Përvaza mashtroi të sëmurët në Lushnjë si punonjës i “Caritas-it”

Apr 30, 2011 | 9:53
SHPËRNDAJE

Njëri prej të arrestuarve nga Policia e Tiranës, gjatë operacionit “Prokurori i rremë”, Renato Përvaza, ishte liruar nga burgu në vitin 2005, ku vuante dënimin për mashtrim. Rreth nëntë vjet më parë, Përvaza, ishte dënuar, pasi i kishte marrë një familjeje 1500 euro, duke u premtuar se do të dërgonte në Itali për kurim të afërmin e tyre të sëmurë. Përvaza atëherë prezantohej me emrin Riza Bardhi dhe mashtronte duke treguar se ishte punonjës i “Caritas” dhe se bashkëpunonte me zv.minis-trin e Punëve dhe Çështjeve Sociale dhe atë të Shëndetësisë. Këto të dhëna ua përsëriste qytetarëve në Lushnjë, që detyra e tij të ishte e besueshme. Madje Përveza pretendonte se me njohjet që kishte mund të krijonte lidhjet me një spital në Rimini të Italisë, ku, sipas tij, mund të kuroheshin personat me sëmundje të rënda dhe që në Shqipëri nuk u jepeshin shpresa për jetën. Rasti i denoncuar në Policinë e Lushnjës në vitin 2001 dhe që dënoi më pas Renato Përvazën ishte i një familjeje që kishte djalin të sëmurë në gjendje të rëndë dhe i kishin humbur shpresat për jetën e tij. Përveza kishte biseduar me ta dhe kishin rënë dakord që brenda pak ditësh “Caritas-i” do të mundësonte udhëtimin e të sëmurit drejt Riminit në Itali dhe atje do ta prisnin disa mjek, më të cilët Përvaza pretendonte se kishte rënë dakord për shtrimin në spital dhe kurimin. Kjo histori i kushtoi familjes 1500 euro, para të cilat nuk kanë hezituar t’ia jepnin personit që u ofroi ndihmë. Por, pasi mori paratë, premtimi u harrua dhe familjarët e të sëmurit nuk mundën më të bisedonin me “punonjësin e Caritas-it”, duke kuptuar që gjithçka ishte mashtrim. Renato Zef Përvaza me vendimin numër 116, të datës 30 dhjetor 2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, në bazë të neneve 143 dhe 189 të Kodit Penal. Në atë periudhë, Përvaza, ishte prezantuar me gjeneralitetet, Riza Bardhi, i biri i Aliut dhe Kimetes, i datëlindjes 1969, lindur në Prishtinë, Kosovë dhe banues në Rimini të Italisë. Prokurori i çështjes në ngarkim të tij, për akuzën e mashtrimit, që ka kërkuar dënimin e tij me burg, ka qenë prokurori emri i të cilit është përdorur nga i arrestuari në rastin e fundit të mashtrimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura