Përralla e “taksës progresive”

Mar 31, 2012 | 12:24
SHPËRNDAJE

GJOKË ULDEDAJ

Personalisht më vjen mirë që kryetari i opozitës e provoi edhe ballafaqimin me biznesin për “taksën progresive”, të cilën PS e konsideron si një nga pikat e forta të programit të saj ekonomik.
Në këndvështrimin e vizioneve të biznesit për sistemin e taksave, përfundimet e këtij takimi ishin të pritshme. Kjo për faktin se në këtë ballafaqim biznesi ishte i orientuar shumë qartë duke artikuluar qëndrimet e veta të matura dhe kritike ndaj “taksës progresive”. Në këtë kuadër nuk ishte aspak e papritur që disa përfaqësues të biznesit shkuan edhe më larg, duke e artikuluar edhe si taksë e rishpërndarjes së varfërisë.
E bëra këtë parantezë për të theksuar faktin se biznesi shqiptar është jo vetëm i mirinformuar, por edhe i maturuar dhe praktik në qëndrimet e veta. Ai i njeh mirë efektet pozitive që ka prodhuar “taksa e sheshtë” në këto vite të qeverisjes “Berisha”. Është fakt i pamohueshëm se “taksa e sheshtë” është një histori suksesi jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha ato vende që e kanë aplikuar. Në rastin e vendit tonë përfitimi dypalësh i krijuar ka spikatur më shumë se kudo dhe këtë më mirë se kushdo e dinë ata që e mbartin: komuniteti i biznesit.
Pretendimi për vendosjen e një drejtësie sociale përmes “taksimit progresiv”, të propaganduar nga lideri i opozitës, është një teori e dështuar që në fillim për vetë realitetin e një ekonomie intensive në vend. Reformat rregullatore dhe fiskale, si dhe “taksa e sheshtë” e aplikuar që në vitin 2008, ka realizuar një politikë nxitëse dhe konsoliduese për të gjitha kategoritë e biznesit, duke e konsideruar si një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të treguesve makroekonomikë në vend. Ky sistem taksash i përcaktuar saktësisht e koherent dhe ky rregull fiskal i besueshëm nuk ishte shpikje, por vullnet dhe domosdoshmëri e kohës, duke konsoliduar dhe përshtatur ndryshimet që reflektonte tregu i brendshëm dhe ai ndërkombëtar përballë sfidave ekonomike të kohës.
Është fakt i njohur se “taksa progresive” i jep mundësi politikëbërësve për të ushtruar politika kundërciklike fiskale, duke krijuar paqëndrueshmëri ekonomike me tendencë rritjen e informalitetit. “Taksimi progresiv” edhe me përkufizim është një sistem shpërpjesëtimor në nxitjen e zhvillimeve ekonomike. Efekti i ndryshimit të këtyre dy taksave është i konsiderueshëm dhe po t’i referohemi realitetit tonë, mund të thellohet edhe më shumë. Kjo për faktin se marrëdhëniet midis “taksës progresive”, rritjes së kapitalit dhe rritjes ekonomike, janë negative. Ato janë pozitive vetëm në rastin e konvergjencës së të ardhurave. Këto janë koncepte ekonomike të njohura, por që, sigurisht, lideri Rama nuk ka mundur t’i kuptojë deri më sot.
Formula për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies së njerëzve është e njohur – sigurimi i të drejtave pasurore, taksa të ulëta dhe të thjeshta, treg i lirë e konkurrues, si dhe monedhë të qëndrueshme dhe lehtësisht të konvertueshme. Këto janë konsideruar politika ekonomike të suksesshme drejt ekonomisë së zhvilluar, janë politika që në rastin e vendit tonë i ka vërtetuar realiteti. Ndaj mendimin se dhe ekonomistët e opozitës i dinë mirë këto koncepte bazë të teorisë ekonomike, por, me sa duket, janë të diktuar që t’i pranojnë këto pikëpamje futuriste të liderit të tyre.
Është fakt se në këndvështrimin e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik, kjo nuk është taksë “progresi”, siç e ka emrin, por e kundërta është e vërtetë. Për Shqipërinë ajo është një taksë “regresi” që frenon zhvillimin ekonomik dhe zvogëlon rritjen e kapitaleve nga ana e biznesit privat në vend. Eksperienca botërore në këtë drejtim ka treguar se në 10-vjeçarin e fundit ka pasur një përmirësim të madh në mirëqenien njerëzore dhe pothuajse të gjitha këto përmirësime kanë ardhur nga zhvillimi ekonomik nëpërmjet “Flat Tax Revolution”. Asnjëri prej zhvillimeve pozitive të dekadës nuk ka ardhur nga rishpërndarja e të ardhurave që mendon dhe propagandon opozita jonë.
Këto janë koncepte frenuese për zhvillimin ekonomik në vend dhe nuk kanë asnjë lidhje me vizionet e kësaj maxhorance dhe me politikat ekonomike të shpallura nga qeveria “Berisha” për vitet 2013-2017, “Shqipëria një vend i zhvilluar”, me  politika ekonomike të bazuara totalisht në iniciativën e lirë, në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në nxitjen e investimeve të huaja. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke aplikuar taksa të larta për biznesin, ashtu siç nuk mund të jemi të suksesshëm me politika frenuese. Sukseset e kësaj qeverie e kanë bazën te partneriteti publik privat dhe te reformat, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, duke shërbyer si profilaksia më e mirë antikrizë. Në këtë kuptim, taksa progresive është e kundërta e asaj që duhet bërë.
Sistemi fiskal i propaganduar nga PS nuk ka dhe nuk mund ta ketë të ardhme. Është kjo arsyeja që Kryeministri Berisha, edhe në konferencën me temë “Një Shqipëri konkurruese”, i ka garantuar sipërmarrësit dhe investitorët që: “Jo vetëm që nuk do të ketë rritje të taksave, por ulje të mëtejshme të tyre. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë, jo se ajo u gjet me taksa të ulëta, por se u gjet me taksa të larta. E vërteta tjetër është se studimet shumë të besueshme kanë faktuar se çdo dollar i ulur nga tatim-fitimi apo taksa e të ardhurave, 0.4 për qind i shkon punonjësit”. Në anën tjetër kemi liderin e opozitës, i cili vazhdimisht është në vijim të teorisë së tij regresive, duke deklaruar se “Shqipëria është në prag falimentimi”. Kjo është një deklaratë e rëndë dhe ogurzezë që pasqyron qëndrimin në vazhdimësi të kësaj force politike, duke u rënë burive të një alarmi të rremë, duke na kujtuar kohën e zboreve. Nuk e themi vetëm ne, por e thonë edhe ndërkombëtarët, se borxhi publik është në parametrat e standardeve të BE, se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të mbajë peshën e borxhit publik dhe të deficitit buxhetor dhe të vazhdojë rrugën e zhvillimit të saj ekonomik.
Krejt ndryshe nga skenarët e Ramës, vendi nuk ndodhet në udhëkryq “mes rrënojës dhe rilindjes”, siç po përpiqet ta shesë ai dhe propaganda socialiste e një fushate të dështuar. Ekonomia shqiptare edhe në 2012-n vazhdon të performojë pozitivisht, duke dëshmuar që modeli ekonomik i zbatuar është i suksesshëm. Ne e dimë që viti 2012 është vit jo i lehtë edhe për biznesin. Në i njohim mirë vështirësitë ekonomike të kohës. Por, sigurisht që po aq të qartë ne dhe biznesi e kemi se ekonomia e sotme nuk zhvillohet duke e mbytur me taksa. Ajo nuk mund të ecë para as me iluzione, as me meditime, as me shpikje alla-Edi Rama. Ajo që ekonomia e kërkon sot më shumë se kurrë është vazhdimësia nëpërmjet një pakete të re reformash ekonomike dhe përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese për biznesin, për ta bërë më konkurruese ekonominë shqiptare në rajon e më gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura