Përse duhet mbrojtur Lubonja

Aug 31, 2013 | 13:03
SHPËRNDAJE

ELSA BALLAURI

  Një nga shkrimet që ka bërë jehonë dhe ka ngjallur polemika gjatë kësaj vere, është ai i Fatos Lubonjës “Nën qiellin e Europës”, botuar në një të mërkurë, 17 korrik, në gazetën “Panorama”. Shkrimi është një analizë e personalitetit dhe veprimtarisë të liderit kosovar Haradinaj, ku shqetësimi i Lubonjës është abuzimi i pushtetit nga njerëzit e pushtetshëm. Reagimet janë një test i mirë për një publicist, përgëzimet apo kundërshtimet – të natyrshme, sidomos mbi një temë që nuk përfshin shqiptarizëm Shqipërie, por edhe Kosove.
Janë disa gjëra që më kanë bërë përshtypje pas shkrimit të Lubonjës, disa prej tyre të pritshme e të paralajmëruara. I tillë është reagimi “patriotik” i lexuesve. Kjo përkon me atë që ndodh në përgjithësi. Komentuesit, kryesisht anonimë, janë gjithmonë shumë të sigurt, mbajnë pozicion të përcaktuar dhe ekstrem. Ata janë ose pro, ose kundër, shumë rrallë ka nga ata që rreken të trajtojnë një opinion të paanshëm. Por kjo është e natyrshme, e pritshme dhe tepër normale. Këta njerëz nuk kanë marrë përsipër të flasin në emër të dikujt tjetër apo të një grupi të tërë. Por ajo që është shumë tipike dhe shqetësuese në komentet dhe antishkrimet në mediat shqiptare, është mënyra e ashpër e reagimit. Duket si skena e një zënieje, secili kap pozicion në cepat e dhomës dhe fillon e hedh kundër tjetrit gjithçka i kap dora. Sharjet, kërcënimet, goditjet fizike, pështyrjet, të gjitha këto janë pjesë e një skenari që shpeshherë justifikon atdhedashurinë dhe të ardhmen e ndritur të kombit. Kjo është mënyra jonë e të dashurit dhe ashtu si një çift që i kanë thyer mbi kokë njëri-tjetrit pjatat për vite me radhë, të nesërmen ose vazhdojmë luftën me të njëjtin ritëm, ose harrojmë çdo gjë. Dhe, nga ana tjetër, me gjithë komentet bardhezi apo të ashpra tej normales, ende kemi të bëjmë me opinione të lira qytetarësh apo fshatarësh që nëse e kuptojnë me pushkë apo me sfurk debatin, është e drejta e tyre ta zgjedhin këtë.
Rasti i shkrimit të Lubonjës me kritika ndaj  Haradinajt nuk u harrua lehtë. Natyrisht, kështu do të ndodhte sepse edhe figura e tij është aq heroike dhe e debatuar njëkohësisht.
Dy gjëra më kanë bërë ta ripërtyp këtë rast si një shqetësim të gjatë. E para, shqetësimi intelektual, qytetar dhe i pavarur i Lubonjës keqinterpretohet për shkak të stereotipit. Askush nuk mendon dhe mundohet të shkojë më tej se sa ajo që ka lexuar, të lexojë nën rreshta dhe të përpiqet të kapë domethënien e shqetësuar të autorit. Debati jashtë kornizës së stereotipit është një nga më inekzistentët në Shqipëri. Etiketimi “ose me mua, ose kundër meje” është psikologji jo vetëm e lexuesve anonimë, por edhe e atyre që pretendojnë se i japin kuptim dhe përmbajtje mendimit intelektual. Shqetësimi i Lubonjës është shqetësim për të gjithë politikën shqiptare, është shqetësimi për modelin pa model që justifikon çdo gjë dhe që nuk ka asnjë filtër moral e intelektual. Natyrisht që nëse ka vend dhe nevojë të bëhet, ky duhet të jetë një debat i gjatë dhe i thellë, pa inate dhe ulërima. Dyshoj se kjo është një temë që iu intereson shqiptarëve ta bëjnë, dyshoj se ka ardhur akoma koha që gjakrat e ulura të mos mbrojnë interesat klanore, por të shohin me kurajë vetëkritike dhe me qetësi rëndësinë e krijimit të një shoqërie për së mbari.  
E rëndë është ajo që ndodh më pas – persona të panjohur e kërcënuan Lubonjën me jetën. Organizata që unë drejtoj bëri një deklaratë për këtë rast. Përgjigjet janë të rralla, ashtu sikurse edhe priteshin pas heshtjes tipike intelektuale. Pra, ajo që më shqetëson edhe më shumë se sa arsyeja e parë thënë më lart, është mungesa e reagimit të opinionit të kolegëve. Kaq shumë jemi mësuar tashmë me këtë lloj mungese solidariteti, sa nëse kjo ndodh ndonjëherë, entuziazmohemi, na duket çudi, gati-gati heroike. Si gjithmonë vazhdojmë të mos e kuptojmë se revanshi kundër njërit prej nesh është kundër të gjithëve. Arsyet se pse ndodh kjo gjë janë të shumta, por më kryesoret fillojnë me atë më kryesoren; ajo që quhet shtresë intelektuale është në fazën e saj të mbijetesës më të thjeshtë, ashtu sikurse pjesa dërrmuese e popullsisë. Dhe në këtë situatë, të ashtuquajturit intelektualë janë më rehat të heshtin se sa të trimërohen. Për fat të keq, për logjikën tonë të veçantë të llojit shqiptar, kjo është normale. Arsye tjetër është edhe se (sikurse kam thënë edhe në shkrime të tjera), ne kemi një mungesë të theksuar elitash të nivelit europian, të atij modeli që rrekemi të imitojmë, por nuk e bëjmë dot. Mungesa e këtyre lloj elitash ul frymën e guximit, rrit egocentrizmin dhe cinizmin, ushqen negativizmin dhe si rezultat e shkatërron ndjenjën e solidaritetit.
Edhe nëse nuk na pëlqen ajo që ka thënë Lubonja, e mira e kërkon të shpjegojmë pse, dhe jo të shajmë, as të mallkojmë, por të angazhohemi për debat konstruktiv. Aq më shumë kur shohim, lexojmë, dëgjojmë se ai është kërcënuar, le ta lëmë mënjanë ndjenjën e hidhur tipike dhe tradicionale të cinizmit dhe ironisë dhe t’i qëndrojmë në krah duke e respektuar për guximin e tij qytetar dhe qartësinë profesionale. Edhe kjo është një përpjekje që mund të na çojë qoftë edhe pak në krijimin e elitës, si i vetmi shans për ta mëkëmbur klasën intelektuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura