Personazhet e “Big Brother”, nën ethet e fushatës

Apr 30, 2011 | 13:54
SHPËRNDAJE

Politika për disa prej tyre ka qenë mendimi i parë që u ka shkuar në mendje, para se të lënë shtëpinë e “Big Brother”, ndërsa për të tjerë ka qenë i fundit, pasi nuk hyn në ambiciet për jetën. Disa kanë marrë oferta për të mbështetur me imazhin e tyre kandidatët e partive kryesore për bashkitë dhe minibashkitë për zgjedhjet lokale të 8 majit. Janë popullarizuar aq shumë, sa të paktën një ofertë për të bërë show, apo për të qenë të përfshirë në fushatën e zgjedhjeve lokale, e kanë marrë të gjithë, edhe pse vetëm disa prej tyre e kanë pranuar. Ka nga ata që kanë zgjedhur të jenë thjesht imazh, të tjerë kanë bërë plane serioze për të hyrë në politikë. Në fund të fundit politika i josh të gjithë. Le të zbulojmë ambiciet e banorëve të “Big Brother 4”.

Ergysi: E ardhmja ime i takon politikës, pasi për mua politika është art në vetvete

24-vjeçari nga Shkodra, në “Big Brother” hyri për t’i dhënë një dimension tjetër, atë të një artisti që e shikon botën ndryshe, me shumë ngjyra dhe forma. Në fushatën e zgjedhjeve lokale 2011, Ergys Bamci është i vetmi konkurrent i BB4 që mban fjalime politike për Partinë Demokratike. Aktori i teatrit “Migjeni” tregon për arsyet pse ka hyrë në politikë.
Ergys, je angazhuar në fushatën e zgjedhjeve lokale në Shkodër me Partinë Demokratike. Lidhet me bindjet e tua politike apo prej kësaj partie e more ofertën?
Patjetër që po, me një dëshirë dhe vullnet të plotë madje. Jam angazhuar me Partinë Demokratike, sepse tashmë siç e dinë të gjithë historinë time familjare, unë jam lindur e rritur në internim në kampet e ndryshme të komunizmit. Ndërkohë që po bëj fushatë në Shkodër për kryetarin e Bashkisë, Lorenc Luka, pasi vetë z.Luka ka lindur në Saver të Lushnjës, ku dhe është bërë 9 vjeç në internim, bashkë me familjen e tij. Dua të them që përfshirja ime në politikë nuk është ftesë nga Partia Demokratike, por është një detyrim imi, të përfaqësoj shtresën dhe krahun të cilit i përkas, për më tepër Lorenc Lukën, për t’i kthyer në njëfarë mënyre respektin dhe kujdesin e veçantë kundrejt meje.
Cila është axhenda jote tani në fushatë?
Unë jam i pranishëm në çdo lagje dhe zonë ku z.Luka bashkë me kandidatët për Këshillin Bashkiak shpalos axhendën e tij përpara qytetarëve. Unë nuk kam detyra, unë shpreh atë që ndiej. Jam zëri i të rinjve në këtë fushatë, dhe për këtë ndihem jashtëzakonisht mirë dhe besoj se të gjithë janë shumë të kënaqur që ndodhem “jashtë skenarit”, ose më mirë le të themi se në çdo takim kam një skenar të ndryshëm.
Ndryshe nga ish-banorët e tjerë të BB4 që asistojnë në fushatë si imazhe, ti mban fjalime si një politikan i vërtetë. Është kjo hera e jote e parë?
Unë i mbaj fjalimet artistikisht, por që përcjellin mesazhe të forta dhe të drejtpërdrejta politike.
Çfarë synon në politikë, ku dëshiron të pozicionohesh pas zgjedhjeve?
Si fillim, unë dua të fitojë alenca për qytetarin. Nuk kam asnjë lloj dyshimi për fitoren e Partisë Demokratike në qytetin e Shkodrës dhe po pres me padurim që të fitojë edhe Lulzim Basha në Tiranë. Pastaj, pse jo, një djalë i ri artist dhe i prezantuar gjerësisht në BB4, me koncepte dhe vizion perëndimor, të mos merret me pak art politik?! Do sillte një ndryshim edhe më artistik brenda ndryshimit të madh.
Kemi të bëjmë me një kontradiktë, meqenëse deri tani je prezantuar si një artist i vërtetë? E ardhmja jote do i takojë politikës apo artit?
Po, do të jem i angazhuar në politikë në mënyrën time, pasi siç jua thashë, për mua vetë politika është një art në vetvete.
Dimë që me emrin artistik “Gjenerali i Ushtrisë së Pabindur” organizon party në Shkodër, së bashku me Mirjetën. Pse zgjodhe Mirjetën për të bërë show netëve?
Nuk po organizoj party vetëm në Shkodër, por e kam nisur festën e parë aty ku më takon. Së shpejti, jam në një tour nëpër Shqipëri e më pas dëshiroj edhe në Kosovë. Kam krijuar një show grup të titulluar “THE PROTOTYPES”, ku bëj pjesë unë me emrin e artit që e njohin të gjithë; Gjenerali, Orget Sadiku (Saksofonist), me emrin e artit Mr. Search, dhe Mirjeta me emrin e artit “The English girl”, e cila është pjesë e performancave. Ne këndojmë “live” këngë të famshme rock për lokale me pak njerëz, por kemi edhe një repertor komercial për diskoteka të mëdha. Zgjodha Mirjetën për sjelljen dhe mentalitetin e saj anglez. Për momentin, ajo ka zgjedhur Shqipërinë për të jetuar dhe ndaj po bashkëpunojmë, pasi kemi rezidencë qendrore Shkodrën dhe jemi afër. Jemi miq të mirë të  dhe kemi gjetur një formulë të ëmbël artistike për të festuar me të gjithë.

Klodi dhe Jonela: Ja si jemi angazhuar në fushatë

Telefonata për të asistuar në fushatë, ka marrë dhe Klodi e BB4, e cila pohon se do të vendosë shumë shpejt se ku do të angazhohet më konkretisht. “Kam marrë ofertë nga Partia Demokratike, dhe jam duke menduar diçka, ndërkohë që shumë shpejt do të nis një punë të re, për të cilën do flas më vonë”, tha 19-vjeçarja, e cila është diplomuar në shkollën e mesme për Hoteleri –Turizëm. Ndërkohë që ajo ka pohuar se sapo ka nisur të jetojë një lidhje të re, pë të cilën do të flasë kur të vijë momenti. Një tjetër banore e BB4 ka pohuar për angazhim më konkret në fushatë. 21-vjeçarja, që ndjek studimet për Diplomaci, ka pohuar se është angazhuar me fushatën e Lulzim Bashës, si një aktiviste prej një viti e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Ajo pohon: “E shoh veten në politikë në të ardhmen, nisur normalisht dhe nga studimet që po ndjek për Diplomaci, dhe po ashtu ndiej se kam një lidhje me politikën, më pëlqen dhe aspiroj ta bëj në të ardhmen”.

Mirjeta dhe Shkëlqimi: Kemi marrë oferta, por s’na pëlqen politika

Për Mirjetën ekziston një kontradiktë familjare që e ka bërë të mos pranojë të përfshihet aspak në politikë. “Babai im është me bindje të majta, ndërsa unë vetë jam me bindje të djathta, ndaj vendosa më mirë të mos i pranoj ofertat që më erdhën për të asistuar si imazh në fushatën e Partisë Demokratike”, tha Mirjeta. 23-vjeçarja e ardhur nga Londra ka vendosur të jetojë për pak kohë në Shqipëri, por angazhimi i saj do të jetë show në lokale, ku e ndien veten edhe më mirë. Ajo është diplomuar për ekonomi, por ka eksperiencë në punë të ndryshme, siç është dhe menaxhimi i hoteleve. Po ashtu, një eksperiencë të ngjashme ka dhe djali nga Vlora, Çimi. Ai ka pohuar se ka marrë disa kërkesa për të qenë në fushatë, por është ende duke i menduar. “Më kanë kërkuar të jem prezent në fushatën e Partisë Demokratike që po bëhet në Vlorë, por s’kam marrë pjesë ende. “Do e mendoj mirë, pasi nuk më pelqen të merrem me politikë, nuk bëj tifo me asnjë dhe jam kundër politikës”, tha ai.

Ermela dhe Ervini: Jemi për show në fushatë, nuk kemi bindje politike

Ambicie e saj nuk është politika, por televizioni. Por si fituese e “Big Brother 4”, 24-vjeçarja nga Vlora, Ermela Mezuraj, do të ishte ndër të parat që ka marrë ofertën për të qenë e pranishme në një fushatë të nxehtë politike. Dhe ftesën e kanë marrë çift, së bashku me Ervinin, të dashurin e saj tashmë, 33-vjeçarin nga Tirana. “Jemi angazhuar në fushatën e Lulzim Bashës, por thjesht si imazh, pasi prania jonë atje nuk do të thotë se ne kemi bindje të caktuara politike, apo kemi synime për të hyrë në poltikë”, tha Ermela për gazetën “Panorama”. Jemi atje për të bërë show, për t’i dhënë pak ritëm fushatës, dhe pse jo për t’u takuar me fansat tanë, që me sa kemi parë, i kemi të shumtë”. Aktualisht, Ervini dhe Ermela po jetojnë një bashkëjetesë, mënyra që ata kanë zgjedhur për të njohur më mirë njëri-tjetrin. Ndërkohë që për sa u përket planeve të tyre, Ervini menaxhon palestrën e tij, ndërsa Ermela është duke menduar për një shfaqje në televizion.

Toros: Po mbështes fushatën e Bashës, synoj integrimin në PD

Edhe pse qëndroi vetëm 22 ditë në “Big Brother”, 37-vjeçari nga Durrësi kujtohet si ndër banorët më protagonistë në lojë. Me një jetë plot aventura në Itali e vende të tjera të botës, tashmë ai është rikthyer në Shqipëri për një fillm të ri. Ashtu siç e shprehu në prezantimin e tij para se të hynte në “Big Brother”, një nga hobet e tij përveç sporteve ishte politika, ndaj për të është ky momenti për të depërtuar. “Jam i angazhuar në fushatën e Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës dhe si ish i persekutuar, jam me bindje të djathta”, ka pohuar Toros për gazetën “Panorama”. Ai ka qenë i ftuar për të qenë i pranishëm në fushatën e Lulzim Bashës”. Por për Toros, kjo nuk është një prezencë momentale dhe thjesht për të kontribuar me imazhin e tij. “Qëllimi im është të angazhohem seriozisht në politikë dhe të integrohem në Partinë Demokratike, pasi synoj t’i shërbej pikërisht kësaj force politike”, thotë ai.

Algeni, Emilio, Elisa, Klaudia jashtë politikës

Ata që kanë vendosur të mos përzihen fare më punët e partive, janë Algeni, Emilio, Elisa e Kllaudia. Algeni preferon të qëndrojë larg mediave, derisa të vendosë për një angazhim të ri në televizion. Ndërsa Emilio, ka pohuar se për momentin po merret me punët e tij personale, duke mos preferuar të merret me fushatë. “Nuk më intereson cili do fitojë, mjafton të bëhet më e mira për Shqipërinë”, tha ai. Po ashtu Klaudia nga Saranda dhe Elisa e ardhur nga Anglia, kanë pohuar se nuk janë integruar ende në politikë.

 

 

Neda dhe Ogreni: Për momentin nuk duam të merremi me politikë, po shijojmë lidhjen

Çifti më i diskutuar në “Big Brother 4”, Ogren Balluku dhe Neda Karafili, kanë vendosur të qëndrojnë disi të tërhequr nga fushata politike për zgjedhjet lokale 2011, më 8 maj. Të pyetur nga gazeta “Panorama”, ata kanë pohuar se kanë preferuar të qëndrojnë larg përfshirjes në politikë, të paktën për momentin, ndërsa kanë preferuar më shumë të kalojnë kohë bashkë, duke shijuar lidhjen e tyre të dashurisë. Ndërkohë që Ogreni nuk dihet të ketë qenë i angazhuar më parë në politikë, me Nedën ka qenë ndryshe. Gjatë përiudhës që ajo ishte konkurrente në “Big Brother 4”, në faqet e shtypit rozë u botuan disa foto të saj me kryeministrin Sali Berisha dhe deputetin e Partisë Demokratike të Tiranës dhe kryetarin e Forumit Rinor të PD, Gerti Bogdani. Nuk dihet se cilat do jenë angazhimet e mëvonshme të Nedës 20-vjeçare, që ndjek studimet për Filozofi dhe Ogrenit 26-vjeçar, i diplomuar për Ekonomi.

 

KLOTILDA HARKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura