Përgjimet në Prishtinë, Thaçi e quan Krasniqin “Jakupovski”

Nov 30, 2012 | 12:53
SHPËRNDAJE
Hashim Thaçi

Telefonatat e zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, drejtuar nga Hashim Thaçi, janë përgjuar dhe komentet e tyre mbi një eksponent të fuqishëm të kësaj partie, Jakup Krasniqi, janë publikuar në mediat e Kosovës. Përgjimet kanë krijuar skandal dhe janë quajtur nga qeveria e Kosovës si të paligjshme dhe false. Kryeministri Thaçi, në këto përgjime, ka biseduar me shefin e Grupit Parlamentar të partisë së tij, Adem Grabovci. Gjatë kësaj bisede, Thaçi e quan kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarin e Kryesisë së partisë së tij, Jakup Krasniqi, si “Jakupovski”, duke komentuar një hezitim të tij për të shkuar në Malishevë për të mbajtur një fjalim në 12-vjetorin e PDK-së, nga frika se mos po “ia gjigav kush”. Në një tjetër përgjim, dëgjohet duke folur Vlora Çitaku me Grabovcin. Ajo thotë se sa të jetë Jakup Krasniqi do të jetë problem, ndërsa Grabovci i kërkon t’i punësojë dikë si praktikant në Ministrinë e saj. Në një audio tjetër dëgjohet Sami Lushtaku, që sipas mediave në Kosovë karakterizohet nga dëshira për të sharë. Ai e quan Krasniqin qen dhe e pyet Grabovcin se pse nuk po e shkarkon partia. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Grabovci, i raporton për çdo detaj Kadri Veselit, ish-kreut të SHIK-ut. Audiot u siguruan nëpërmjet një e-mail-i dërguar mediave në Kosovë. Policia e Kosovës ka deklaruar se ajo nuk ka autorizuar përgjimin e asnjë zyrtari dhe nuk ka përgjuar askënd. “Koha Ditore” premtoi të publikojë sot se kush i ka autorizuar përgjimet dhe kush i ka kryer ato. Ndërkohë, qeveria e Kosovës, e cila e ka dënuar këtë akt, duke e quajtur falsifikim dhe të paligjshëm. “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër publikimin e përgjimeve të falsifikuara dhe joligjore të bisedave telefonike, të cilat gjoja janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucionalë. Qeveria kërkon me urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor. Publikimi i përgjimeve të tilla të fabrikuara me qëllim të shantazhimit të personaliteteve institucionale dhe jetës së tyre private është vepër e kundërligjshme dhe e dënueshme”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura