Përmbushet amaneti, Eqrem bej Vlora në Kaninë

Mar 31, 2014 | 13:11
SHPËRNDAJE

Varri monumental i Eqrem bej Vlorës, i projektuar nga arkitekti Artan Shkreli
Tanimë ai mund të prehet i qetë, amaneti i tij u vu në vend. Dje, në qytetin e Vlorës u zhvillua ceremonia zyrtare e rivarrimit të eshtrave të Eqrem bej Vlorës, një prej figurave më të shquara të diplomacisë, politikës, por dhe letrave shqipe.
U varros në Kaninë, në një varr të gdhendur me sqimë, siç e meritonte sëra e Eqrem Bej Vlorës. Një varr monumental, ndër të rrallët në llojin e vet, vendosur në oborrin e Tyrbes së Shehajve. Pas mbërritjes së eshtrave nga Austria, ku preheshin për 50 vjet, dje u zhvillua ceremonia zyrtare. Homazhet u zhvilluan fillimisht në mjediset e shtëpisë së familjes në qytetin e Vlorës, prej nga ai u nis për të mos u kthyer më kurrë 70 vjet më parë. Familjarë e politikanë ishin të pranishëm në këtë ceremoni. Mes tyre Leka Zogu II dhe stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora. Pasardhësi i Mbretit Zogu I u shpreh i nderuar për ardhjen e eshtrave në Shqipëri të një shkrimtari si Eqrem bej Vlora që lartësoi figurën e Ahmet Zogut. Kurse stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora, falënderoi Kryeministrin për përmbushjen e një amaneti dhe mundësimin e kthimit të eshtrave në atdhe. Më pas, arkivoli me eshtrat e Eqrem bej Vlorës, i mbështjellë me flamurin kombëtar, u vendos në sheshin përpara ish-shtëpisë së Vlorajve në qendër të qytetit, e cila i është kthyer vajzës së tij.
Dje gjatë ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Eqrem bej Vlorës
Kurorën në emër të Kryeministrit Edi Rama e vendosi këshilltari për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Europiane, Fate Velaj, i cili vlerësoi figurën e Eqrem bej Vlorës, si një personalitet i kulturës dhe i letrave shqipe.
Bënë homazhe dhe vendosën kurora edhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, zv.ministri i Kulturës Zef Çuni, qytetarë vlonjatë dhe nga rrethe të tjera të vendit. Zv.ministri i Kulturës Zef Çuni, në fjalën e tij në ceremoninë zyrtare u shpreh mes të tjerash se “shpirti i tij endet mes letrave dhe dilemave politike”. Ndërsa për Leskajn, Eqrem bej Vlora është një  personalitet i kulturës dhe një figurë poliedrike që, pavarësisht sa e diskutueshme, ka lënë gjurmë dhe kontributin e vet në historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë, një nga pinjollët e familjes Vlora.
Nga shtëpia e famshme e Vlorajve, kortezhi u zhvendos në Kaninë, ku u varrosën eshtrat e Eqrem bej Vlorës. Për realizimin e një varri të denjë për të, u kujdesën në veçanti Auron Tare dhe këshilltari i Kryeministrit, arkitekti Artan Shkreli. Nga sa mësohet, konservimi i Tyrbes së Shehajve dhe realizimi i varrit monumental u mundësua me kontributin vullnetar të dashamirësve.  
Vendimi
Vendimi për kthimin e eshtrave në Shqipëri të Eqrem bej Vlorës u mor nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë në 7 mars, me kërkesë të familjarëve të tij, jo vetëm për shkak të skadimit të afatit të varrimit, sipas ligjeve austriake, por edhe për të çuar në vend një amanet të lënë që në gjallje të Eqrem bej Vlorës. Për zbatimin e këtij vendimi, organizimin e të gjitha procedurave të kthimit, si dhe organizimin e ceremonisë, u ngarkua Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Kulturës. Gjithashtu, kostoja e të gjitha procedurave u mbulua nga buxheti i shtetit.
Personaliteti
Auron Tare me Hana Këlcyrën dhe gurëgdhëndësin gjirokastrit që realizoi varrin e Eqrem bej Vlorës
Eqrem bej Vlora lindi në vitin 1885 dhe vdiq në vitin 1964. Ai ishte një politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar. I cilësuar si beu i fundit, mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare, megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi. Gjatë luftërave ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë. Pas disa luftimesh të suksesshme me forcat greke në zonën e Bregut ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai i tij, Ismail beu. Te vëllimi “Kujtime” gjejmë deklaratën se zotëronte 9 gjuhë të huaja.
Në 1912 u bë zëvendëspresident i Senatit-Pleqësisë, ndonëse 27-vjeçar. Më vonë, ai ishte pjesëtar i dërgatës (si përfaqësues i Tiranës e Shijakut) për në Neuëied të takonin Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. I atashohet Princit Vid si sekretar dhe përkthyes. 1914, Zv.sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare. Ai ishte mbështetës i Fuqive Qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali si austrofil, për pjesën më të madhe Luftës së Parë Botërore, por më pas u bë një nxitës i marrëdhënieve të ngushta mes Italisë dhe Shqipërisë me kapitullim e Perandorisë Austro-Hungareze. 1921, kandidat për kryetar i Bashkisë Vlorë. 1923, deputet i Asamblesë Kushtetuese, duke përfaqësuar krahun konservator dhe, në 1925, u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe. 1925, ministër i Shqipërisë në Londër. 1929, ministër i Shqipërisë në Athinë. Marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun ishin të rralla, megjithëse ai shërbeu në misione të ndryshme diplomatike jashtë vendit. 1932, drejtor i Punëve Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme Tiranë. 1934, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, grada Ministër (i plotfuqishëm). 10.02.1937 – 05.04.1939, deputet i Vlorës. 1939, këshilltar shteti. 1940, kryetar i Zyrës së Punëve Civile, kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.
Biblioteka e tij ishte një nga më të pasurat biblioteka private të parakomunizmit, ndoqi fatin e asaj të Mit’hat Frashërit dhe Lef Nosit duke u “shtetëzuar”, e brendësuar në Bibliotekën Kombëtare. Eqrem bej Vlora vdiq në Vjenë në vitin 1964 dhe për 50 vjet eshtrat e tij u prehën në varrezat Neustift am Ëalde, në kryeqendrën austriake.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura