra t’i jepnin ndihmën e parë të nevojshme, por prej fillimit gjendja e saj ka qenë kritike, duke bërë që gruaja të humbasë jetën pas disa orë qëndrimi në reanimacion.
Ka qenë një mesazh lamtumire dërguar familjarëve që ka dhënë sinjalin fillestar për vetëflijimin që ishte duke kryer gruaja. “Lamtumirë, ju dua shumë. Nuk e përballoj dot më këtë gjendje dhe problemet e mia, ndaj do t’i jap fund jetës te hotel ‘Enkelana’ në Pogradec”, ka qenë mesazhi shkrimor që 46-vjeçarja Flutura Pine i ka dërguar motrës së saj. Kjo e fundit, pasi ka lexuar përmbajtjen, ka dhënë edhe sinjalin për policinë, e cila e ka gjetur gruan në grahmat e fundit të jetës. Pas marrjes në pyetje të familjarëve, është arritur në konkluzionin se shkaku që e ka çuar gruan në vetëvrasje ka qenë pikërisht gjendja e rënduar psiko-logjike si pasojë e problemeve me djalin e saj. Sipas deponimit të familjarëve, i biri ka qenë i burgosur për veprën penale të shpërndarjes së narkotikeve dhe vetëm pak kohë më parë ka dalë nga burgu ku ka vuajtur dënimin. Dhuna psikologjike dhe fizike që ushtronte djali ndaj të dy prindërve duket se i ka çuar ata drejt aktit fatal të vetëflijimit. Pas humbjes së bashkëshortit, i cili u gjet i varur pikërisht në kuzhinën e banesës së tij në ndërtim e sipër, e vendosur përballë situatës ku duhet të përballej e vetme me problemet e shumta, edhe gruaja ka marrë vendimin për t’i dhënë fund jetës.

Vetëvarja e bashkëshortit, pas arrestimit të djalit
Robert Pine u vetëvar pasi kishte denoncuar djalin e tij, sepse ky i fundit dhunonte në mënyrë sistematike atë dhe bashkëshorten. Pas arrestimit të djalit të tij për shpërndarje të lëndëve narkotike, si dhe për dhunën që ushtronte në mënyrë të vazhdueshme ndaj të dy prindërve, 57-vjeçari Pine është vetësakrifikuar nga ndjenja e fajit dhe situata e vështirë në të cilën ndodhej.

POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura