Personi nën hetim emërohet në Tatime

Feb 28, 2014 | 12:17
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
TIRANE – Hetohej për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës ndërkohë që është emëruar shef sektori në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës. Klodian D. ishte marrë në hetim që prej datës 3 maj 2013, pas një kallëzimi penal të bërë ndaj tij, ndërsa pak muaj më parë, duke qenë i dyshuar nga prokuroria, rezulton të jetë emëruar në organet tatimore. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Krujës thanë se ditën e djeshme kanë përfunduar hetimet dhe kanë dorëzuar në gjykatë dosjen penale ndaj 35-vjeçarit. Akuza e ngritur ndaj tij, sipas Prokurorisë, është “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Sipas Prokurorisë, më 3 maj 2013 është filluar procedimi penal pas kallëzimit të marrë nga kompania “R…”. Sipas kallëzimit dhe hetimeve që u kryen më pas ka rezultuar se personi nën hetim, Klodian D., ka filluar punë pranë kësaj shoqërie më 1 dhjetor 2011 me pozicionin e punës si shitës i produkteve të kësaj kompanie. Këtë detyrë i hetuari e ka ushtruar për një afat kohor një vit e 4 muaj dhe në këtë periudhe kohore ai ka furnizuar klientët e kompanisë për zonën e jugut të Shqipërisë. Nga kontrolli i bërë në fund të vitit 2012 nga kompania “R…” për debitorët e zonës së Klodian D., ka rezultuar se disa klientë ishin pasqyruar si debitorë prej tij ndërkohë që ia kishin shlyer faturat këtij personi. Sipas Prokurorisë, për këto fatura shtetasi Klodian D. ka nënshkruar se e pranon detyrimin dhe do t’i shlyejë deri në fund të marsit 2013, kjo referuar procesverbaleve të nënshkruar nga vete Klodiani, të cilat janë administruar në dosjen hetimore. Prokuroria gjatë hetimit ka pyetur persona që tregojnë rrethana të ngjarjes, konkretisht punonjësit e kompanisë “R…”, dhe ka rezultuar se: “Më datë 11 shkurt 2013 është bërë një mbledhje e kompanisë dhe ka dalë një problem me agjentin e shitjeve Klodian D., pasi disa klientë mohuan detyrimet që kishin karshi firmës. Në mbledhje është lënë detyrë që dy punonjës të shkonin dhe të merrnim kontakt direkt me klientët në rrethet ku kishte zonën Klodian D., së bashku me këtë të fundit. Ai ka refuzuar të merrte kontakt me klientët. Punonjësit kanë komunikuar me klientët, ku një pjesë e tyre e kanë pranuar detyrimin karshi firmës, por një pjesë nuk e kanë pranuar detyrimin, pasi kanë pohuar se pagesat ia kanë bërë shtetasit Klodian D. Një biznesmen nga Vlora është pyetur dhe ka thënë se ka kërkuar materiale ndërtimi te kompania ku punonte i dyshuari në Krujë. Pasi malli ka mbërritur në Vlorë, Klodian D. është prezantuar si menaxher i firmës, i ka thënë çmimin e mallit verbalist, ka marrë paratë dhe nuk ka lëshuar faturë, edhe pse blerësi e ka kërkuar një gjë të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura