Video/ Përplasje fizike mes mbështetësve të PS e PD në Elbasan. Reagon Basha: Rama erdhi në shoqërinë e bandave me pistoletë në brez. Dhunën e provokojnë atë që…

Mar 14, 2021 | 11:15
SHPËRNDAJE

Përplasje janë shënuar në Elbasan mes mbështetësve të PS-së dhe PD-së, të cilët kishin dalë në shesh për pritjen e kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Basha me rastin e Ditës së Verës.

Korrespondenti i “Panoramës” ka sjellë pamje nga momentet e tensionit, ku nuk munguan as konfrontimet fizike.

Në një prononcim për mediat lidhur me incidentet kreu i PD tha se dhunën e provokojnë ata që kanë mbajtur Elbasanin peng. Po ashtu kreu i selisë blu akuzoi Ramën se kishte shkuar në Elbasan i shoqëruar nga banditë me pistoleta në brez. 

“Pas takimit u vonova pak sepse më thanë se kishte pasur një incident. Unë do të vazhdoj me axhendën time dhe nuk do të ndaloj sepse Shqipëria ka ndaluar boll për 8 vite. Kështu që më ndiqni. Me qetësi. E kemi ditë feste me qytetarinë e Elbasanit. Nuk mund të na ndalë dhe nuk do të na ndalë më dhuna. Është ditë feste, ditë shprese, kur dielli do të fillojë të shëndërrisë, edhe më fort në 25 prill.

Për një kohë shumë të gjatë ky qytet është mbajtur në vend numëro, nga ushtruesit e dhunës sot, nga bandat e Elbasanit, që njihen me emër dhe mbiemër dhe që me pistoletë në brez shoqëronin kryeministrin në ikje”, tha Basha.

“Unë e di që qytetarët e Elbasanit nuk e duan dhunën dhe mezi e presin ditën e shpresës dhe ndryshimit. Shpresa dhe ndryshimi po vjen, dhuna nuk do ta ndalë dot. I them kryeministrit, mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditë që të rrethonin, me armët e paligjshme në brez. 14 marsi është e luleve, është dita e Verës, dita e shpresës. Është dita kur pranvera e mposht dimrin. Kështu të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshimin që duan qytetarët e Elbasanit. Thirrja ime është kundër dhunës, kundër provokimeve nga dhuna. Nuk ka shans që Edi Rama dhe bandat e tij ta mbajnë peng Elbasanin, sic e kanë mbajtur 8 vite peng, kjo merr fund më 25 prill. Ju uroj nga zemra Gëzuar Ditën e Verës”, vijoi kryedemokrati.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryedemokrati tha se nuk kishte dijeni se Rama kishte caktuar të njëjtin orar me të.

“Unë e kisha në orën 10:00 nuk kisha asnjë dijeni që km e kishte në të njëjtin orar. Bandat që e shoqëronin kryeministrin janë treguesi. Unë jam shoqëruar dhe shoqërohem nga familjet dhe intelektualët e Elbasanit. Ky është modeli i PD. Edi Rama e tregoi dhe njëherë se ku është problemi. Qyteti do t’i kthehet qytetarëve”, deklaroi Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura